Home KRYESORE Qeveria Rama ka edhe pak kohë të dëshmojë se nuk po mashtron...

Qeveria Rama ka edhe pak kohë të dëshmojë se nuk po mashtron me Rrugën e Arbërit

Deklaratë e Grupit të Lobimit pas interpelancës së 9 qershorit 2016 të Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Edmod Haxhinasto, kërkuar nga deputetja Mesila Doda

Pas debatit të zhvilluar në seancën plenare të datës 9 qershor në Kuvendin e Shqipërisë me objekt “Rrugën e Arbërit”, vërejmë me shqetësim se Qeveria Shqiptare nuk e ka marrë seriozisht çështjen e Rrugës, ashtu siç kishte premtuar gjatë fushatës elektorale në vitin 2013 dhe gjatë miratimit të programit të qeverisë.

Seanca e 9 qershorit 2016 ishte një kopje e shëmtuar e debatit parlamentar të zhvilluar për këtë çështje së paku në 10 vitet e fundit; njëra për të fituar kredo politike në kurriz të çështjes dhe tjetra në përpjekje për të justifikuar vonesat.

Debati parlamentar duhet të synonte së paku, zbardhjen e negociatave mes Qeverisë Shqiptare dhe ‘China State Construction Company’ si dhe të bënte transparentë koston financiare të debatueshme në këto negociata, në zbatim të ligjit nr. 41/2015, dt. 16.4.2015, të miratuar po nga këta deputetë që ishin në sallë.

Ministri i Transportit Edmond Haxhinasto përdori shifra të pasakta, të dhëna të vjetruara, mashtrime me të dhënat teknike të projektit, madje arriti deri aty sa të kërcënonte deputetët e parlamentit se “në qoftë se ata vendosin të investojnë në këtë rrugë, gjithë buxheti vjetor për rrugët do të shkonte te Rruga e Arbërit”.

Ky kërcënim është i papranueshëm për ne. Duhet të ishte i tillë edhe për së paku gjashtë deputetë të drejtëpërdrejtë të Dibrës, me në krye Shkëlqim Canin, të cilët, ndërsa në prill të vitit të kaluar deklaronin se “qeveria ka vendosur ta ndërtojë rrugën”, “rruga e shpresës së madhe” “punimet nisin në 2016”, “dibranët ta gëzojnë rrugën” etj,, tani paturpësisht heshtën. Ata duhet të reagonin me një zë kundër spekullimeve të ministrit Haxhinasto.

Në i ftojmë deputetët në parlament që të mos bëhen më aktorë të skenave të tilla të turpshme. Ne i ftojmë ata të ushtrojnë të gjithë të drejtën e tyre ligjore dhe demokratike për të zgjidhur financimin e rrugës në një kohë sa më të shpejtë.

Deklaratat pa përgjegjësi të Ministrit të Transportit, jo vetëm që janë të pasakta dhe spekullative, por tregojnë papërgjegjshmëri të qeverisë lidhur me këtë çështje.

Ky debat parlamentar kaloi pa reagimin e duhur nga opinioni publik, përveç ndonjë zëri të vetmuar të anëtarëve të shoqërisë civile apo atyre që kanë lidhje me çështjen. Ne u kërkojmë projektuesve të rrugës të bëjnë publike projektet dhe kostot financiare. Mospublikimi i projektit dhe kostos financiare të nevojshme për ndërtimin e rrugës, është një mënyrë e duhur për të ndihmuar zhvillimin e aferave korruptive sot dhe në të ardhmen në Rrugën e Arbërit.

Megjithatë, premtimi për Rrugën e Arbërit u është dhënë dibranëve nga Kryeministri Edi Rama dhe deputeti Shkëlqim Cani. Ne kërkojmë prej tyre të distancohen nga deklaratat e Haxhinastos si dhe sa më parë të bëjnë zbardhjen e negociatave me kompaninë kineze. Këto negociata nuk mund të jenë pa fund, por edhe duhet të jenë transparente dhe të ditura për publikun.

Gjithashtu, ftojmë kompanitë shqiptare apo të huaja, të interesuara për ndërtimin e Rrugës së Arbërit, të bëjnë publike ofertat e tyre financiare. Të kërkosh të marrësh përsipër ndërtimin e një objekti publik pa zbardhur ofertën financiare, është një mënyrë abuzive në kurriz të takspagueve shqiptare.

Ne, ashtu si dhe më parë, deklarojmë se nuk mbështesim asnjë parti politike, por jemi të vendosur që të ushtrojmë presionin e nevojshëm ndaj ligjvënësve dhe qeveritarëve, në mënyrë që njëherë e mirë të ndahemi nga e kaluara e premtive boshe. Fushata elektorale e radhës është në prag, por ne nuk do të qëndrojmë indiferencë. Ne jemi të vendosur që çështja e Rrugës së Arbërit nuk do të jetë më temë e premtimeve elektorale në Dibër, Mat dhe në lindje të Tiranës.

Dr Gëzim Alpion

Në emër të Grupit të Lobimit
_____________________________________________________

Ju lutemi nënshkruani peticionin këtu: http://chn.ge/1NZeyGu

Share: