Home KRYESORE Politikanë: mos prekni familjen, bëni reformën në drejtësi!

Politikanë: mos prekni familjen, bëni reformën në drejtësi!

Ne, qytetarët e Republikës së Shqipërisë, ju bëjmë thirrje institucioneve të përfshira në diskutimet për “Reformën në Drejtësi”, partive politike, ju deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, grupeve të ekspertëve dhe palëve të tjera të lidhura, të mos përfshini në këtë paketë propozimesh ndryshimin e nenit 18 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Gjithashtu ju bëjmë thirrje të miratoni dhe implementoni një paketë kushtetuese që përmbush aspiratat e qytetarëve për liri, drejtësi, barazi para ligjit, ndëshkim të krimit dhe padrejtësisë dhe mbrojtje të shëndetit moral e etik të shoqërisë shqiptare.

Propozimi për ndryshimin e nenit 18 të Kushtetutës që po futet në paketën e propozimeve për “Reformën në Drejtësi” nuk ka asnjë lidhje me këtë reformë dhe nuk po ndjek asnjë nga praktikat e botës së lirë dhe demokratike që për çështje të tilla madhore, të cilat prekin nocione themelore, ia lënë sovranit të shprehet pro ose kundër tij përmes referendumit, siç ka ndodhur në rastet e Kroacisë dhe Irlandës.

Togfjalëshat “orientim seksual” dhe “idenitet gjinor” që janë propozuar si ndryshime të nenit 18 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë nuk janë parë të nevojshme të përfshihen në asnjë kushtetutë të një vendi të lirë e demokratik, përjashtuar kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ky propozim përbën një tentativë të rëndë për rrëzimin e nocionit tradicional të familjes, nocion ky tërësisht i përputhshëm me, dhe i pranueshëm në, mjedisin etnik, shpirtëror dhe social të Shqipërisë.

Ashtu si në çdo kushtetutë të një vendi të lirë dhe demokratik, klauzolat për garantimin e barazisë para ligjit dhe mbrojtjen për cilësi të tilla si ngjyra, etnia, feja dhe statusi shoqëror janë më se të mjaftueshme për të siguruar paprekshmërinë dhe padënueshmërinë e gjithkujt, derisa ai të dalë përpara një jurie, të njihet me provat pro dhe kundër, të ketë të drejtën e një mbrojtjeje ligjore dhe të një kompensimi të drejtë.

Përderisa Kushtetuta e Rebublikës së Shqipërisë, në frymë dhe në gërmë, nuk kërkon diskriminimin mbi bazën e seksit, mbrojtja nga diskriminimi seksual mund të realizohet përmes ligjit, njësoj si të gjitha praktikat më liberale të botës lirë dhe demokratike. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk krijon asnjë hapësirë për favorizim apo diskriminim mbi bazën e kategorive sociale, etnike, fetare, politike apo seksuale.

Ne u bëjmë thirrje institucioneve të përfshira në diskutimet për “Reformën në Drejtësi”, partive politike, deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, grupeve të ekspertëve dhe palëve të tjera të lidhura të mos përfshijnë në këtë paketë propozimesh ndryshimin e nenit 18 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe t’ia lënë sovranit të shprehet përmes referendumit për këtë çështje.

Njëkohësisht, jemi kundër imponimit të dhunshëm ndaj kuadrit kushtetues të një pikëpamjeje ekstreme të pambështetur dhe të pandeshur në asnjë paradigmë kushtetuese perëndimore lidhur me çështje themelore si kjo e përkufizimit të familjes. Këto ndryshime bien ndesh me moralin, vlerat shpirtërore dhe mjedisin social shqiptar, si dhe kanë për qëllim të ndryshojnë moralin shoqëror përmes ligjit, duke e bërë ligjin burim të moralit, ndërkohë që e anasjella është e vlefshme: morali shoqëror është burim i të drejtës.

Share: