Home KRYESORE DIVIDENDI I RI

DIVIDENDI I RI

Nga Nevila Mullaj

Duhet një model socioekonomik që të sigurojë fuqizimin e individit.  Individi nuk është agjent aktiv i ekonomisë. Për këtë kërkohet një nisje nga e para: Ex Novo. Një model konstruktiv gjithpërfshirës, i cili të ingranojë potencialin e asetit human dhe ta projektojë atë si dividend. Një model që ta shndërrojë atë në aksioner të kapitalizmit.

Dekomunistifikimi – Likuidimi i Kostove

Tek libri i tij “Mosmarrveshja”, Kadare cilëson se  ne kemi një mosmarrveshje me veten.  Derisa të pastrojmë të kaluarën, nuk do të mund të ecim të qartë mbi vizionin tonë si shoqëri. Katharsisi i vërtetë nuk ka ndodhur, ashtu sikunder asnjë “Nuremberg” që të vendoste drejtësi mbi shpirtrat e vuajtur të të persekutuarëve. Në këtë kalvar, shoqëria shqiptare përjeton dyzimin mes indoktrinimit komunist, dhe sforcos për të akomoduar vlerat e demokracisë së tregut të lirë. Ky irracionalitet ka kosto mbi çdo vendimarrje, e përlyer nga fara absurde e së kaluarës. Ky irracionalitet precipiton në dështim socio-ekonomik.

Trashëgimia e pronës private e pazgjidhur ende nuk krijon substrakt për tregun e lirë, konkurrencën dhe free enterprise democracy. Masakrimi i qytetarisë dhe vlerave të shoqërisë shqiptare prej vulës okulte totalitare ka prodhuar një qasje anti-individ, anti-treg, anti- konkurrencë, anti-zhvillim.

Në debatet televizive, në panele dikutimore flitet pa fund për pasqyrën makro. Individi dhe mirëqënia e tij, diku në eko harresë ka devijuar nga fokusi primar. Në këto 25 vite tranzicion psiko-ekonomik, roli, potenca dhe kontributi i individit ngelet minor. Si përkthehet kjo në ekonomi? Më pak rentabilitet, më pak iniciative private, më pak output, rrjedhimisht më pak mirëqënie.

Anketa e Matjes së Nivelit të Jetesës raporton: 58.4% e buxhetit familjar shkon për  Ushqim, ndërsa Edukim 3.4 %. INSTAT referon buxhetin e familjes në tkurrje. Pra fuqia investuese e tij ka rënë në ekonomi. (Konsumi për energji elektrike : rënie 299,421.6 , VI mujori 2016

De Glorifikimi i Antivlerës – Benefit

Parakushtet për free market nuk janë krijuar, sa kohe ende mbledhim dështimet e bizneseve nga konkurrenca e pandershme. Parakushtet për zhvillimin social ende nuk janë krijuar, sa kohë endemi në dualitetin e (pa)shmangshëm individ – shoqëri.  Në prizmin socioekonomik, ne na mungon refleksioni social që do të na hapte korridorin drejt zhvillimit ekonomik. Shtrezësimi i normave totalitare komuniste dhe çimentimi i tyre tashmë si norma sociale e vështirëson njohjen me virtytin e tregut të lirë dhe kapitalizmit. Ajo që ne nuk kemi bërë është ta shohim veten në pasqyrë, drejt e në sy, me objektivititet të ftohtë dhe ta njohim të keqen e të mirën ashtu siç është.  Por mbi të gjitha, që në këtë vend, çdo veprim anti-ligjor të vuajë konsekuencat respektive, ashtu sikur keq-menaxhimi financiar ndëshkohet me falimentin.

Vakum sociologësh? Apo refleksionet sociale të tyre shpesh herë nuk bazohen në realitetin bruto dhe lëngues të shoqërisë. Nga ana tjetër, leximi që ata i bëjnë shoqërisë limitohet deri në evidentim, pa marrë një qëndrim koherent persistent me modelin e vlerave që shoqëria jonë po përqafon. Në atë çka individit po i serviret dhe po konsumon nga ambjenti makrosocial, të lind dyshimi se modeli i punës dhe i suksesit është aneksuar thelbësisht. Ky është alarm socioekonomik. Por në anën tjetër të ekuacionit ka vakum aksionesh për të shpëtuar dekadencën sociale ( Anketa e Buxhetit të Familjes raporton: 38,141 L të ardhura mujore mesatare).

Kjo e demotivon individin të jetë aktiv në ekonomi. Prizmi analitik dëshmon për disfunksionimin më akut, e ndoshta më fatal: nuk po kuptojmë më çfarë është e mira, dhe çfarë është e keqja. Rrokada e vlerave në shoqëri, dhe hija e së keqes, e antivlerës, e antimodelit e destruktivitetit ushqen urinë e kolapsit ekonomik. (Të ardhura vjetore sipas tipit të familjes per capita: 10,884 L).

Një ekonomi guidohet nga vlerat. Cilat vlera kemi ne që të ndërtojmë një sistem pozitiv me bazë mirëqënie për individin, kur edhe në indin më të thellë janë injektuar rudimentet totalitare, sjellje e mendësi autokrate që shkojnë drejt denatyralizmit të njeriut? Këto kromozome defektoze nuk mund të shpërthejnë veçse glorifikim të antivlerës.

John D. Rockefeller :“ gjithmonë kam dashur të kthej çdo dështim në oportunitet”. 

De Institucionalizimi i Apatisë – Vota Pro Ekonomisë

Dikotomia: ekonomi-individ është një case study më vehte. Kryesisht individi është konsumator, por edhe konsumatori po ndalon së qëni (konsumi ra 3.16%). Mund të jetë investitor (investimet rënie raporti i shpenzimeve për investime ndaj PBB-së 26.5%), ose mund të alokojë asetin financiar në kursime (depozitat drejt normave zero). Atëherë, çfarë po bën individi? Nuk po emeton sinjale jetike në ekonomi, kapitali transferohet, ose bashkë me kapitalin transferohet edhe vetë ai (rritja e nr të azilkërkuesëve: 66.000). Grupmosha nga 18 deri në 34 vjeç përbënte gati 45% të totalit të azilkërkuesve për Shqipërinë( Eurostat)

Në rrënjët e shkakut ngërthehet mungesa  e qarkullimit të elitave, elitave vendimarrëse me frymë vizion konstruktiv, që prodhojnë zhbllokim të tregut dhe jo mbirregullim inefiçent me ligje dhe akorde oligarkike. Ky nuk është kapitalizëm, por një fytyrë e deformuar e propaganduar si e egër, mbrapa së cilës fshihen ide të mykura, derivate totalitare të shëmtuara. Individi mbifaturohet me koston e falimentit të zërit të tij në ekonomi. (Nderkohe: Paga mesatare mujore në sektorin shtetëror dhe paga minimale zyrtare, 2000-2014: 53,025 L. Rritja reale e pagës në sektorin shtetëror, 2000-2014: 0.1 %)

Në kampin tjetër intelektualët si një zë i shuar, i (vetë)mënjaruar shpesh e shtyjnë këtë realitet, gjejnë pretekste, apo ndoshta trishtueshem tentojnë ta shfrytëzojnë për protagonizëm. Kështu lindin konkluzionet tangent, qasje aspak avantgarde dhe të dorëzuara para kësaj amullie. Spasmat e vlerave të shoqërisë sot janë këmbanat që bien për të nesërmen.  Apatia e individit i jep shpirt frymës destruktive. This is the bottom line.

“Tregu nuk është perfekt, por është i vetmi me në thelb individin dhe lirinë e tij që kryen  alokimin më të suksesshëm të resurseve”. Niall Ferguson

De Monopolizimi i Mendimit – Konkurrenca Puro

Inflacion i antivlerës suportohet nga media e shkruar apo vizive, nga rrjetet sociale, nga bisedat e  rëndomta, por edhe me shqetësusese mediokriteti si pa u kuptuar pësoi metamorfozen e tij dhe befas brenda natës u shndërrua në vlerë. Një vlerë pas së ciles kapemi fort, së cilës i referohemi, në emrin e së cilës dënojmë të aftin, nuk i japim zë profesionistëve.  Kjo quhet konkurrencë e lire? (Global Finance Index: Fuqia Blerese ne vendin e 95-te nga 180 rankime ne total)

Nëse monopolizimi i tregut është shenjë totalitarizmi, po aq paralel qëndron dhe monopolizimi i mendimit. I pari asfikson konkurrencën, robëron kreativitetin dhe zgjerimin e bizneseve shqiptare. Eksportet rënie 4.5%, (bilanci shkurt 2016)

Në të dytin, individi i zhgënjyer në luftë me monopolin e mundësive, penalizohet nga sistemi i cili as nuk mori mundimin tja njihte atributet. Por edhe nëse ai i ulëriti ato, u përball me zhurmën e një dere që ju mbyll në fytyrë. Egërsia e këtij monopolizimi të ekonomisë, po e shtyn individin drejt denatyralizimit social, po e zhvesh nga qeliza e tij pro-jetës. (Ndryshimi i rritjes ekonomike tremujore: 2,98%). Kulti i Mediokritetit ushqen ujrat e populizmit.

Share: