Home KRYESORE Dhuna të cilën e derdhim krejt natyrshëm mbi inferiorët tanë të fajshëm!

Dhuna të cilën e derdhim krejt natyrshëm mbi inferiorët tanë të fajshëm!

Nga Pastor Akil Pano

Nuk më ka ndodhur që në kaq pak kohë (vetëm disa orë pas publikimit të videos nga Emisioni Stop në TV Klan ku denoncohet dhuna e ushtruar mbi fëmijën prej administratores së kopështit)
në postime, prononcime dhe artikuj të shkurtër të gjej kaq shumë mallkime, sharje, fyerje, revoltë, zemërim dhe urrejtje.

Jam krejt pa fjalë dhe i shtangur, por këtë herë jo nga të qarat dhe thirrjet për ndihmë të vocërrakut, por nga thirrjet e urrejtjes tonë kolektive. Urrejtje gjithnjë në pritje, e ngjashme me llavën e nxehtë të një vullkani i cili s’fle kurrë, por se në çdo çast pritet të shpërthejë vrullshëm dhe të djegë pa mëshirë viktimën e rradhës.

Por kush është viktima mbi të cilin derdhet vullkani i urrejtjes tonë kolektive? Ju lutem mos mendoni se ka një kontradiktë në thelb të mendimit tim, nuk jam duke ndërruar pozicionet. E si mund të ngatërrojmë vocërrakun tonë për të cilin na dhemb shpirti, me agresorin e tij? E megjithëkëtë pikërisht këtë e bëjmë shpesh, në nivele të tjera obskuriteti të arsyetimit tonë.

Me dashje, a nga pafuqia, të shtyrë nga pragmatizmi, a nga indiferentizmi, nga padija, a nga nevoja, prej naiviteti a shpesh mediokriteti, këtë bëjmë! Zëvendësojmë inferiorët tanë të pafuqishëm me dhunuesit e pushtetshëm. Të pafajin e vetmuar me të fajshmin shokëshumë.

Njeriun e edukuar me atë që s’njeh skrupuj. Profesionistin e ndershëm me mediokrin e mbështetur politikisht. A nuk është ky realiteti Shqiptar? Është e frikshme ta pranojmë por tashmë ky është konsensusi ynë moral. Jetojmë në tokën prej së cilës integriteti dhe mirësia shkulen si egjra dhe në vend të grurit kultivojmë padrejtësitë dhe të pamoralshmen.

Më vjen tmerrësisht keq njëlloj si të gjithë ju, unë s’mund të mbroja vocërrakun e pafaj nga dhuna e papreçedentë. Por sot vras mendjen si? Si mund të mbrohemi nga dhuna jonë kolektive e cila qëndron në pritje të djegë pa mëshirë prenë e rradhës. Dhe natyrisht që viktima do të vazhdojë të jetë inferiori i fajshëm në rradhën e gjykimit të urrejtjes tonë kolektive. Viktima do të vazhdojmë të mbetemi ne, që s’dimë si dhe ku të derdhim dhunën që banon dhe thërret në gjymtyrët tona, dhunë të cilën e derdhim krejt natyrshëm mbi inferiorët tanë të fajshëm.

Share: