Home KRYESORE Zgjedhjet dhe vota ne Univesitetin publik!

Zgjedhjet dhe vota ne Univesitetin publik!

Nga Arlind Qori

Sot në Universitetin e Tiranës punojnë rreth 750 pedagogë me kohë të plotë dhe studiojnë 40000 studentë. Sipas ligjit të ri të arsimit të lartë, në zgjedhjet universitare pedagogët zotërojnë 90% të votave, kurse studentët 10%.

Mendja ta do se ata që kërkojnë votat për poste drejtuese të mos e çajnë shumë kokën për opinionin studentor, hiq ndonjë qokë të rastit. Gjithë lufta ndizet për votat e arta pedagogjike.

Po çfarë ndodh kur një komunitet kaq i vogël, historikisht i shantazhuar ose i ndarë në tarafe, pa ndonjë histori të lavdishme mëvetësie, vetorganizimi apo rezistence të ketë këtë fuqi ekskluzive ditën e zgjedhjeve? Pavarësisht përjashtimeve të rastit, vota shitet, jo domosdo në kuptimin monetar të fjalës.

Jo më kot gjatë rezistencës dyvjeçare me Lëvizjen Për Universitetin ngulmuam që vota studentore të ishte e barabartë me atë pedagogjike. Jo se studenti është prej natyre më pak i shitshëm se pedagogu, por se 40000 vetë nuk ke me çfarë i blen edhe po të duash.

Mirëpo qeveria dhe mendjendriturit akademikë që i krihnin bishtin në vend që të nxisnin demokratizimin universitar, theksuan bajraktarizmin duke e reduktuar votën studentore nga 20 në 10%, me gjasë për të fashitur rezistencën e pritshme ndaj privatizimit të universiteteve publike dhe rritjes së tarifave studentore.

Ditën e zgjedhjeve unë do të ngulem në kafenenë ndanë fakultetit për të parë e dëshmuar se si dita e këtyre zgjedhjeve s’do t’i lerë gjë mangut zgjedhjeve parlamentare në fshatin më të humbur të Republikës (i thënçin) së Shqipërisë.

Sidoqoftë fshatari që shet votën është viktimë që klith mjerimin e vet, çka s’mund të thuhet për trupën zgjedhore universitare…

Share: