Home KRYESORE A do ta ketë Kosova një president unifikues?

A do ta ketë Kosova një president unifikues?

Nga Dr. Enver Bytyçi

Kur Hashim Thaçi fitoi zgjedhjet parlamentare e do të bëhej kryeministër në vitin 2007 në gazetën “Bota sot” shkrova një koment, në të cilin thoja se zoti Thaçi ishte personaliteti më i mbështetur mbas presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, dhe uroja që ai t’i jepte vendit një të ardhme të sigurt. Shkurt mendoja se lideri i PDK-së do të ishte aq idealist saqë të mos e ndërronte lirinë e pavarësinë e Kosovës me asgjë, as me pasuri, as me shoqërinë e tij, as me njerëzit e tij më të zemrës. Ndoshta me naivitet besoja se ai që udhëhoqi luftën për çlirimin e Kosovës dhe me kurajo e përkundër presionit të Demaçit, Kurtit e të tjerëve u bë aleat i besueshëm I NATO-s, do të ishte së paku një udhëheqës idealist, në mos vizionar.

Dje zoti Thaçi ndërroi pozicionin politik dhe u bë president i vendit. Me këtë rast ai premtoi se do të jetë një president unifikues. Dhe shqiptarët e banorët e tjerë të Kosovës e meritojnë një president të tillë. Unë nuk dua të dyshoj për dëshirën që ai ka për t’u bërë paqtues e unifikues. Dyshimi im nuk mund të përligjet me analizën e periudhës në të cilën lideri i PDK-së udhëhoqi qeverinë dhe mazhorancën e Kosovës, sepse njerëzit ndryshojnë, nga eksperiencat e hidhura nxjerrin mësime dhe për pasojë shpesh herë ata nuk do të donin të viheshin në pozita të pakëndshme të mëparshme. Megjithatë a e ka mundësinë Hashim Thaçi të bëhet unifikues në detyrën e re të kreut të shtetit të Kosovës?

Mundësia është aty, te dera e zyrës së presidentit. Ai ka mundësi jo vetëm të bëhet unifikues, por edhe të shndërrohet në një lloj lideri “profet”, çka ishte Ibrahim Rugova. Sigurisht me më shumë vështirësi sesa lideri historik i Kosovës, por pse jo, mundësia është për diçka të tillë. Dhe nëse zoti Thaçi është i sinqertë në atë që thotë e kërkon të bëhet, atëherë ne do të duhet t’i kujtojmë se çka nuk duhet të bëjë nga ato që ka bërë deri tani, që të jetë paqtues, unifikues, model i njeriut të urtë e të drejtë në familjen e madhe që quhet Kosovë.
Së pari, atij i duhet me dhimbje të shkëpusë lidhjet me miqtë e tij “të luftës”, të cilët luftën e përdorën për të grabitur pasuritë e Kosovës, me ata që dy herë në vit “arratisen” prej shtëpisë së tyre e vendit të punës si kryetarë komunash, sepse janë shpallur në kërkim nga policia si persona me precedent kriminalë. Nëse i shkon për vizitë një kryetari komune një ditë para se atë ta bastis policia, atëherë nuk mund të jesh as unifikues, as paqtues, përkundrazi nxit krimin kundër shtetit. E këtë nuk mund e nuk duhet ta bëjë tashmë vetë kryetari i shtetit. Shkurt kriminelët ose shkelësit e ligjit, të cilët kanë bërë pasuri në Kosovë në emër të luftës, në emër të partisë së themeluar prej Thaçit e ndonjëherë edhe në emër të vetë zotit Thaçi, pra në emër të forcës e në shkelje të ligjeve të së drejtës, këta kriminelë do të duhet të dënohen. Dhe zoti Thaçi duhet të prenoncohet publikisht tashmë si guardian i ligjit dhe pushtetit gjyqësor se do ta çojë deri në fund këtë betejë. Pa realizuar dekriminalizimin e pushtetit të tij të mëparshëm, presidenti Thaçi do të mbetet mik i kriminelëve dhe kurrësesi nuk do të bëhet president i shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë të Kosovës.

Së dyti, Presidenti unifikues i Kosovës mund të jetë i tillë kur të bëjë drejtësi në aspektin e zbulimit dhe dënimit të të gjitha krimeve serbe në Kosovë. Kjo do të thotë që në detyrën e presidentit zoti Thaçi do të jetë i obliguar ta lehtësojë deri në infinit dhimbjen e madhe të asaj gruas nga Malisheva, e cila sot e 17 vite vendos në tavolinë pesë pjata për pjestarët e familjes së saj të vrarë, masakruar e zhdukur në një luftë të pakuptimtë e mizore të regjimit serb të Milosheviçit. Ai kishte mundësi të ofronte kontributin e tij për këtë gjatë gjithë periudhës që bisedoi në Bruksel me homologët e tij serbë. Por nuk mundi që as t’u shkëpuste atyre së paku një lloj ndjese për ato krime të tmerrshme që Serbia bëri në Kosovë gjatë viteve 1990. Megjithatë kurrë nuk është vonë për të lehtësuar dhimbjet e familjeve të viktimave të luftës. Nëse e bën këtë, zoti Thaçi mund të pranohet si president unifikues.

Së treti, një president unifikues do të duhet patjetër t’i japë përgjigje vajzës së Enver Malokut, të Xhejmal Mustafes, djemve të Ramë Manajt, familjes së Tahir Zemës e të Ahmet Krasniqit, si dhe shumë viktimave të tjera politike të pasluftës, cilët janë vrasësit, pse këta personalitete u sakrifikuan, çfarë roli kishte SHIK-u i njerëzve të Thaçit dhe Fatos Klosit në këto vrasje? Pra një president unifikues do të duhet medoemos të paqtojë zemrat e shpirtrat e qytetarëve të vet, të cilët ka marrë përsipër t’i përfaqësojë. Ndërkohë ekonomia dhe çeshtje të tjera të zhvillimit, ndoshta nuk do të jenë më pjesë e detyrës së presidentit Thaçi në kuptimin e drejtëpërdrejtë të fjalës.

Unifikimi nuk është deklarim, pohim. Eshtë vision, është veprim, madje është edhe proces. Për zotin Thaçi është gjithashtu kapërcim i vetëvetes, kapërcim i gardhit të shokëve, miqve dhe farë e fisit, është angazhim për ta trajtuar çdo anëtar të familjes së Kosovës në mënyrë të barabartë e në mënyrë njerëzore, është përpjekje për t’i dhënë çdo njërit prej tyre dinjitetin njerëzor e moral. Unifikimi është besim dhe besimi është vështirë të rikthehet kur personi i ulur në dhomën e parë të shtetit ka lënë gjurmë për të kundërtën e asaj për të cilën angazhohet. Prandaj zoti Thaçi nuk e ka të lehtë të krijojë besimin që me siguri do ta dëshironte në rolin e presidentit të Republikës. Megjithatë besimin ai mund ta rikthejë, por vetëm mbasi të përballet vetë me të kaluarën.

Të përballesh me të kaluarën nuk është turp, është sfidë. Askush nuk është i pagabueshëm mbi këtë tokë. Dallimi midis njerëzve të ditur ose jo të ditur, me pushtet ose pa pushtet, qëndron në forcën që ata kanë të përballen me të keqen, me qëllim që të korrigjohen dhe të bëhen të dobishëm për shoqërinë. Kjo metamorfozë është ajo çfarë do ta bënte Hashim Thaçin president paqtues, unifikues dhe të besueshëm te qytetarët e Kosovës. Unë besoj se zoti Thaçi e ka vullnetin e dëshirën për këtë, por sa forcë ka ta bëjë ndryshimin, kjo varet prej tij dhe mund ta dëshmojë në muajt e dy vitet e ardhshme. Brenda natës nuk mund të bëhet asgjë nga ato ndryshime të mëdha që kërkojnë të jetosh në dimensione mbinjerëzore për t’u korrigjuar e vetëkorrigjuar.

Share: