Home KRYESORE Pak paqe për veten tonë

Pak paqe për veten tonë

Refleksion nga Kliton Nesturi

Sapo lë hapësirën shqiptare dhe e sheh veten në një tokë tjetër, vetvetiu ndjen se brenda teje është ulur paqja. Vështrimi të ndesh hapësira, rregull, simetri, njerëz që lëvizin thjesht dhe paqësisht, pa dashur të tregojnë se kush dhe çfarë janë. Atëherë, ti, shqiptari i vjetër i kontinnetit të vjetër, sheh se ndodhesh në po të njëjtën hapësirë kontinentale, në të njëjtin planet, por me norma të ndryshme emancipimi dhe zhvillimi shoqëror nga ty.

Atëherë të vjen keq për veten, se pavarësisht dëshirës për ndryshim, hapësira ku ti jeton, e që ne e quajmë atdhe, është dhe vazhdon të mbetet e dominuar nga zhurma, dhuna, kaosi, tendenca për t’u dukur dhe realisht për të mos bërë asgjë konkrete. Të vjen keq për vete dhe fajëson herë veten se përse qëllove aty, apo pse nuk ike më herët, e here të tjerët që nuk kanë bërë asgjë për të ndryshuar shkallën e emancipimit dhe vetdijësimit. Në dy dekada e gjysmë vëren se brenda jetës njerëzore shumë pak gjëra kanë ndryshuar: kanë ndryshuar orenditë nëpr shtëpi, janë shtraur dhe zgjeruar rrugë, janë ndërtuar kula shumëkatëshe, por që në njëfarë mënyre kanë prishur planet urbanistike dhe arkitekturore të qyteteve, janë hapur shumë qëndra tregtare, bare, firma tregëtare, por në krahasim shumë pak prej tyre prodhojnë realisht, është shtuar numri i televizioneve, spektakleve dhe telenovelave, etj, ashtu siç për numër popullësia kemi numrin më të madh të universiteteve dhe institucioneve arsimore, por megjithatë emancipimi ka ecur shumë pak.

Shprehjen se “në kapitalizëm, njeriu për njeriun është ujk!”, shqiptarët e kanë marrë të mirëqenë edhe në aspektin social. Në Shqipëri përgjithësisht prona nuk ka vajtur tek i zoti dhe makutëra së bashku me agresivitetin ka marrë një përmasë të jashtëzakonshme. Ajo që dominon më së shumti në jetën shqiptare është dhuna; dhuna verbale, dhuna gri që reflektohet nga media, dhuna fizike në jetën e përditshme, ku gjithësekush ndihet nën presionin e të fortëve dhe të të pushteshmëve. Çdo ditë dëgjon për grabitje, vrasja dhe plagosje, për piromanë dhe të vetvarur.

Është e lehtë të fajësojmë politikanët për gjendjen e krijuar. Por më shumë se sa ata, fajin e ka vet shoqëria shqiptare, e cila deri tani ka rënë pre e mediokriteti, tulatjes, tkurrjes. Klasa intelektuale lëshoi terren ndaj të babëziturve, mentalitetit provincial çka bëri që dhuna të shtrohet rëndshëm, duke bërë që këta të fundit të uzurponin çdo qelizë dhe të frenonin ritmin e zhvillimit, aq sa sot me keqardhje vërehet se ecja e shoqërisë shqiptare i ka përngjarë ecjes së gaforres. Në një mënyrë a në një tjetër, kjo përplasje bëri që klasa e vërtetë intelektuale të kalojë në një gjendje kome, prej të cilës ende nuk po zgjohet ashtu siç duhet. Në këtë periudhë, e cila përgjithësisht ka ecur sipas ritmit të muzikës tallava, vërehet se jeta shqiptare është çorientuar në themel. Arsyeja; mungon paqja. Paqja që do të sillte ekuilibër dhe vështrim më të qartë në ecjen përpara si njerëz të emancipuar. Prej kohësh shqiptarët e kanë dëshmuar veten si njerëz të terezishëm, ku e nesërmja gjithnjë pret. Edhe sot shqiptarët mendojnë se do të jetojnë dyqind vjet, duke i lejuar vetes të mendojnë dhe të bëjnë gjithçka, duke përfshirë brenda jetës së tyre të gjitha fazat e zhvillimit historik, ku dominon periudha e gurit, e shpatës dhe e vëllavrasjes. Kaq e vështirë është paqja për t’u ndërtuar ndërmjet shqiptarëve?

Në mbyllje të dekadës së dytë të shekullit XIX, shohim që jemi ende larg ndërtimit të një shoqërie moderne. Harrojmë se koha shkon dhe se jeta e gjithsekujt vdes, duke lënë pas vetëm gjurmët dhe pluhurin.

Share: