Sot më datë 10 prill 2016, në ambientet e Universitetit të Tel Avivit u nënshkrua marrëveshja e Bashkëpunimit mes Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Universitetit Shtetëror të Tel Avivit.
Marrëveshja 5 vjeçare përfshin bashkëpunimin në fushën e shkëmbimeve të studentëve dhe pedagogëve, në kryerjen e diplomave master dhe doktoraturë si dhe programe të përbashkëta kërkimore – shkencore.
Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i Universitetit Politeknik, Prof. Jorgo Kaçani dhe Zv. Rektori i Universitetit të Tel Avivit, Prof Raanan Rein.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë pedagogë dhe stafi akademik i universitetit. Gjithashtu ishte i pranishëm Drejtori për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme, Dan Oryan, i cili në fjalën e tij nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Izraelit në fushën e shkëmbimeve universitare dhe akademike.
Me këtë rast përshëndeti Ambasadori Bardhyl Canaj duke evidentuar dimensionin që po merr bashkëpunimi dypalësh, në kuadrin e 25 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, i cili po shtrihet edhe në fushën universitare.