Gjatë vizitës së radhës në lagunën e Karavastasë, për monitorimin e Pelikanit kaçurrel, shoqata PPNEA, u ndesh me një pamje aspak të zakontë për Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.
Në zonën pranë kanalit të Vaut kryhen gërmime dhe konkretisht brenda në lagunën e Karavastasë. Zona më e rëndësishme ligatinore në Shqipëri, i vetmi vend folezimi për pelikanin kaçurrel po kërcënohet drejtpërdrejt nga ndërhyrje akoma të paqarta dhe të pa bëra publike me projekte konkrete.
Siç shihet në foto, makineri gërmuese janë instaluar prej ditësh brenda në lagunë dhe po gërmojnë për të hapur një kanal përgjatë gjithë gjatësisë së lagunës. Sipas burimeve lokale këto ndërhyrje po bëhen për ta kthyer kanalin të lundrueshëm për varka.
Zona ku po kryhen punimet është rreptësisht e ndaluar të ketë ndërhyrje të tilla pasi thyen të gjitha ligjet mjedisore si për zonat e mbrojtura, që në këtë rast ka statusin e Parkut Kombëtar apo dhe konventën ndërkombëtare Ramsar ku laguna e Karavastasë si zonë qëndrore e parkut mbrohet që prej vitit 1995 si një ligatinë me rëndësi botërore.
Për më tepër laguna e Karavastasë është identifikuar si një Zonë Parësore e Biodiversitetit (Key Biodiversity Area), zonë Emerald dhe një biotop CORINE, klasifikime që theksojnë rëndësinë ndërkombëtare të kësaj zone për ruajtjen e diversitetit biologjik.
Kërkojmë reagimin e autoriteteve përgjegjëse që të ndalojnë menjëherë këtë ndërhyrje me pasoja katastrofike në një zonë me rëndësi të madhe biologjike, jo vetëm në shkallë kombëtare por dhe më gjerë.