Home KRYESORE ” VËLLEZËRIT TURQ “

” VËLLEZËRIT TURQ “

Nga Harry Bajraktari*

Përpjekja për grusht shtetit nga një pjesë e gjeneralëve dhe ushtrisë turke, bëri jehonë të madhe në tërë botën ngase Turqia është anëtar e NATO-s dhe roli i saj në bashkësinë ndërkombëtare është i ndjeshëm. Kjo tentativë u përcoll me vëmendje edhe në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës, tek shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginë të Preshevës dhe tek shqiptarët gjithandej botës. Këto ngjarje janë shqetësuese për vendet demokratike edhe tash pas burgosjes së gjeneralëve dhe ushtarëve, përjashtimit të qindra gjyqtarëve, prokurorëve nga vendet e punës dhe mos respektimi i të drejtave të njeriut nga regjimi i Turqisë.

Ajo që mua më nxiti t’ i shkruaj këta pak rreshta ka të bëjë me një fakt tjetër se si dhe në ç’ mënyrë reagun disa shqiptarët rreth këtyre ngjarjeve: Në Shqipëri, në Prishtinë, në Prizren, në Preshevë, në Shkup dhe në ndonjë qytet tjetër në trojet tona u dëgjuan shprehje dhe zëra të habitshëm: “Jemi bashkë me vëllezërit turq dhe të gatshëm të luftojmë për Turqinë “, si dhe thirrje të ngjashme me përmbajtje vëllezërore në mbrojtje të saj.
Nga historia dihet se shqiptarët janë populli më i vjetër në Ballkan dhe një popull shumë i veçantë, i cili s’ ka asnjë vëlla në këtë planet, asnjë prejardhje të përbashkët me ndonjë popull tjetër, pos që ka fqinjësi me shtetet që e rrethojnë dhe marrëdhënie miqësore, ekonomike e diplomatike me shumë vende të botës, e në këtë kontekst edhe me Turqinë. Ne nuk jemi vëllezër as me turq as me grekë as me tjerët dhe këto thirrje nga disa zëra, tash këto ditë, me rastin e ngjarjeve në Turqi, por edhe më herët, janë për të ardhur keq, të dëmshme në aspektin e identitetit kombëtar, të pakuptimta në aspektin logjik dhe absurde në kontekstin interpretues. Një pushtues në të kaluarën, të jetë edhe jopushtues nuk mund të jetë vëllezër me ne ngase nuk kemi prejardhje dhe trung të njëjtë. Vëllezëria përcaktohet në bazë të kombit e jo siç pretendojnë disa klerikë shqiptarë të infektuar nga radikalizmi islamik. Shqiptarët u përkasin tri besimeve me të cilët jemi vëllezër mes veti si shqiptarë myslimanë , si shqiptarë katolikë dhe si shqiptarë ortodokës dhe këtu përfundon vëllazeria e jonë. Nuk shkon përtej për asnjë milimetër.

Ne nuk mund të luftojmë as për turq, as për grekë dhe as për fqinjët tanë të cilët gjatë historisë na sollën aq shumë vuajtje dhe zaptim të territoreve tona. Me kushtetutën e Shqipërisë dhe të Kosovës në çfardo rrethana që mund të ndodhën këto dy shtete, kemi detyrim me forcë të mbrojmë atdheun dhe popullin tonë, jo siç thonë pretenduesit e “vëllezërve turq”. Ne duhet të punojmë shumë më shumë që t’ i përparojmë shtetet tona, Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe territoret tjera shqiptare. Kjo është kauza jonë, e jo e atyre që i thërrasin vëllezër ata të cilët s’ i kemi e as që kanë të bëjnë me kombin tonë.

E dimë të gjithë se sa është dëmtuar imazhin ynë në botë nga radikalizmi islamik i disa klerikëve tanë dhe ky radikalizëm çoi grupe e individë të luftojnë në Siri e Irak për shtetin islamik-terrorist( ISIS). Një gjë e humbur dhe e pakuptimtë për kombin tonë dhe për logjikën e njeriut të shëndoshë.

Çështja e shqiptarëve në Turqi dhe shpërngulja e tyre atje, është pasojë i një historie të dhunës dhe terrorit serb nga Lidhja e Prizrenit e këndej.

Post scriptum: Këtu nuk është fjala për minoritetin turk që jeton në Kosovë dhe Maqedoni.

*Autori është bisnesmen dhe veprimtar i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York.

Share: