Një koncert i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore u dha në Kuvajt më 18 prill me një pjesëmarrje të gjerë nga vendasit kuvajtjanë, trupi diplomatik resident në këtë vend dhe komuniteti shqiptar gjithashtu.
Aktiviteti u organizua nga Ambasada shqiptare në Kuvajt, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit me mbështetjen e Këshillit Kombëtar për Kulturën, Artet dhe Letrat të Kuvajtit. Koncerti i titulluar “Shqipëria ime” kishte një repertor të pasur këngësh dhe vallesh nga shumë treva të Shqipërisë si valle të Tiranës, Gorës, Skraparit, Dardhës, Arbëreshe, Came, pjesë orkestrale në klarinetë, nga grupi polifonik, festë të madhe ka sot Shqipëria, etj.
Merrte pjesë edhe Drejtori i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Ilir Kerni. Drejtor artistik i Ansamblit ishte Gerti Druga. Të pranishmit në koncert vlerësuan lart performancën e Ansamblit Kombëtar Shqiptar, dhe organizimin nga ambasada shqiptare.
Është hera e parë në Kuvajt dhe në këtë rajon që organizohet një aktivitet i përmsave të tilla. Gjithashtu Drejtori i TKOB-it Ilir Kerni dhe Ambasadori Kujtim Morina u pritën në takim nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Kombëtar të Kuvajtit për Kulturën, Artet dhe Letrat ku u diskutua mundësia e aktiviteteve të tjera të përbashkëta.