Home KRYESORE Besa, një përralle e bukur, por mbetet veç përralle!

Besa, një përralle e bukur, por mbetet veç përralle!

Nga Capajev Gjokutaj

Kafja e mëngjezit. Në tavolinën përbri dy të moshuar flasin për besën. Argumenti i njerit më befason.

Besën e kemi çmuar dhe idealizuar, jo nga që e kemi patur me shumicë, por nga që ka qenë e rrallë dhe e dëshiruar, thotë në thelb i moshuari. Uji për popujt e shkretëtirës është burim poezie, por në mitologjinë nordike është mishërim demonësh…

Batuta më sjell ndër mënd një pësim. Dy javë të shkuara, me Anën, time shoqe, u nisëm të kalonim disa ditë në Theth. Që herët kishim prenotuar bujtinën dhe taksinë që do t’na priste në Shkodër.

Një ditë para nisjes bëmë rikonfirmimin me telefon. Taksisti propozoi që taksinë ta ndanim me të tjerë, por i thamë se kishim probleme kockash, ndaj preferonim të paguanim më shumë.

Të nesërmen, kur arritëm në Shkodër taksia kishte te lira vetëm dy vende, kurse bagazhet duhej t’i mbanim te këmbët. Ishim nisur për taksi, po bitisnim si pulat në shul.

Ku ta kërkonim të drejtën? Tek institucioni i besës tradicionale? Shpagimin as që guxuam ta shkonim ndër mend…

Mbasdite, ndërsa po ktheheshim në Tiranë, të lodhur e të zhgënjyer, i dhamë dum se është një çikë si herët të bësh turizëm në Theth.

Duhet të presim zhvillimin e tregut. Ai sjell me vete konkurencën që të detyron të respektosh klientin. Sjell me vete edhe prenotimin, që merr vlerën e kontratës dhe zëvendëson fjalën e dhenë.

I vetmi problem që na mbetet është: deri atëhere të përrallisim apo jo për besën tradicionale?…

Share: