Home KRYESORE Mynyr Koni: Kam kaluar ditë të vështira

Mynyr Koni: Kam kaluar ditë të vështira

Kandidati për Rektor në Universitetin e Tiranës, Mynyr Koni, i cili dyshohet se është kërcënuar nga Emiljano Shullazi, ka reaguar me një postim në Facebook, duke hedhur dritë mbi ngjarjen.

Ai ka thënë se ka qenë vazhdimisht nën presion për tu tërhequr nga gara, por falë mbështetjes së kolegëve ai është ende në garë.

Koni gjithashtu është shprehur se së bashku me familjen e tij kanë përjetuar momente të vështira, por nuk ka dhënë detaje të tjera, pasi thotë se me këtë ngjarje janë duke u marrë organet kompetente.

Deklarata e plotë e Mynyr Konit:

Mesazh përmbyllës

“Të nderuar kolegë! Ka qënë një nder dhe mbi të gjitha kënaqësi e madhe për mua të prezantoj para jush kandidaturën time për të drejtuar në postin e Rektorit universitetin më të madh në vend, Universitetin e Tiranës. Në letrën e drejtuar ndaj jush përpara tre javëve, jam munduar të shpreh rëndësinë që ka procesi zgjedhor jo vetëm për ata që janë në garë por për Universitetin e Tiranës si institucion dhe mesazhin që ai i transmeton shoqërisë në tërësi. Kam nënvizuar faktin që “zgjedhjet janë të universitetit për universitetin”, si dhe faktin që përfshirja e aktorëve të jashtëm e dëmtojnë këtë proces dhe rrjedhimisht edhe vetë Universitetin e Tiranës. Sot kisha programuar që të ndaja me ju takimet e ndryshme të zhvilluara javën e fundit të fushatës por fatkeqësisht, siç ju tashmë jeni në dijeni, ngjarjet e javës së kaluar më detyrojnë që të kem një formë tjetër komunikimi me ju. Unë kam qënë nën presion që të tërhiqem nga gara por falë mbështetjes së kolegëve, miqve dhe strukturave shtetërore, vazhdoj të jem në garë. Detaje nga kjo ngjarje janë jo produktive nëse do i ndaja me ju, për më tepër kur organet kompetente janë duke vepruar. Por një gjë duhet ta ndaj me ju: Kam qënë totalisht i papërgatitur që një ngjarje e tillë do të ndodhte në Universitetin e Tiranës dhe që unë bashkë me familjen time do të kalonim ditë të vështira thjesht sepse unë besoj që bashkë me ju UT-në mund ta zhvillojmë më shumë në mënyrë që studentët, pedagogët dhe shoqëria shqiptare të marrë maksimumin nga ky institucion. Gjatë javëve të fundit jam munduar që të zhvilloj një fushatë dinjitoze duke bashkëbiseduar me kolegë për të përmirësuar dhe pasuruar platformën e paraqitur në fillim të kësaj fushate. Asnjëherë nuk kam vepruar kundër procesit zgjedhor dhe interesave të këtij institucioni kaq të rëndësishëm për shoqërinë. Tentativat për prishjen e procesit zgjedhor apo hedhjen baltë mbi të, bëhen vetëm nga individë të verbuar nga epshet e tyre të pakuptueshme. Pedagogët dhe studentët janë nga njerëzit më të lirë që ka shoqëria shqiptare dhe jam i bindur që gjithmonë ata vendosin bazuar në logjikën dhe dëshirën e tyre dhe kurrsesi jo në sajë të presioneve apo provokimeve që mund t’i bëhen. Nuk ka ofendim më të madh që na bëhet të gjithëve kur dikush i përshkruan pedagogët si qënie pa dinjetit të cilët votojnë dhe jetojnë nën presion. UT duhet të jetë një garanci solide suksesi në të ardhmen duke kontribuar pareshtur në një arsim cilësor që do të reflektohet në formimin e brezave të denjë të specialistëve më të mirë në vend. Besoj fort se tani më shumë se kurrë kam mundësi të sjell risi në këtë universitet. Vizioni dhe plani im për UT-në është i qartë dhe vij me shumë vullnet për ta implementuar atë me sukses. Miqtë e mi, dëshira ime është që Universiteti i Tiranës të jetë vend i sigurt për një të ardhme të ndritshme akademike dhe profesionale, universiteti që është zëri juaj, mundëson mbështetje reale ndaj problemeve tuaja. Me përulje para jush ju kërkoj të më jepni mundësinë të punoj në postin e Rektorit të këtij universiteti. I uroj suksese të gjithë kandidatëve të përfshirë në këto zgjedhje në poste të ndryshme drejtuese brenda UT-së. Të nderuar kolegë, tashmë më shumë se kurrë duhet të bëhemi bashkë që mbyllja e këtij procesi të jetë dinjitoze, në lartësinë e duhur të institucionit ku ne të gjithë punojmë, për të treguar sëbashku vlerat reale që ka Universiteti i Tiranës, modelin dhe mesazhin që bota akademike duhet t’i japë shoqërisë në tërësi! Edhe një herë gjej rastin për t’ju falenderuar për mbështetjen tuaj dhe besimin që më keni dhënë gjatë gjithë këtij procesi! Miqësisht, Prof. Dr. Mynyr Koni.”

Share: