Nga Poli Hoxha
Ditët e fundit ish miqtë “legjendarë”, Koço Kokëdhima dhe Edi Rama kanë qenë shumë afër fizikisht në bregdetin e Dhërmiut, por njëkohësisht jashtëzakonisht edhe më larg, se sa janë shfaqur këto kohë.
Në një mini intervistë nga plazhi, Kokëdhima i ka dërguar disa mesazhe Ramës. Botuesi i “Shekullit” e ka bërë të qartë se historia e tij si politikan, nuk është mbyllur me heqjen e mandatit të deputetit dhe se ai do të kandidojë sërish për një vend në sallën e ligjvënësve shqiptarë. Kokëdhima nuk ka sqaruar nëse do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme si i pavarur, apo për ndonjë forcë tjetër politike, përveç Partisë Socialiste ku tashmë dihet që i ka dyert e mbyllura, të paktën sa të jenë aty Gramoz Ruçi dhe Edi Rama. Njerëz të afërt pranë Kokëdhimës, deklarojnë në konfidencë, se një nga obsionet më të mundshme është që ai në zgjedhjet e ardhshme të bashkohet me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe të kandidojë për këtë forcë. Mësohet gjithashtu se Ilir Meta deri tani ka qenë dakord për këtë lëvizje, por i ka kërkuar Kokëdhimës që kjo gjë të bëhet publike, në kohën e duhur.
“Këtu jemi në plazh, por mund të them vetëm kaq, unë e kam theksuar edhe më parë se do të fuqizoj aktivitetin tim politik, do të jem prezent në politikë dhe padyshim do të rikandidojë sërish për deputet”, deklaroi Kokëdhima nga Dhërmiu, karshi vilës qeveritare ku qëndronte prej kohësh ish “biri” i tij.
Kokëdhima është i vetëdeklaruar si një i majtë i thekur dhe e vetmja strehë ku ai ka shanset për të vazhduar politikën e tij “majtiste” është LSI-ja. Kjo nga ana tjetër (e ka treguar sistematikisht se i pret krahëhapur socialistët e mërzitur me Ramën), bën edhe llogaritë e veta me këtë lëvizje. Ilir Meta ka shumë arsye që ta rrëmbejë ish-vëllamin e mërzitur të aleatit me “detyrim-përcaktim”. Ka pritur krahëhapur psh. Ylli Manjanin që kur iku nga Rama çoi vetëm vetveten te LSI-ja, e jo më Kokëdhimën, i cili është një thesar me ato çka pikërisht pëlqen Meta. Kreu i LSI-së njihet për fiksimin e tij që shkon herë pas here deri në paranojë, për të mësuar gjithçka ( të vërteta apo thashetheme) për kundërshtarët e tij, apo edhe njerëzit që e rrethojnë, madje edhe për ata që i janë besnikë. Natyrisht që në krye të listës është Edi Rama, siç edhe ky i fundit nga ana tjetër ka të parin në bllokun e tij, Ilir Metën. Dhe është pikërisht Kokëdhima njeriu më i duhur, për të nginjur Ilir Metën me informacion, vese, sekrete të vockla apo të mëdha, mizaskena nga jeta e shkuar dhe e tashme e kryeministrit, por edhe për të bërë parashikime për lëvizjet e tij të mundshme.
Kjo është pjesa që i pëlqen jashtëzakonisht shumë Ilir Metës, por në fund të ditës ai është një politikan i regjur. Kokëdhima ka rëndësinë e tij edhe për dobësimin e Partisë Socialiste veçanërisht në zonën e Bregut, deri në Gjirokastër. Ai shkon te Meta me struktura të ngritura dhe me një tabor të madh njerëzish që i ka besnik, në këtë pjesë të vendit. Edhe përpara dy ditëve, ai u shfaq si deputet në zonë, në fshatin Protopapë, duke prezantuar projektin e tij për të rregulluar rrugët, kanalizimet, sheshet, fasadat, gjelbërimi, shtëpitë dhe lokalet. Ngjan sikur ka nisur që tani fushatën.
Madje, pjesë e pakos që ai i ofron Metës, ka shumë gjasa të jetë edhe një deputete e PS, tashmë e deklaruar si kokëdhimiste, Mira Shehu. Ilir Meta ka informacionin e duhur që Koço Kokëdhima, që nga koha e fushatës elektorale të zgjedhjeve të kaluara, ngriti në gjithë jugun e vendit, veçanërisht në qarqet Vlorë e Gjirokastër struktura të posaçme, të financuara nga ai vetë personalisht, të cilat kanë punuar dhe vazhdojnë të funksionojnë në emër të tij. Fuqizimi i Kokëdhimës në këto zona ishte edhe një nga arsyet kryesore të prishjes me ish-vllamin, Edi Rama. Deputetë të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, Fatmir Toçi e kompani, jo vetëm u shqetësuan nga ky protagonizëm i tij në këtë pjesë të vendit, por edhe punuan deri në vënien e vetos te kryetari, për “eliminimin politik” të Kokëdhimës brenda PS-së. Pavarësisht rezistencës së Ramës ndaj grupit të fuqishëm anti Kokëdhimë në parti, u desh vetëm një rast, si ai i çështjes së mandatit që kryesocialisti ta flakte pa pikë problemi mikun, vëllanë, ortakun, gurunë dhe “bashkëpleqëruesin” e tij. Por në fund, ashtu si bën gjithmonë, ai zgjodhi intersin përpara miqësisë, gjithmonë nëse e njeh këtë koncept moral.
Kokëdhima kështu kuptoi, se sa vlente lëkura e tij në peshoren e Ramës, kur bëhet fjalë për pushtetin personal. Ai e ka filluar faktikisht hakmarrjen në mënyra të ndryshme. Por duke e njohur mirë Edi Ramën, ai ja di edhe pikën më të dobët. E di shumë mirë që ai, vetëm për një gjë mund të “dalë nga shinat” dhe të prishë gjumin. Ajo është karrigia e “njëshit” . Që nga viti 1998, kur Fatos Nano e bëri ministër kulture, pra për 18 vjet rresht, Rama herë si ministër, jashtëzakonisht gjatë si kryetar i bashkisë numër një në vend, kryetar absolut i një prej dy partive më të mëdha, tani kryeministër, nuk e njeh jetën e njeriut pa pushtet. Kjo është pika më e dobët e tij; Ai ka frikë edhe ta imagjinojë vetveten, pa një zyrë të madhe, pa shoqërues e sejmenë të shumtë që bëjnë sikur i adhurojnë gjenialitetet, që beson se ka.
E gjithë kjo panoramë nuk do të kishte pikën e vlerës për t`ia paraqitur lexuesit, nëse nuk këndvështrohet si një mënyrë për atë që po ndodh dhe çfarë pritet, brenda të majtës shqiptare. Në fund të fundit, për të shtruar pyetjen: A ka marë fund e majta me këtë lidership që gjithë energjitë i harxhon për intriga dhe kulisa pushteti? Por le të vazhdojmë edhe pak.
Thamë më lartë që Kokëdhima me zemërimin e tij (Mos harrojmë që është edhe posedues i një media me influencë brenda të majtës) çon ujë në mullirin e Ilir Metës duke përçarë aq sa mundet Partinë Socilaliste, të paktën në jug. Por nga ana tjetër largimi i tij bëri që Rama të forcojë unitetin brenda radhëve, duke qetësuar ata deputetë dhe drejtues partie që nuk e shikonin dot me sy marrëdhënien e tij “specifike” me Kokëdhimën.
Po “uji” i Ilir Metës në cilin “mulli” po shkon?
Kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndoshta i duket se ashtu si “uji” i Kokëdhimës, Mejdanit apo ndonjë tjetri, edhe “uji” që ai prodhon me lëvizje apo deklarata, as mish as peshk, shkon në mullirin e tij.
Por në fakt çdo ditë e më shumë, po vërtetohet që nuk është kështu. Të gjithë ata që analizojnë situatën e acaruar brenda aleancës qeverisëse bëjnë një gabim të vogël, kur e pasqyrojnë atë si përplasje direkte, Rama-Meta. Nëse kreu i LSI, është investuar personalisht me kërcënimet për prishjen e koalicionit dhe për qeverinë teknike, Rama është treguar më i kujdesshëm, ose më saktë më i sofistikuar. Ai asnjëherë nuk ka artikuluar dhe as ka lënë për të kuptuar se ekziston varianti i një prishje të madhe të paktën deri në pranverën e vitit 2017. Por nga ana tjetër kjo nuk do të thotë se ai më shumë se Meta nuk mendon dhe punon për qeverinë e tij, ndoshta jo teknike, por “hibride”. Ndërkohë që Meta herë përgënjeshtron e herë bën alibira e pirueta për ato që deklaron pa u mbushur 24 orë (kap në befasi dhe huton, edhe të vetët), Rama hesht, por nga ana tjetër jo vetëm që ka shuar tensionet në Grupin Parlamentar, por edhe ka bërë njësh rreth vetes edhe krerët lokalë të partisë.
Ilir Meta me fluturimet e tij “pindarike”, duke kujtuar se po bën lojën e tij dhe vetëm të tijën, në fakt është kthyer në lojtar të pabesueshëm. Për opozitën, për Ramën po e po, por më e keqja për atë vetë në radhë të parë, pasi ky perceptim, po përhapet me shpejtësi edhe në opinion.
Duket se Rama ja ka marrë dorën tashmë kërcënimeve momentale të Ilir Metës dhe ka kuptuar se ai jo se nuk do, por nuk e lenë të ikë nga qeveria. Kryeministri e di shumë mirë, sepse po e imiton edhe vetë së fundmi, që LSI-ja nuk është thjesht një parti, por është një pushtet-parti, pasi mbi 90% të anëtarëve të saj janë të punësuar në shtet.
Por të mos e zgjasim më me këto analiza, sepse si e thamë më sipër, kjo panoramë bëhet vetëm për të treguar se e gjitha ajo që po ndodh me të majtën është vetëm një pazar interesash individuale, për pushtet më të madh apo më të vogël dhe shumë-shumë në funksion të partive respektive. Lidershipi i saj përfundimisht e ka treguar se nuk ka asnjë lidhje me konceptet social-demokrate, as tradicionale dhe as ato moderne që mbizotërojnë në Europë dhe SHBA.
E majta aktuale shqiptare në një vizatim të shpejtë, do dilte një karikaturë në laps, gati shkarravinë si ato që bën kryeministri gjatë takimeve me Metën, Majkon, Kokëdhimën, Ruçin, Veliajn apo edhe Taulant Ballën. Kjo karikaturë do të paraqiste as më shumë dhe as më pak, veçse një tufë fajdexhinjsh që me blloqe në dorë bëjnë hesapet, sesi t`ia fusin njëri tjetrit dhe atyre që ju huazojnë skrapin si flori, “1 milion votave” .
Kjo e majtë që vuajti aq shumë për të rimarr pushtetin pas 8 vitesh, tani pas 3 viteve qeverisje, këtë herë e vetëshitur si e bashkuar, ka arritur deri në atë pikë, saqë as nuk denjon më të shtiret si e tillë. As në paqe dhe as në luftë, nuk e dëgjon lidershipin e të ashtuquajturës “aleancë e majtë”, të artikulojnë qoftë edhe një fjali për varfërinë që po zbraz vendin. Si ka mundësi që as Rama, as Meta, as Ruçi, as Kokëdhima, madje as “gjithmonë rebeli” Braçe, nuk thonë gjysmë fjale, për atë që po ndodh me shëndetësinë e premtuar falas. Për mijëra bizneset e vogla dhe të mesme që po dorëzojnë çelësat në gjykatë si të falimentuar, për papunësinë që po mbyt rininë dhe po shkatërron familjet, asnjë shqetësim për ata dhjetëra fëmijë-skllevër në malet e plehrave, të korrupsionit…?
Edhe njëherë: A ka vdekur e majta shqiptare, apo ajo thjesht është gjunjëzuar dhe skllavëruar nga një grup oligarkësh që drejtojnë parti, ku “socializmi” ka ngelur vetëm si një atavizëm në siglat e tyre? /SYRI.net/