Home KRYESORE Zhgënjen rritja ekonomike, mungojnë 40 milionë euro

Zhgënjen rritja ekonomike, mungojnë 40 milionë euro

Nga Gjergj Erabara

Programi i qeverisë shqiptare për rimëkëmbje ekonomike mori një goditje tjetër sot (11 prill), pasi Instituti i Statistikave deklaroi se vlerësimi paraprak për rritjen ekonomike 2015 rezulton vetëm 2.6 për qind, nga mbi 3 për qind që pati parashikuar qeveria në janar 2015.

Instituti i Statistikave njoftoi sot se Prodhimi i Brendshëm Bruto për tremujorin e katërt të vitit 2015 u rrit me 2.1 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014, i ushqyer nga rritja në sektorin e ndërtimit, (konkretisht hidrocentrali i Devollit) ndërsa sektorë të tjerë të rëndësishëm të ekonomisë patën ecuri të keqe, përfshirë bujqësinë, e cila pësoi rënie neto prej 0.9 për qind.

Prodhimi i Brendshëm Brutoi Shqipërisë është aktualisht 10.3 miliardë euro. Ngadalësimi i ritmit të rritjes nga 3, në 2.6 për qind, siç ndodhi gjatë vitit të kaluar, përbën një diferencë prej 40 milionë eurosh më pak.

Parashikimi doli huq

Qeveria shqiptare i kryen planifikimet e veta në bazë të një dokumenti të titulluar “Kuadri Makroekonomik e Fiskal”. Dokumenti i miratuar në janar 2015, parashikonte rritje ekonomike në masën 3 për qind për këtë vit dhe rritje ekonomike 4 për qind për vitin 2016. (link dokumenti) Por rimëkëmbja ekonomike nuk shkoi siç shpresohet dhe parashikimi i ri i kryer në janar të këtij viti, flet për rritje ekonomike prej 2.6 për qind në vitin 2015 dhe 3.4 për qind në vitin 2016.

ritje e pashëndetshme

Të dhënat e Institutit të Statistikave të publikuara sot tregojnë se rritja ekonomike e vitit të kaluar është shkaktuar para së gjithash nga sektori i ndërtimit, ku zgjedhjet për pushtetin vendor dhe investimet paraelektorale të qeverisë patën një rol kyç, krahas një projekti masiv ndërtimi në jug të vendit i njohur si Hidrocentrali i Devollit.

Zgjedhjet për pushtetin vendor në Shqipëri u zhvilluan në qershor 2015, dhe u paraprinë nga një fushatë ndryshimesh në fasadat e qendrave të qyteteve kryesore të njohura si Rilindja Urbane. Kjo valë shpenzimesh publike solli një rritje të pazakontë dhe të papritur në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Sektorit të Ndërtimit, i cili u rrit me 25 për qind në tremujorin e dytë dhe me 17 për qind në tremujorin e tretë. Sektori i ndërtimit përfitoi gjithashtu edhe nga hidrocentrali i Devollit, një projekt qindramilionësh aktualisht në ndërtim. Për rrjedhojë, rritja ekonomike, aq e paktë sa qe në vitin 2015, konsiderohet e pashëndetshme për shkak se është e bazuar në ngjarje kalimtare

Rënia dramatike e bujqësisë

Sektori i bujqësisë pësoi një rënie prej 0.9 për qind gjatë vitit 2015, rënia e parë e këtij sektori në shumë vite. Sipas INSTAT, bujqësia ka shënuar rënie të vazhdueshme për pesë tremujorë rradhazi dhe në tremujorin e fundit 2015, rënia ka qenë edhe më e lartë.

Shkaku kryesor i rënies së bujqësisë vlerësohet se lidhet me përmbytjet masive që përfshinë disa zona të vendit në fund të vitit 2014 dhe në fillim të vitit 2015, përfshirë dëmet e shkaktuara në Ultësirën Perëndimore nga dalja nga shtrati e lumenjve Vjosë e Seman.

Share: