Home KRYESORE Ne Egjiptianet dhe Romet e Shqiperise

Ne Egjiptianet dhe Romet e Shqiperise

Nga Rivelino Cuno

Quhemi egjiptianë e rrekemi në histori të gjejmë ndërlidhje me ardhjet në rajonin e Ballkanit, mijëra vite më parë nga Egjipti i lashtë. E sigurt është se ne dhe lashtësia kemi shumë më tepër lidhje sesa ne dhe e sotmja e Egjiptit. Megjithatë, mijëra vite në Ballkan, e veçanërisht në Shqipëri na kanë bërë të ndihemi pjesë natyrale e historisë së këtij vendi. Kemi qenë kovaçë, kemi përgatitur gjithmonë armë për luftëtarët e vegla pune për bujqit e punëtorët. Nuk u ndjemë kurrë të huaj në Shqipëri.

Por diçka ka shkuar keq në raportin e kuptueshmërisë sonë si qenie njerëzore të barabarta dhe me dinjitet. Sepse para Zotit dhe ligjit jemi të gjithë, çdo qenie njerëzore, e cilësdo ngjyrë, etni apo racë, të barabartë që ngrohemi nën të njëjtin diell e thithim të njëjtin ajër, e bekohemi nga Krijuesi ynë njëlloj. Na kanë thirrur shpesh si evgjitë, magjypë, etj., etj., dhe të gjitha këto mënyra për të na u adresuar neve kanë qenë kaherë përçmuese, poshtëruese, skualifikuese.

Ndonëse ne kemi qenë bashkudhëtarë me historinë e këtij vendi, me historinë e shqiptarëve, deri në atë pikë sa ne ndonëse me cilësi dalluese në ngjyrën dhe traditat tona, jemi ndjerë gjithashtu shqiptarë. Nuk ka egjiptian që nuk ndihet edhe shqiptar. Kemi mijëra vjet këtu. Shqipëria është bërë tashmë toka e jetës dhe prehjes sonë të përjetshme, është bërë shtëpia jonë, pikërisht sepse jemi ndjerë të mikpritur plotësisht.

Kot nuk është ai proverbi i lashtë shqiptar që thotë se: ‘Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut’. Kemi bërë shumë martesa, kulturë, këngë, art me shqiptarët, saqë identiteti ynë kurrë nuk është ndjerë i rrezikuar nga shqiptarët. Kabatë me klarinetë nuk dihet më nëse janë tonat apo të shqiptarëve, sepse janë pothuajse të shkrira njëlloj si historia dhe identiteti ynë i ndërthurur e shpesh përputhur në mijëra vite përbashkësi.

Shumë këngëtarë, artistë, mësues, intelektualë, luftëtarë, që kanë dhënë vlerat, talentin dhe kontributin e tyre në fondin e artit dhe mendjedritësisë në Shqipëri janë egjiptianë të Shqipërisë. Kemi bërë pjesën tonë të dhënies në këtë bashkëjetesë.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për romët. Ndonëse historia e tyre është histori shtegtarësh, më shumë sesa histori bashkudhëtuesish në histori, gjithsesi ata janë qenie njerëzore, janë etnitet që kanë dhënë shumë për këtë vend. Kultura dhe arti i tyre tradicional janë bërë padiskutim ndikuese edhe në kulturën dhe artin tradicional vendës.

Ajo që kemi pasur nevojë ne egjiptianët dhe romët e Shqipërisë, është barazia si qënie njerëzore, para Zotit dhe ligjit. Ne kemi pasur e kemi nevojë për dinjitet. Të gjithë marrim frymë e jetojmë mbi këtë tokë e nën këtë diell, e të gjithë do të vdesim njëlloj. Llogari para Zotit do të japim të gjithë njëlloj kur të shkojmë në at’botë. Ndaj të gjithë meritojmë të jetojmë me dinjitet. Që të mos diskriminohemi për shkak të mendësisë së gabuar që mbillet nga njerëz të izoluar dhe injorantë, të cilët na ushtrojnë trysni që të ndihemi si qytetarë të dorës së dytë për shkak se sipas këtyre, ne jemi evgjitë, magjypë, gabelë apo arixhinj, etj., etj.

Popullata shqiptare në përgjithësi na ka bërë të ndihemi si në shtëpinë tonë këtu në Shqipëri. Mendësi të gabuara, të njerëzve të izoluar, por shpesh me ndikim dhe me mveshjen e autoritetit shtetëror, na kanë diskriminuar, përjashtuar nga barazia para ligjit dhe e drejta për të qenë të trajtuar me dinjitet. Këta pak njerëz me mendësi të gabuar na kanë mohuar punën, bukën, kopshtet, çerdhet, shkollat, karrierën, për shkak të ngjyrës që ne kemi. Ne nuk jemi ankuar kurrë e nuk kemi asnjë dëshmi negative për popullatën shqiptare.

Përkundrazi, ka me mijëra raste martesash e bashkëjetesash në lagje e komunitete, ku ne jemi ndjerë të mirëpritur dhe të trajtuar si të barabartë. Por mendësi të gabuara njerëzish me ndikim dhe me autoritet shtetëror, na kanë shndërruar në një shtresë të marxhinalizuar, të pakshkolluar ose aspak të shkolluar, me varfëri ekstreme dhe papunësi deri në dhimbje. Këto mendësi të gabuara njerëzish me ndikim e autoritet shtetëror na kanë përjashtuar nga gara dhe e drejta e punës edhe kur neve kemi qenë të mirëshkolluar.

Këto mendësi të gabuara njerëzish me ndikim dhe autoritet shtetëror edhe sot ndërsa ndërmerren aksione të forta qeveritare në përpjekje për ngritjen e shtetit të së drejtës bëjnë që të mos merret parasysh se komuniteti egjiptian dhe komuniteti rom në Shqipëri, përveçse janë të zhytur në varfëri dhe skamje pothuajse si shumica e qytetarëve shqiptarë, vuajnë edhe mizorinë e diskriminimit për shkak të ngjyrës dhe përkatësisë.

Kësisoj, Qeveria shqiptare dhe politika shqiptare në përgjithësi, duhet të bëjnë një kujdes të madh që aksionet dhe veprimtaritë e tyre shtetërore të mos shumëfishojnë vuajtjet, dhimbjen dhe skualifikimin që i bëhet komunitetit egjiptian dhe komunitetit rom. Është e domosdoshme që kur ndërmerren aksione për pagesat e energjisë elektrike, për ndërtimet pa leje, e për luftën ndaj informalitetit, të kihet parasysh se qytetarët shqiptarë që i përkasin komunitetit egjiptian dhe komunitetit rom, kanë qenë të pabarabartë para ligjit sepse janë trajtuar nga shteti si të tillë.

Egjiptianëve dhe romëve të Shqipërisë, shteti dhe qeveria duhet t’u japin më së pari barazinë para ligjit, e paskëtaj t’u kërkojnë zbatimin e ligjit. Sepse nëse nuk bëhet kjo, padrejtësia ndaj egjiptianëve dhe romëve vetëm thellohet dhe varfëria e skamja e tyre bëhet e papërballueshme. Në këto 25 vite, qeveritë e Shqipërisë janë përpjekur të na integrojnë nëpërmjet kuotave dhe politikave sociale.

E vërteta është se ritmi i kuotave është i tillë që mund të kërkojnë disa dekada a ndoshta më shumë që të mbërrijmë në një pikë integrimi jashtë temperaturës së ftohtë të diskriminimit. Prandaj duhet përfaqësim. Egjiptianët dhe romët duhet të jenë të përfaqësuar në zgjedhje, në mënyrë që t’i fitojnë të drejtat dhe hapësirat e tyre edhe politikisht. Diskriminimi është mendësi e së shkuarës dhe e atyre që nuk e duan njeriun si qenie. Integrimi është mendësia e duhur e shoqërive që çdo qytetar të tyre e trajtojnë me dinjitet.

Dhe dinjiteti fillon te vota. Të shpresojmë që votat e egjiptianëve dhe romëve nuk do të diskriminohen duke u bërë objekt shitjesh dhe blerjesh, e as duke u vjedhur a mosnumëruar saktë në kutitë e votimit. Kush blen votën e të varfërve, në fakt i përbuz ata. Kush blen votën e të diskriminuarve, në fakt i përçmon dhe shkel me këmbë ata. Kush vjedh apo nuk numëron saktë votat e të varfërve dhe të diskriminuarve, vret shpresën për të ardhmen. Ndaj ne kërkojmë përgjegjshmëri nga të gjithë. Kërkojmë përgjegjshmëri nga egjiptianët dhe romët që të mos e shesin votën e tyre.

Kërkojmë përgjegjshmëri edhe nga partitë e mëdha që të mos blejnë votat e egjiptianëve dhe romëve të varfër e të diskriminuar. Partitë e mëdha kanë detyrim madhor që të garantojnë numërimin e votave dhe një proces zgjedhor të ndershëm, të lirë dhe të drejtë. Kaq kërkojnë sot egjiptianët dhe romët e Shqipërisë, dinjitetin.

*Autori eshte kKryetar i PEISH – Partia për Europianizim dhe Integrim e Shqipërisë

Share: