Home KRYESORE Liria e besimit dhe dialogu ndërfetar në Shqipëri

Liria e besimit dhe dialogu ndërfetar në Shqipëri

Nga Vlash Plepi*

Tema të këtilla të cilat kanë të bëjnë me lirinë e besimit dhe dialogun ndërfetar, mbarëvajtjen ndërmjet njerëzve, komuniteteve, popujve apo grupimeve të ndryshme, të cilët kanë ndërmjet tyre dallime ideologjike, besimi apo të çfarëdo emërtimi tjetër që ato mund të marrin, janë kaq të rëndësishme apo dhe të domosdoshme për një bashkekzistencë paqësore dhe mirëkuptim kaq shumë të dëshiruar nga mbarë njerëzimi anekënd botës.

Parimi kryesor i funksionimit të besimit të krishterë është i mbështetur mbi lirinë dhe dashurinë.

Njeriu u krijua me një liri dhe aftësi të tillë, saqë në qoftë se dëshiron mund të mohojë madje edhe vetë Krijuesin. Perëndia që ndërkohë “ankohet” për kapërcimin e lirisë, por megjithëkëtë, nuk e detyron njeriun. Po kështu nuk i imponon atij pendimin dhe kthimin në besimin e vërtetë. Biri prodik është i lirë të braktisë shtëpinë atërore. Po kështu krejtësisht i lirë vendos të kthehet.

Përjetimi i dashurisë zhvillohet në dy linja paralele të cilat nuk mund të ekzistojnë në mungesë të njëra-tjetrës. E para është dashuria për Perëndinë dhe e dyta është dashuria për të afërmin (njeriun). Kuptimi dhe përpjekja individuale e çdo besimtari drejt kësaj dashurie të përsosur nxjerr jashtë çdo lloj frike dhe të mbush me shpresë (I Jn. 4:18) duke dhënë orientim në udhëkryqet më të vështira të jetës.

Bashkëbisedimi dhe komunikimi me ndjekësit e feve të tjera bëhet më i lehtë kur ne pranojmë tjetrin si vëllain dhe motrën tonë, duke respektuar lirinë, sidomos lirinë e ndërgjegjes së tyre. Ne i pranojmë ata siç janë, me dashuri të sinqertë, duke i ndarë së bashku eksperiencat e tyre fetare, që kanë qenë më të rëndësishmet në kërkimet tona për kuptimin e jetës dhe vdekjes dhe në dëshirën tonë për të përjetshmen, Perëndinë.

Kryepiskopi Anastas në librin e tij “Globalizmi dhe Orthodhoksia” do të shprehej se: “njeriu, i cili ka bindje të ndryshme, kurrë nuk privohet nga cilësia e tij bazë ‘nënshtetësia’ e tij shpirtërore; nuk pushon së qeni ‘bir i Perëndisë’, i bërë sipas ikonës së Perëndisë (gjeneza 1:27) pra është vëlla”.

Duke e konsideruar interpretim të vargut të mësipërm të gjenezës, në kontekstin shqiptar Çajupi te “Baba Tomorri” do të shprehej:

“Të Krishtër e myslimanë

I gatoi nga një baltë”

Ky komunikim, sidomos ndërmjet grup-feve të ndryshme, duhet të zhvillohet në rrafshin e bashkekzistencës vëllazërore dhe në gjetjen e problematikave të një interesi të përbashkët duke iu shmangur ndryshimeve dogmatike dhe ndasive që mund të mbartin ato. Këtë gjë e them se sot vihet re një druajtje nga disa besimtarë të zellshëm për të dialoguar me një besimtar të një feje tjetër, sepse rezervojnë frikën e pajtimit me ndonjë element të ndryshëm dhe kompromentues të besimit të tyre.  Kryepiskopi Anastas do të vërente sërish se: “.. Besimtarë të devotshëm të feve të ndryshme kanë ndjerë një rrezik të ri, të fshehur në këtë dialog – rrezikun e sinkretizmit dhe kompromiseve në besimin e tyre. Kohët e fundit, një vetëpërmbajtje në rritje është ngritur në shumë komunitete fetare që kanë lidhje me gjithë këtë proces të dialogut. Si rezultat, është e domosdoshme të gjesh një shteg ndërmjet ekstremeve, dhe të sqarohet edhe njëherë karakteri, qëllimi dhe shpresa e këtij dialogu, që nuk mund të ndryshojë bindjen personale dhe mirëbesimin e një besimtari të një feje konkrete”.

Dialogu gjithashtu nuk mund të ketë si synim të bindë që perceptimet e njërës fe janë të drejta, ndërsa tjetra është në rrugën e gabuar. Një taktikë e tillë është totalisht e gabuar. Dialogu është njohje e tjetrit, duke e pranuar fenë tjetër ashtu siç është dhe jo siç duam ne që ajo të jetë. Fetë dallojnë nga njëra-tjetra dhe ne duhet të respektojmë këto dallime ndërmjet nesh dhe ajo që është më kryesorja, e që koha e lyp me ngashërim, është që të njohim dhe të bashkëndiejmë vlerat antropologjike, ekologjike, bamirëse si dhe të çdo gjëje që kontribuon në mbarëvajtjen, paqen dhe harmoninë në mbarë njerëzimin.

Pikërisht për këtë arsye, dialogu ndërfetar është tregues i besnikërisë që kanë besimet e ndryshme fetare ndaj thelbit të besimit të tyre.

Në kohën tonë, është vendimtare të bëjmë një përpjekje të deshifrojmë simbolet e shenjta të feve të tjera dhe, me dashamirësi, të studiojmë mesazhin e tyre kryesor. Fetë si sisteme, sigurisht përmbajnë elemente pozitive dhe negative. Duke iu afruar dhe konsideruar sistemet fetare konkrete, ne duhet të evitojmë entuziazmin negativ ose kritikën përbuzëse. Ne rrezikojmë të përdorim njohuritë tona rreth njërës për të përgjithësuar pikëpamjet tona për sa i përket të tjerave.

Zhvillimi i dialogut dhe tolerancës fetare nuk imponon marrëveshje të përbashkëta, por respektimin e lirisë fetare dhe të së drejtës së çdo njeriu të zgjedhë vizionin dhe rrugën që ai bindet të ndjekë në afrimin e tij me Hyjninë.

Në të kundërt, injorimi i domosdoshmërisë të zhvillimit të tolerancës, dialogut dhe të komunikimit ndërfetar, do të thotë një stimulim i bombave të terroristëve dhe të raketave të të fuqishmëve. Pasojat e këtij “dialogu” i kemi ndjerë në mënyrë të dhimbshme në zhvillimet e fundit në rajone të ndryshme të botës.

Terrorizmi nuk ka fe. Terrorizmi nuk ka sistem vlerash ku të mbështetet. Terrorizmi nuk ka atdhe, – thotë shkrimtari ynë Ismail Kadare.

Fetë janë një faktor i rëndësishëm në jetën e një vendi, në zhvillimet historike, politike, sociale, kulturore madje dhe ekonomike të tij.

Megjithëse fetë kanë, sigurisht, një mesazh paqeje në thelbin e tyre dhe në trashëgiminë e tyre kulturore, pavarësisht nga kjo, ato janë shfrytëzuar për të shkaktuar luftëra. Ky shfrytëzim është futur në fuqi nga udhëheqësit politikë dhe ushtarakë, por ka qenë gjithashtu e mundur falë dobësisë së udhëheqësve fetarë, të cilët nuk kanë pasur fuqi të mjaftueshme për të kundërshtuar ideologjitë mbizotëruese dhe për t’i shndërruar përmbajtjet e besimeve të tyre në kulturë të shoqërisë civile.

Analiza e kësaj teme na tregon se historia nuk ka vetëm gjëra të bukura, por dhe situata gërryese. Sido të jetë, brenda turpërisë së historisë zhvillohet e mira.

Historikisht shumë konflikte dhe luftëra janë servirur të mbuluara me petkun e fesë, duke fshehur interesat e ndryshme politike dhe fitimprurëse. Duhet qartësisht të theksohet këtu që çdo luftë e bërë në emër të fesë është një fyerje, madje një krim kundër vetë fesë.

Për rrjedhojë, përgatitja e duhur e feve të njerëzimit për zbutjen dhe kapërcimin e fenomeneve të sëmura të fanatizmit dhe të zemërngushtësisë fetare është kultivimi i frymës së tolerancës dhe të dialogut paqësor, i cili zvogëlon largësitë, krijon predispozitat për respekt reciprok dhe për bashkekzistencë paqësore ndërmjet popujve. Bashkekzistencën paqësore na e imponon edhe fryma ekumenike, e cila për të krishterët përbën esencën e dashurisë evangjelistike, e cila vazhdon të zhvillohet me gjithë vështirësitë që ekzistojnë sot. Kjo është një botë në të cilën duhet të marrin pjesë shoqëritë e të gjithë popujve dhe të të gjitha feve.

Në qoftë se kulturat dhe fetë e botës takohen kështu me njëra-tjetrën, në mënyrë që të mos duan tashmë të bashkohen në shërbimin e ndonjë modeli të qëllimtë dhe të bëhen vegla të tij, por të jetojnë në mirëkuptim reciprok dhe bashkëpunim, vetëm atëherë, mbase, do të mund të ofrojnë shumë në kërkesën e qëndrueshme për paqe dhe zhvillim.

Dialogu mes qytetërimeve të ndryshme i jep mundësi popujve që të arrijnë fuqinë kultivuese shpirtërore të feve dhe traditave të tyre kulturore, duke krijuar një bazë për shtytje dhe arritje të bashkëjetesës së popujve brenda një klime lirie dhe paqeje, ku përplasjet dhe mosmarrëveshjet do të shfaqen dhe do të ngrihen kaq dukshëm dhe sinqerisht, ku kurrë më të mos udhëzojnë në antagonizma dhe luftëra ushtarake dhe ekonomike.

Dhurata e tolerancës apo e lirisë fetare është e lindur dhe përbën elementin themelor të të drejtave të njeriut dhe të ndërgjegjes së çdo njeriu. Njeriu pa detyrim dhe pa trysni të jashtme mund të besojë dhe të shprehë përmbajtjen e besimit të tij.

Toleranca fetare mund të vihet re shumë lehtësisht këtu në Shqipëri. Toleranca në besim është një vlerë që ne e ruajtëm gjatë shekujve, duke u qëndruar sulmeve të shumta përçarëse.

Shqiptarët erdhën ndër shekuj si popull plurikonfesional, ku feja e mëparshme qëndronte në një kohë që një fe tjetër e re hynte, dhe kështu deri në ditët e sotme. Shqiptarët kanë ruajtur një traditë të bukur urimi të festave të besimtarëve të përkatësisë tjetër fetare. Kështu të krishterët bëjnë vizita për t’i uruar Bajramin myslimanëve dhe anasjelltas, myslimanët i urojnë të krishterëve Pashkën, Krishtlindjet etj. Shumë domethënëse, kur kjo bëhej fshehtas nën terrorin e shpatës së egër të diktaturës komuniste.

Duke vazhduar me regjimin komunist, ju sjell një ndodhi nga burgjet famëkeqe të asaj kohe.

Në burgun e Tiranës ku ishte futur ajka e shoqërisë, ndodheshin gjithashtu dy figura të hierarkisë fetare: Episkop Irine Banushi dhe Haxhi Hafiz Ibrahim Dalliu, të dy veshur me rrobat e tyre fetare.

Persekutori i vendosur nga “pushteti popullor” duke dashur të tallej me klerikët, e heq kalimafin nga koka e episkopit dhe e vendos në kokën e Hoxhës, në të njëjtën kohë e merr taxhin e hoxhës dhe e vendos atë në kokën e episkopit. Duke qeshur me ironi u thotë:

Persekutori – o prift, si ndjehesh me çallmë në kokë?

Episkopi – Ndihem krenar që mbaj në kokë këtë veshje të Zotit.

Persekutori – Po ti o hoxhë me këtë kapele të priftit?

Hafizi- Nuk e di a i takon ky nder kokës sime për të mbajtur këtë kalimaf të shenjtë.

Përgjigje prej njerëzish të mençur, që u kuptuan nga të gjithë, por besoj jo nga persekutori mjeran.

Nga moria e shembujve që sjell bashkëjetesa dhe komunikimi ndërfetar në Shqipëri mjaftojnë këto dy shembuj, për të nxjerrë në pah se kjo vlerë e çmuar e popullit shqiptar është treguar me vepra dhe sakrifica, më së pari nga prijësit fetarë, si dhe e përkrahur dhe e përjetuar nga populli besimtar.

Toleranca ndërfetare nuk është e dhënë një herë e përgjithmonë, por është si një lule e brishtë që kërkon përkujdesje dhe dashuri që të mos vyshket, duke e vaditur me komunikim dhe mirëkuptim të sinqertë.

Në vendin tonë duket qartë se nuk është thjeshtë një bashkëjetesë e shtrënguar, por më tepër se kaq. Është një respektim i besimit të njëri-tjetrit me vetëdije të plotë. Kjo traditë e hershme shqiptare është sot në harmoni të plotë me standardet demokratike perëndimore të lirisë së besimit të gjithkujt e të respektit ndaj besimit të tjetrit, veçanërisht e spikatur në një demokraci të avancuar, multietnike e plurikonfesionale.

Në kohën tonë, kur kërkesa për paqe dhe bashkekzistencë në botë, liri dhe drejtësi është e imponuar, është e rëndësishme që fetë të gjenden në një komunikim mbarëbotëror ndërmjet tyre dhe të këmbejnë mendime së bashku për rryma të ndryshme të mendimit të të gjithë botës. Komunikimi do të na japë më shumë dije dhe mirëkuptim dhe do të na bëjë të hapim më shumë zemrat tona.

*Akademia Teologjike Orthodhokse, Shën Vlash, Durrës

Share: