Nga Ndue Ukaj
Është proverbiale shprehja se gjuha është ma e fuqishme se 1 mijë ushtri. Po, gjuha i paraprinë të keqes, por edhe të mirës.
Ky ligjërim i pështirë, që po mbizotëron mbi jetën tonë shoqërore tash e sa kohë; kjo gjuhë publike e pakontrolluar, e përçartë, po e rritë mosbesimin në shoqërinë tonë. Po e zvogëlon humanizmin dhe po e shton urrejtjen e mosdurimin.
Njerëz, shoqëria jonë ka nevojë për ligjërim tjetër fare. Për një gjuhë ma humane. Për ma shumë dashuri ndaj njëri-tjetrit e vendit. E mbi të gjitha, për ma shumë kujdes ndaj fjalës publike.
Ky popull, s’ ka kapacitete me kapërdi gjithë këtë helm të gjuhës.
Gjithë këto lajme negative. Gjithë këtë mllef e propagandë me qëllime të pastra denigruese. Gjithë këtë shumësi “informatash” e “lajmesh.”
Borgesi i ditur pajtohej me pohimin se ta lashë librin në duar të injorantit, është po aq i rrezikshëm sa ta vësh shpatën në duar të fëmijëve. Borgesi, sot, kishte me pohua se fjala publike në duar të injorantëve, është po aq e rrezikshme sa bomba në duar të terroristëve.
Njerëz, kujdes, gjuha shëron, por edhe vret. Mos u përcaktoni për të dytën.
Nëse vazhdohet të flitet kështu, rrezikojmë që edhe një brez ta rrisim me helmin e gjuhës, me neuroza e urrejtje pa fund. Me kontradikta e përplase absurde e pa fund.
Sot, ma shumë se kurrë, duhet ta mësojmë artin e durimit dhe atë të refuzimit estetik.