Projektligji i riparë i “vetting”-ut, i cili ka marrë vulën përfundimtare të ekspertëve të EURALIUS, është tashmë në duart e deputetëve të Komisionit të Posaçëm parlamentar të Reformës në Drejtësi.
EMËRIMET
Në këtë projekt janë marrë parasysh disa nga kërkesat e deputetëve të PD-së. Në një prej neneve, pikërisht nenin 6, ku përcaktohen kriteret e zgjedhjes së anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit, saktësohet se:
“Anëtar i Komisionit dhe gjyqtar i Kolegjit të Apelimit zgjidhet shtetasi shqiptar që plotëson kriteret e mëposhtme:
ë) nuk ka qenë anëtar i Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë parashikuar në vendimin Nr.12 atë 02.04.2015 të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë”.
Sipas projektit anëtari i këtyre institucioneve nuk duhet të ketë qenë gjyqtar, prokuror, këshilltar ligjor ose ndihmës ligjor gjatë 2 (dy) viteve të fundit përpara kandidimit si dhe të jetë jo më shumë se 65 vjeç”.
Një pikë tjetër, e shtuar së fundmi është që kandidati duhet të ketë përvojë studimore dhe profesionale jashtë shtetit shqiptar. Në një tjetër nen, atë numër 7, projektligji përcakton se si bëhet përzgjedhja e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit, ku sërish Presidenti i Republikës do të ketë rol në këtë drejtim. Kreu i shtetit shpall vendet vakante për këtë institucion.
“Brenda 7 ditëve nga përfundimi i procesit të aplikimit, Presidenti i Republikës përpilon një listë me kandidatët të cilët plotësojnë kriteret formale për secilin pozicion dhe një listë me kandidatët të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale”.
“Në rast se Presidenti i Republikës nuk përfundon procesin brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi të Aneks Kushtetutës, kjo kompetencë i kalon Avokatit të Popullit. Presidenti i Republikës, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Kuvendi janë të detyruar të vijojnë me përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionet e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit sipas parashikimeve të nenit C të Aneks Kushtetutës”, thuhet në pikat 4, 5 dhe 6 të projektligjit.
PIKAT KRYESORE TË LIGJIT TË “VETTING”-ut
Neni 6
Kriteret e zgjedhjes së anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit
1. Anëtar i Komisionit dhe gjyqtar i Kolegjit të Apelimit zgjidhet shtetasi shqiptar që plotëson kriteret e mëposhtme:
ë) nuk ka qenë anëtar i Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë parashikuar në vendimin nr. 12 atë 02.04.2015 të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë;
1. g) nuk duhet të ketë qenë gjyqtarë, prokurorë, këshilltar ligjor ose ndihmës ligjor gjatë 2 (dy) viteve të fundit përpara kandidimit;
2. gj) të jetë jo më shumë se 65 vjeç;
Neni 7
Përzgjedhja e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit
1. Presidenti i Republikës shpall vendet vakante për pozicionet e të gjithë anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit në faqen zyrtare të internetit, si dhe në dy gazeta me tirazhin më të lartë në vend.
2. Kandidati aplikon menjëherë me publikimin e vendeve vakante.
Kërkesa regjistrohet në regjistrin e protokollit të Presidentit të Republikës. Kandidati pajiset me një dokument që vërteton numrin e aplikimit, datën dhe listën e dokumenteve të paraqitura.
****
9. Brenda 7 ditëve nga përfundimi i procesit të aplikimit, Presidenti i Republikës përpilon një listë me kandidatët të cilët plotësojnë kriteret formale për secilin pozicion dhe një listë me kandidatët të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale.
10. Në rast se Presidenti i Republikës nuk përfundon procesin brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi të Aneks Kushtetutës, kjo kompetencë i kalon Avokatit të Popullit. Presidenti i Republikës, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Kuvendi janë të detyruar të vijojnë me përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionet e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit sipas parashikimeve të nenit C të Aneks Kushtetutës.
Neni 10
Organizimi i Komisionit
1. Komisioni organizohet në 4 (katër) trupa gjykuese të përbërë nga 3 anëtarë, të cilët caktohen me short. Anëtarët zëvendësues caktohen me short.
2. Shpërndarja e çështjeve në trupat gjykuese bëhet me short ku përcaktohet edhe anëtari relator.
Neni 14
Organizimi dhe administrata e institucioneve të rivlerësimit
1.Institucionet e rivlerësimit kanë personel dhe pajisjet e nevojshme për të përmbushur detyrat e ngarkuara nga ky ligj. Struktura organizative dhe klasifikimi i pagave për personelin e institucioneve të rivlerësimit miratohen nga Kuvendi, me propozimin e institucionit përkatës.
Neni 21
Anëtarët e institucioneve të rivlerësimit, personat e lidhur me ta, personeli i institucioneve të rivlerësimit, si dhe personeli mbështetës i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, gëzojnë të drejtën të kenë mbrojtje të veçantë nga shteti për jetën, shëndetin dhe pasurinë e tyre. sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e veçantë.
Neni 22
Deklarimi i pasurisë nga anëtarët e institucioneve të rivlerësimit
2. Anëtarët e institucioneve të rivlerësimit, sekretari i përgjithshëm, këshilltarët ekonomikë dhe ligjorë, si dhe personat e lidhur me to, çdo vit mbartin detyrimin të deklarojnë pasuritë deri tre vjet pas përfundimit të mandatit, në përputhje me ligjin nr.9049/2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”./360grade.al