Koalicioni për Gratë dhe të Rinjtë në Politikë në bashkëpunim me Shtëpia e të Drejtave të Njeriut/CRCA Shqipëri dhe me mbështetjen e Olof Palme International Center, ndanë sot publikisht në një event të posaçëm Vlerësimet Kombëtare “Gruaja e Vitit 2015″ në Shqipëri.
Vlerësimi Gruaja e Vitit 2015 në kategorinë Politikë shkoi për znj. Grida Duma (1743 vota ose 39 % e 4431 votave të dhëna për gratë në politikë), Vlerësimi Gruaja e Vitit 2015 në kategorinë Media shkoi për znj. Eni Çobani (697 vota, ose 23 % e 3002 votave të dhëna për gratë në media), Vlerësimi Gruaja e Vitit 2015 në kategorinë Shoqëri Civile shkoi për znj. Flutura Xhabija (753 vota, ose 24 % e 3059 votave të dhëna për gratë në shoqëri civile).
Kjo iniciativë, e lançuar për herë të parë në vitin 2014, ka për qëllim të fuqizojë kauzën e të drejtave dhe avancimit të grave dhe vajzave në Shqipëri, si një mjet që kontribuon në evidentimin dhe mbështetjen e tyre në fusha të vështira shoqërore si politika, media dhe shoqëria civile.