Nga Arben LLALLA
Dy ngjarje historike pa KOASH në jetën e saj këto ditë. Themelimin e dy mitropolive të reja dhe fronëzimin e dy peshkopëve të konvertuar nga islami në to, si pasojë e punës bindëse dhe misionit të Anastas Janullatosit, që me këtë veprim i tregoi botës publikisht, se jo vetëm që me ardhjen e tij i rikrishtërizojë shqiptarët e dalë prej fesë, por disa prej tyre i ngjiti dhe në frone peshkopale, madje ndonjë prej tyre, shumë shpejt, mund të ngjitet edhe në atë kryepeshkopal.
Po këtu nuk ka ndonjë çudi të madhe, pasi ekzistencën e peshkopëve të konvertuar e dëgjon në përshpërimat e shumë besimtarëve, të cilët, për hir të së vërtetës, nuk është se janë shumë të kënaqur me këtë taktikë të kryepeshkop Anastasit, pasi do të donin që të kishin peshkopë shqiptarë të traditës ortodokse, por djem të tillë. Duket se kryepeshkopi nuk mundi t’i bindë ta ndiqnin këtë rrugë.
Personalisht mendoj se ka arsye konkrete pas kësaj strategjie, që do ta shpalosim në të ardhmen. Megjithatë, këta gjeti, këta bëri, urojmë që të jenë të vlefshëm për komunitetin ortodoks në Shqipëri dhe të kthejnë edhe këta sa më shumë njerëz në kishë, edhe pse duhet ta fillojnë predikimin së pari me familjet e tyre.
Personalisht ndjej një gëzim të madh, se me peshkopët e rinj ndaj të njëjtën “origjinë fetare”, sipas përcaktimit që më bëri para disa kohësh në gjetje gjeniale, zyra e shtypit të KOASH.
Por ajo që më bëri më shumë përshtypje, ishte fakti se në ditën e inaugurimit të tij, peshkopi i ri i Elbasanit, sulmoi ashpër priftin patriot at Nikoll Markun, bash ditën që për herë të parë hipi në fronin dioqezan, në prezencë të Janullatosit dhe të sinodit.
Dukej se fjalimi i tij kishte vetëm dy boshte, falenderime për kryepeshkop Anastasin dhe mallkime për at Nikollën Markun, duke e akuzuar këtë të fundit për uzurpim të kishës.
Kujtojmë këtu se më shumë se 20 vjet, at Marku kritikon hapur Janullatosin për antishqiptarizëm, teza të njohura dhe të vërtetuara tashmë.
Gjithashtu është e udhës të përmendim se Nikolla Markun nuk na e dërguan sllavo-maqedonasit, por ai ishte student dhe kontigjentin për prift që studionte në shkollat e Janullatosit, por shokët e tij arritën me makinacione të ndryshme ta mënjanonin, duke e detyruar këtë të fundit të gjente një rrugë alternative për t’u bërë prift, pasi kjo ishte gjëja që donte më shumë.
Një rrugë të ngjashme ka ndjekur edhe Fan Noli i cili nuk u vesh prift nga shkolla greke, por ajo ruse. Në këtë shkrim, nuk kam aspak qëllim të marr në mbrojtje at Markun, por të analizoj disa rregulla apo kanone kishtare që janë shkelur nga peshkopi i ri, pasi ky i fundit, që të akuzonte at Markun, duhet të ishte i rregullt dhe i saktë për veten e tij, ndryshe duhet të heshte.
Së pari, është shkelur rregulli dhe tradita kishtare që asnjë i porsakonvertuar apo neofit, nuk mund të ngrihet në grada peshkopale, jo më një i konvertuar nga islami.
Sigurisht Janullatosi e di shumë mirë se cili kanon apostolik ia ndalon këtë, dhe madje edhe përmbajtjen e tij, jo se jam ekspert i fushës, por se m’i thonë ata që janë brenda kishës, që nuk e durojnë dot këtë situatë “antikanonike” siç ma cilësojnë, por që nuk kanë guxim të flasin, pasi mbajnë familjet me bukë. Ndaj dhe rrugën e vetme që kanë, është të më bëjnë mua “katekizmën”, me shpresë se mos konvertohem edhe unë ndonjë ditë si peshkopët e rinj.
Së dyti, peshkopi i Elbasanit, at Andon Merdani ka një paralajmërim me shkrim nga sinodi i KOASH-it për “tradhti të lartë” ndaj Anastas Janullatosit, dhe ndoshta i detyruar nga ky i fundit, që ia ka dosjen në dorë, u përpoq t’i tregonte botërisht besnikëri.
Por “scripta manent”, e kaluara nuk harrohet, një dokument konfidencial dhe pikërisht kabllograma me kod 06TIRANA662 e 21 qershorit 2006, (lexo gazetën SHQIP, 6 shtator 2011), dëshmon se peshkoi i Elbasanit, u jepte informacion konfidencial njerëzve jashtë kishës duke dëshmuar se për varrezat e ushtarëve grekë.
Janullatosi i merrte urdhrat nga Athina, e cila kishte gjithë fondet dhe koordinimit e operacionit. Kjo gjë shkaktoi asokohe furtunë në KOASH. Edhe pse hirësia u detyrua të bënte një përgënjeshtrim, ne sërish besojmë fjalët e DASh se këto janë dokumente sekrete dhe nxjerrja e tyre përbënte krim, pikërisht se përmbanin të vërtetën.
Ndaj pyesim hirësinë: Kush është burrë më i ndershëm, at Marku që i doli kundra Janullatosit hapur dhe botërisht apo ti, që botërisht e lanë dhe e lyen me falenderime dhe nën rrogoz i bën gropën duke “rrjedhur” jashtë kishës të dhëna që e kanë vënë kryepeshkopin në pozitë të vështirë?
Madje guxojmë të themi, se edhe ngjitja në fronin e Elbasanit, largimi yt nga Tirana “me ngritje”, duhet të ketë shpërblimin e merituar të kësaj bëme.
Dihet që unë e kam mik të vjetër at Markun, dhe nëpërmjet tij njoh dhe klerikë të tjerë të Elbasanit, të cilët më thonë se i ka zënë halli i madh për peshkopin e ri, pasi ka shfaqur shenja arrogance në komunikimin me ta që kur ishte përgjegjës për zonën e tyre, e disa prej tyre, janë bërë gati për ta përballuar me guxim realitetin e ri.
Disa thonë se nuk është çudi që nga ardhja e peshkopit të ri që u zotua se do i kthente kishën e kalasë Janullatosit, të dalin dhe të krijohen probleme më të mëdha.
Nuk është çështja e kishës së kalasë dhe at Markut, pasi do vijë një ditë, që ajo sërish do meshohet prej priftërinjve të rinj ortodoksë, se Nikolla Marku nuk do ua lërë trashëgim fëmijëve, se nuk e ka të babait.
Puna është që neofiti ynë peshkop, me sjelljen dhe arrogancën e tij, mund të shtyjë klerikë të tjerë t’i bashkohen at Markut dhe rrymës së tij të rezistencës patriotike dhe kështu Janullatosi, nëpërmjet tij, në vend që të vërë vetullat, do nxjerrë sytë.
Ajo që ngelet për t’u parë tani është se si do e menaxhojë peshkopi i ri dioqezën e vetë, që nuk është më shumë sesa dy qytete dhe ca fshatra.
Sigurisht, fillimi nuk ishte i mbarë, pasi një histori shpirtërore nuk mund të niste kurësesi me sulme dhe akuza. Nëse bariu i ri do të ishte i zgjuar, edhe mund ta kishte bindur at Markun, me butësi e durim, t’i rikthehej vathës nga e cila doli, por me veprimin e tij të pamatur dhe konfliktuale, ai nuk bëri asgjë tjetër veçse e agravoi më tepër problemin, duke treguar kështu se apostujt e motshëm, çoç dinin dhe nuk i kanë bërë kot kanonet e tilla, që ndalojnë pikërisht njerëz të tillë, që të marrin të tilla detyra delikate.
Koha, sigurisht do e tregojë, nëse kishte të drejtë Janullatosi, që doli mbi kishën, që shkeli një qerre me kanone për ta bërë peshkop të konvertuarin tonë, apo tradita kishtare, që prej shekujsh ruan një frymë konservatore, të paktën për sa i përket atyre që zgjedh si drejtues të lartë të saj.
Sigurisht, herë tjetër, nëse kërkoni saktësi kanonike nga të tjerët, kujtoni që të paktën, standardin e respektimit dhe rruajtjes së rregullave, që pretendoni se mbartni prej shekujsh, ta tregoni vetë të parët. Ndryshe bëheni qesharakë dhe të pabesueshëm.