Home KRYESORE Një histori mbi lumenjtë e Thethit dhe Valbonës

Një histori mbi lumenjtë e Thethit dhe Valbonës

Nga Flutura Acka

“Alpini” komunar… i hidrocentraleve kumbar Një histori mbi lumenjtë e Thethit dhe Valbonës

Në verën e vitit 2011 bashkë me një grup të gjerë miqsh të huaj e shqiptarë të mitë, kaluam disa ditë të mrekullueshme në Theth, madje kapërcyem edhe qafën e Valbonës, duke e përshkruar gjithçka në këmbë. Ka qenë një nga udhëtimet më të bukura të miat si shqiptare, si njeri i dashuriuar me malin dhe si një ecanake fanatike.

Sa për të huajt, më mjafton të them se pas dy vjetësh u desh të organizoja për ta të njëjtën gjë në Vermosh e Lepushë, e madje këtë vit më kërkojnë të bëjmë Korabin. Por ato ditë, aty në fshat dhe rrugës për në Ndërlysë, dëgjova se dikush po planifikonte (me dorëzanë qeverinë) të ndërtonte disa hisdrocentrale të vogla. Të huaj u tronditën! Si është e mundur?! Kush mendje perverse mund t’ia shkatërrojë Shqipërisë këtë perlë botërore, veç barbarëve.

E shqetësuar, u përpoqa të mësoja se kush ishin komunarët e zonës, pasi besoj se ata kanë shumë në dorë në këtë gjë. Por atë vit paskësh qëlluar që ishin bërë zgjedhjet dhe komunarët na paskeshin ndërruar. Kështu që mësova se kishte fituar një djalë i ri, i cili sapo kishte ardhur nga Anglia (emrin e tij, më ndjeni, nuk e sjell dot në mend, madje edhe portretin ia mbaj mend pak). U lumturova shumë, po vërtet shumë, pasi një djalë i ri që linte Anglinë, duhet të kishte parë andej ca gjëra, aq sa të mbroje Thethin nga barbaria e betonit dhe e shkatërrimit energjitik.

Më në fund, me ca bashkëfshatarë të tij që i kam zënë miq nga udhëtimet e shpeshta andej, munda të lë me të një takim te “Tradita” në Shkodër. Më priti shumë mirë, dhe ishte, për të qenë e vërtetë, një djalë me dukje përkushtimi. Ndërsa i flisja për problemin që më shqetësonte, se si të mbrohej Thethi, se si Thethi e Valbona do të vdisnin po t’ua futësh ujin nëpër këto prezervativë hekuri, se ne kishin vetëm këto bukuri të virgjëra, sepse gjithçka tjetër e kishin shkatërruar dhe se isha e gatshme (me ndihmën e tij) të mblidhje me qindra e me mijëra firma që këto projekte ende në letër, të mos zbatoheshin kurrë.

Gjatë kohës që flisja, djaloshi ynë ishte shumë i axhituar, telefonata i vinin shpesh dhe e ndieva që më dëjgoi thjesht se ishte “alpin” dhe e ka një fije respekt për atë që ka përballë. Kur mbarova fjalën prita të thoshte ndonjë gjë: asnjë fjalë. Asnjë fjalë të vetme. Më dha dorën me gëzim që ishim njohur, më tha se do të më telefononte, dhe “çau ferrën”. Dhe nuk e pashë më kurrë, dhe as nuk kishte përse, unë flisja për gjëra të përjetshme, ai kishte nevoja katërvjeçare, ose tetëvjeçare, nëse është ende komunar atje!

E kujtova këtë histori sot, si një thirrje se po u prek Thethi, Valbona dhe Vermoshi, kësaj Shqipërie nuk i mbet më gjë.

flutura ackaBarbarë, hiqni duart nga bukuria e përjetshme! Ju jeni të përkohshëm! Edhe paratë që do të fitoni, janë të përkohshme! Mos i prekni të vetmet që na kanë mbatur pa beton dhe dhunën tuaj të padurueshme “antinatyrë”!

Shënim: Fjalën “alpin” e kam të huazuar dhe e kam përdorur pa të keq, pasi jam vetë, krenarisht, alpine.

Share: