Home KRYESORE Bota ime pa ty….

Bota ime pa ty….

Nga Luan Kurti

Mpakur dhe kërrusur, shtratit lëngon,
Sëmundja mësyn teje si dallgë me harbime,
Por prapë je perri, yll që ndriçon,
se je Nëna ime!

Sytë qepallat rënë, ku nata troket,
plot hije të mistershme dhe vagëllime,
Je më e magjishmja grua në planet,
Se je Nëna ime!

Ditën kur të shkosh, bota s’ka të ngjarë,
Ta vërë re mungesën e një cicërime,
Por bota ime s’do jetë si më parë,
Pa ty Nëna ime!

Share: