Home KRYESORE FTK: Dhënia me qira e monumenteve, shkelje ligjore

FTK: Dhënia me qira e monumenteve, shkelje ligjore

Pas daljes së ministres Mirela Kumbaro në emisionin “Top Show”, ka reaguar Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore i cili me një deklaratë për shtyp ka denoncuar udhëzimin e Ministrisë së Kulturës mbi dhënien me qira dhe mënyrën e administrimit të monumenteve të kulturës me qëllim rijetëzimin e tyre!

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka denoncuar udhëzimin e Ministrisë së Kulturës, nr. 5110, datë 13.10.2015, “Për dhënien me qira dhe mënyrën e administrimit të monumenteve të kulturës me qëllim rijetëzimi”, botuar në Fletoren Zyrtare të datës 17 mars 2016, dhe kërkon rishikimin e mëtejshëm të procedurave të dhënies me qira dhe administrimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore e historike. Në përballjen e fundit publike me ministren Mirela Kumbaro – e fundit në emisionin “Top Show”, të datës 5 prill 2016 – u bënë publike disa prej problemeve dhe shkeljeve ligjore që shoqërojnë këtë udhëzim. Sipas këtij forumi, udhëzimi i ministres është përgatitur pa pasur një strategji zyrtare të kësaj ministrie për trashëgiminë kulturore. “ Znj. Kumbaro e pranoi se aktualisht nuk ka ende një strategji të tillë dhe vizion të përcaktuar qartë”, –thuhet në deklaratë, e cila e cilëson këtë udhëzim se bie ndesh me frymën e ligjit nr. 9048, datë 7.4.2003 “Për trashëgiminë kulturore”, i azhurnuar në vitin 2008.

Në udhëzim ndërkohë, parashikohet që kjo vendimmarrje mund t’i kalojë edhe institucioneve të tjera në varësi të ministrisë. “Kjo është jo vetëm një shkelje ligjore, por mund të fshehë edhe qëllimin e ministres për të shpërndarë përgjegjësinë e vendimmarrjes tek institucionet e tjera” – vijohet në këtë deklaratë të forumit.

Udhëzimi parashikon procedurë me konkurrim për privatët që dëshirojnë të përdorin monumentet, por është lënë evazive, në dorë të ministrit të Kulturës, nëse do të organizohet apo jo një konkurrim i tillë (pika 2) – thote Forumi.

Share: