Home KRYESORE Republika Gjyqësore

Republika Gjyqësore

Nga Florjan Kalaja

Pas Luftës së Dytë Botërore shteti i së drejtës u bë modeli dhe ideali i demokracive liberale. Klisheja e shtetit ligjor, që në emër të ligjeve degradoi deri në diktaturë, u la pas dhe mbretëritë apo republikat moderne, energjitë shtetformuese i investuan në drejtësinë e shtetit.Ius prevaloi ndaj legge në këtë etapë moderne të zhvillimit të shtetit.

Deri në formësimin e teorisë së ndarjes së pushteteve nga filozofët iluministë, përfaqësuesi klasik i pushtetit ekzekutiv, mbreti, kishte arritur të mblidhte në mënyrë të padiskutueshme në duart e tij të tria pushtetet; pushtetin ekzekutiv që i takonte natyrisht, pushtetin legjislativ dhe pushtetin gjyqësor. Në fakt, që nga Magna Carta e shekullit të trembëdhjetë, e deri pas Revolucionit Francez, organi më përfaqësues i pushtetit legjislativ nuk ka reshtur së kërkuari emancipimin nga kjo danë e njëdorshme e pushteteve të përqendruara.

Në të vërtetë, absolutizmi është kulmi i provuar i emancipimit të pushtetit ekzekutiv.

Ndodhi që emancipimi i organit më përfaqësues i pushtetit legjislativ, parlamentit, u arrit nëpërmjet aplikimit të regjimit të demokracisë liberale. Emancipimi shkoi deri aty sa juridikisht u krijua mekanizmi i kontratave sociale, për t’i marrë popullit sovranitetin nëpërmjet zgjedhjeve të përgjithshme, e më pas për të krijuar nga organi përfaqësues demokratik pushtetin ekzekutiv dhe më tej edhe pushtetin gjyqësor.

Gjatë kësaj historie, mbreti në mbretëritë kushtetuese, apo figura moderne e tij, presidenti në republikat kushtetuese, u bë personi zyrtar honorifik apo, sipas modelit të qeverisjes, kreu vetëm i pushtetit ekzekutiv. Sa vinte dhe u konsolidua supremacia e pushtetit legjislativ dhe organit më përfaqësues të tij, parlamentit. Ndërkohë, edhe pse formalisht i pavarur, pushteti gjyqësor mbeti pushteti i tretë dhe i fundit për nga emancipimi.

Shteti ligjor përfaqëson në vetvete kulmin e emancipimit të pushtetit legjislativ.

Konstitucionalizimi i të drejtave të njeriut, juridiksionalizimi i së drejtës pozitive, drejtësia kushtetuese, krijimi i gjykatave ndër dhe mbikombëtare dhe teoria moderne e shkencave politike dhe juridike e shtetit të së drejtës do të bënte që në gjysmën e dytë të shekullit të njëzet shteti të shteronte te pushteti gjyqësor. Pas gjykatave, shteti mbaronte dhe gjykatat kishin monopolin e padiskutueshëm nga pushtetet e tjera për të detyruar pushtetin ekzekutiv të veprojë dhe për të interpretuar në mënyrë të pavarur të drejtën pozitive që prodhonte pushteti legjislativ.

Shteti i së drejtës i njohu të drejtën kujtdo qytetari të sfidojë ligjshmërinë, kushtetutshmërinë dhe përputhjen me të drejtën ndërkombëtare të çdo akti të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ para gjykatave të pushtetit gjyqësor, gjykatave kushtetuese dhe, nëse këto nuk mjaftonin, para gjykatave ndër dhe mbikombëtare. Shteti i së drejtës vendosi që vendimet e gjykatave nuk polemizohen por vetëm zbatohen dhe se ato janë të formës së prerë. Shteti i së drejtës në këtë mënyrë e përmbylli veprimtarinë shtetërore me vendimet e gjykatave dhe në këtë mënyrë krijoi paralelisht me rendin juridik të prodhuar formalisht nga pushteti legjislativ dhe pushteti ekzekutiv, rendin juridik të së drejtës gjyqësore.

Autoritetit më të lartë të pushtetit gjyqësor iu njoh e drejta që funksionin e ligjbërjes ta realizonte nëpërmjet vendimeve unifikuese apo precedentëve. Formalisht atyre iu tha që do të kenë vetëm vlerë interpretative të ligjit, por materialisht gjithkush e dinte se ajo janë ligj material në vetvete dhe një mënyrë alternative dhe komplementare se si e drejta pozitive që prodhon ligjvënësi ekziston dhe përditësohet.

Gjykatës Kushtetuese iu njoh autoriteti i ligjvënësit negativ dhe nëpërmjet teorisë së superkonstitucionalitetit procedural apo material edhe e kushtetutbërësit negativ. Ky autoritet gjyqësor jashtë pushtetit gjyqësor shfuqizonte ligjet e prodhuara në kundërshtim me Kushtetutën nga ligjvënësi, së bashku me ekzekutivin dhe njëkohësisht shfuqizonte, kur lejohej, edhe vetë ndryshimet kushtetuese. Njëkohësisht me këto kompetenca supreme kushtetuese, gjykatat kushtetuese bënin edhe interpretimin përfundimtar të kushtetutave. Kjo ngjante të ishte një rreth i mbyllur që shteti i së drejtës i vuri kufirin vetvetes për triumfin e konstitucionalizmit. E drejta tashmë përbënte bazën dhe kufijtë e shtetit.

Më tej u pa se ishte e papërshtatshme, në kohët e triumfit të globalizmit, vetmia rajonale, kontinentale apo interkontinentale. Për këtë arsye u zhvillua e drejta ndërkombëtare nga pushtetet legjislative të shteteve, së bashku me pushtetet ekzekutive. Por vetëm kaq nuk mjaftonte, pasi do të duhej që të kishte edhe një garant të padiskutueshëm dhe të pakontestueshëm për të mbrojtur rendin juridik ndërkombëtar dhe për të zgjidhur konfliktet ndërkombëtare. Për të garantuar këtë, zgjidhja ishte krijimi i gjykatave ndërkombëtare. Këto autoritete gjyqësore ndër dhe mbikombëtare, njëlloj si gjykatat e brendshme kombëtare, përmbyllnin veprimtarinë dhe përditësimin e së drejtës dhe rendit juridik ndërkombëtar, nën vendime të detyrueshme për zbatim nga të gjithë.

Gjykatat ndërkombëtare për krimet e luftës, arbitrazhet ndërkombëtare, gjykata ndërkombëtare, Gjykata e Këshillit të Europës dhe Gjykata e Bashkimit Europian sot përfaqësojnë pushtetin gjyqësor ndër dhe mbikombëtar, nëse mundet të bëjmë një paralelizëm me rendin juridik kombëtar. Bashkë me vendimet e pushtetit gjyqësor kombëtar dhe të gjykatave kushtetuese, vendimet e gjykatave ndërkombëtare po krijojnë një burim të ri të së drejtës dhe po perfeksionojnë rendin juridik kombëtar dhe ndërkombëtar. Tashmë pushteti gjyqësor kombëtar dhe ndërkombëtar është emancipuar aq shumë saqë po bëhet protagonist në zgjidhjen e çështjeve që askush nga pushtetet e tjera nuk i zgjidh dot.

Duket se shteti i së drejtës do të jetë destinacioni i fundëm i zhvillimit të historisë politike dhe juridike të shtetit. E drejta e gjallë apo e drejta gjyqësore po zhvillohet me hapa eklipsues ndaj burimeve të tjera formale të së drejtës. Duket sikur në fakt radhën e historisë për një rol honorifik, pas pushtetit ekzekutiv dhe mbretit, do ta ketë organi më përfaqësues i pushtetit legjislativ, pikërisht parlamenti. Duket sikur në fakt republikat dhe monarkitë më shumë se parlamentare po shkojnë drejt titullimit de facto gjyqësore. Jam i ndërgjegjëshëm se kjo formalisht nuk do të ndodhë kurrë, ashtu sikurse jam i ndërgjegjshëm se në të vërtetë shteti i së drejtës është fund dhe krye një shtet gjyqësor.

Shteti i së drejtës mbetet të jetë kulmi i emancipimit të pushtetit gjyqësor./Mapo.Al

*Gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë

Share: