Home KRYESORE Minat dhe municionet bilanci tragjik i jetëve

Minat dhe municionet bilanci tragjik i jetëve

Nga Azem Parllaku

Minat dhe municionet bilanci tragjik i jetëve njerëzore Strategjia e mbrojtjes së vendit pëllëmbë për pëllëmbë, duke thirrur nën armë pjesën më të madhe të popullit, bëri që, në të shkuarën jo të largët në Shqipëri të kishte: 194 mijë ton municionesh konvencionale, mbi 16 mijë gryka zjarri të artilerisë, dhe rreth 600 mijë armë të lehta dhe të vogla.

Ky arsenal luftarak ka qenë i përhapur në 182 rajone, nga veriu në jug, e nga lindja në perëndim të vendit, i sistemuar në 955 depo të armëve dhe municioneve. Municionet në dispozicion të strukturave militare të Shqipërisë, ishin prodhim rus i viteve 1945-1960, prodhim kinez i viteve 1961-1975, dhe prodhim shqiptar i viteve 1967-1993. Deri në Mars të vitit 2008, si rezultat i reformimit të vazhdueshëm të Forcave të Armatosura, u bë i mundur reduktimi i rajoneve të përqëndrimit të municioneve, në 44 të tilla, me rreth 390 depo, ku pjesa dërrmuese e tyre ishin depo mbitokësore.

Mosha relativisht e vjetër e municioneve, duke mbajtur parasysh që, vendet anëtare të NATO-s, përdorin municione për një periudhë deri 25-vjecare, evidentoi dukshëm rrezikshmërinë që paraqiste “ansambli” i municioneve që, eventualisht mund të përdoreshin për mbrojtjen e vendit, si rrjedhojë e ndonjë konflikti të armatosur. Në bazë të një kalkulimi të shifrave, duke përfshirë edhe minimin e zonës kufitare me Kosovën nga ushtria serbe përgjatë viteve 1998-1999, i binte që, cdo shqiptar të prekte vdekjen të paktën 5 herë.

Lëvizjet demografike të popullësisë bënë që, banesat t’iu afrohen depove të municioneve, duke shkelur rregullat e distancave të sigurisë dhe duke rritur rrezikun, problem shqetësues i cili nuk është marrë asnjëherë në konsideratë. Edhe sot, nëse i hidhet një sy rajoneve të dislokimit të grupdepove të armatim-municioneve rezulton që, ato të jenë shumë afër me banesat e qytetarëve, e në ndonjë rast edhe me ndonjë shkollë.

Ndërkohë, një problem tjetër shqetësues mbeti ai, i tejkalimit të kapaciteteve të magazinimit të municioneve, gjatë përqëndrimit të depove, gjë e cila coi në shkeljen e standarteve të sigurisë, duke mbetur kështu kërcënim permanent. Ndërkaq, mungesa e fondeve për investimin dhe certifikimin e depove të municioneve, largimi nga shërbimi ushtarak i personelit të specializuar të armatim-municionit, si rezultat i zbatimit strikt të ligjit “Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura”, qasën shqetësimet shtesë, për menaxhimin e municioneve, armatimeve dhe elementëve të tyre.

Ekspertëve të fushës në fjalë u është kërkuar, vazhdimisht të mendojnë në lidhje me problematikat, mirëpo ritmi i ngadaltë i procesit të demilitarizimit, për efekt të specifikave teknike të operacioneve të tilla, mungesës dhe motivimit të personelit të personelit, mospatjes të poligoneve të licensuara që, kërkon kjo sipërmarrje, të shtyn të mendosh që, ky proces të përfundojë diku nga viti 2020, po të mbahen parasysh ritmet e deritanishme. Ngjitur me qytetin e Elbasanit para ca ditësh Ministria e Mbrojtjes njoftonte se:

“Komanda Mbështetëse deklaroi përfundimin me sukses të reduktimit, pastrimit dhe certifikimit të grupdepove. Përgatitja dhe transporti i 272 ton materialeve u bë nga batalioni i armatim-municioneve dhe ai i transportit, ndërkohë që efektivët e kompanisë EOD dhe ekipi i AMMCO-së realizuan me sukses kontrollin, pastrimin dhe certifikimin sipas standardeve, duke pastruar një zonë me sipërfaqe të shfrytëzueshme prej 121,000 metra katrorë si dhe 7592 metra katrorë sipërfaqe objektesh që i vijnë në ndihmë ekonomisë së zonës”.

Vetëm 8 vjet pas tragjedisë në Gërdec, u bë e mundur pastrimi i mbi 386 mijë metra katrorë sipërfaqe të fshatrave Gërdec, Marqinet 1 dhe 2 dhe Vorës. E gjithë kjo sipërfaqe i është dorëzuar e pastruar pushtetit vendor nga ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, 8 vjet pas tragjedisë, ku humbën jetën 26 njerëz dhe mbi 300 të tjerë mbetën të plagosur.

Ministria e Mbrojtjes, e mbështetur pa rezerva nga aleatët e partnerët ndërkombëtarë, ka ndërmarrë një sërë nismash operacionale ku fatkeqësisht ka patur dhe të gjymtuar nën uniformë, duke reduktuar maksimalisht depot e magazinimit të municionit, duke shkatërruar një sasi të konsiderueshme të rezervave të municionit, si dhe duke pastruar “hot-spotet” ekzistuese me municione të fshehura dhe të paplasura.

Në gjithë këtë përpjekje për shndërrimin e Shqipërisë në një vend sa më të sigurtë, Shqipëria është ndihmuar maksimalisht nga një numër i konsiderueshëm shtetesh aleate e partnere dhe shumë organizata ndërkombëtare. Falë ndihmës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Danimarkës, Suedisë e Kosovës, që me fonde e personel kanë asistuar në projektet e pastrimit, shpresohet që në të ardhmen ecim mbi një tokë më të sigurtë.

Demontimi industrial i municioneve në ish-uzinat ushtarake në Mjekës, Polican e Gramsh, mbështetja e donatorëve për demontimin e tyre po në rrugë industriale, si dhe asgjesimi logjistik me ekspertë ushtarakë, mbeten mënyrat më të preferuara dhe të sigurta. Bilanci tragjik i jetëve njerëzore Loja e vdekjes nga municionet ka filluar në vitin 1997, kur si rezultat i sulmit të popullësisë mbi objektet ushtarake, u grabitën nga depot rreth 18 mijë ton municione të kalibrave të ndryshëm, ndërkohë që, në depot e eksploduara u shkatërruan 6 mijë ton municione.

Rreziku ishte kërcënues e për rrjedhojë 15 rajone me një sipërfaqe 175 hektarësh, u shpallën zona të infektuara nga municionet e paplasura. Fillimisht si rezultat i shpërthimeve në depot e municioneve pati 56 të vdekur dhe 60 të plagosur. Këtyre shifrave të frikshme i’u shtuan ato të Gërdecit, Voskopojës, Dhëmblanit, ato të të gjymtuarve nga minat në kufirin Shqipëri-Kosovë. Kjo lojë tragjedish ka prekur fise, lagje, fshatra, e qytete në veri dhe jug të vendit. Ura e Gjadrit, Lezha, Rrësheni, Peshkopia, Laci, Suci, Selica, Klosi, Gjeroveni, Palikeshti, Mbreshtani, Tepelena, Picari, Piluri, Kordheci, Saranda, Gërdeci, Tropoja, Hasi, e Kukësi, fatkeqësisht dëshmojnë ankthet e të jetuarit në zonën “hot-spot”.

Jonuz Kola, i cili është Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës Shqiptare për Asistencë Integrim dhe Zhvillim (ALB-AID), nëpërmjet një studimi të përmbledhur, ka evidentuar viktimat e minave dhe municioneve në Shqipëri. Studimi në fjalë është një vështrim i gjendjes dhe nevojave të personave të aksidentuar nga minat dhe municionet ushtarake nga viti 1998 deri në ditët e sotme.

Studimi është realizuar në të gjithë qarqet e Shqipërisë, nga ku mësohet se: sipas Zyrës Shqiptare të Koordinimit për Minat dhe Municionet (AMMCO), gjatë periudhës 1996-2016 në Shqipëri janë shënuar 991 incidente me mina dhe municione nga të cilët 272 viktima në qarkun Kukës, 34 me pasojë vdekjen, teksa 719 viktimat e tjera në qarqet e tjera të Shqipërisë, nga të cilët 116 me pasojë vdekjen, janë shkaktuar nga municionet në dispozicion të strukturave ushtarake të Shqipërisë.

Studimi i cili duhet të jetë pjesë e referencave për institucionet e sigurisë pasqyron në mënyrë kronologjike aspektet historike, numrin e të lënduarve, llojet e aksidenteve dhe zonat kryesore të prekura. Rezultatet e kërkimit shkencor evidentuan disa të dhëna interesante që duhen konsideruar seriozisht nga institucionet përgjegjëse. Të dhënat shprehin që nevojat mjeksore, psikologjike, social-ekonomike të të lënduarve, kërkojnë mbështetje të vazhdueshme.

Të aksidentuarit nga municionet, janë të shpërndarë kryesisht në zonat dhe fshatrat më të varfra të vendit, teksa përfshijnë të gjithë grupmoshat. Shërbimet shëndetësore që, marrin të mbijetuarit momentalisht janë të paplota, e kanë kosto të lartë krahasuar me gjendjen ekonomike, që ata kanë. Ata nuk kanë mundësi të mbulojnë shpenzimet për pajisjen me proteza, kurimin apo kontrollin e herëpashershëm mjekësor, mbasi pjesa më e madhe e tyre jetojnë me ndihmë ekonomike.

Nevojat për shërbime shëndetësore, janë të domosdoshme për një kohë të gjatë për të aksidentuarit nga municionet, pasi aksidentet u kanë shkaktuar trauma të rënda. Nismat qeveritare dhe joqeveritare, për aftësimin e të aksidentuarve përmes kurseve të formimit profesional, për të qenë të aftë në tregun lokal të punës, nxitja e projekteve të fuqizimit të ekonomive shtëpiake etj, janë domosdoshmërisht të nevojshme për këtë kategori të gjymtuarish.

Share: