Home KRYESORE Deputetja e re Çupi feministe?! Deputetët-meshkuj nivel i dobët

Deputetja e re Çupi feministe?! Deputetët-meshkuj nivel i dobët

Flet për “Koha Jonë”, deputetja më e re e Parlamentit, Dhurata Çupi

Intervistoi: Redjon Shtylla

Dhurata Çupi do të jetë deputetja më e re e Kuvendit, pasi të bëjë betimin në nisjen e sesionit të ri parlamentar në shtator. Çupi do të zëvendësojë kandidatin e PD-së për Bashkinë e Dibrës, Sherefedin Shehu.

Znj.Çupi ka qenë pjesë e listës së PD-së në zgjedhjet e 2013, por nuk arriti të dilte fituese. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Çupi tregon për lajmin e papritur, si e ka pritur, çfarë i komunikoi kreu Basha dhe objektivat e saj mbi detyrën e re. Ajo do të përfaqësojë Qarkun e Dibrës, për të cilët shprehet se do të japë maksimumin e saj, që zëri i tyre, hallet dhe shqetësimet që sa vijnë e u shtohen  nga keqqeverisja e kësaj maxhorance, të dëgjohen. E pyetur për kreun Basha, Çupi shton se e ka uruar për detyrën e re, ku dhe nënvizon vlerësimin për të. Deputetja shton se, Basha: “Është i vetmi që mund të sjellë në pushtet Partinë Demokratike. Kostumi politik i z.Basha nuk ngjan me asnjë politikan tjetër shqiptar”.

Ndërsa për deputetët meshkuj ajo shton se cilësia e tyre lë shumë për të dëshiruar.

Znj.Çupi, pas kandidimit të z.Shehu për zgjedhjet në Bashkinë Dibër, vendin e tij do ta zini ju, që në shtator do të merrni mandatin si deputete e Qarkut Dibër. Si e pritët lajmin që krejt papritur, do të uleni në karrigen e Kuvendit?

Natyrisht që e prita me kënaqësi. Është një vlerësim shumë i madh për mua dhe privilegj të përfaqësoj në Kuvendin e Shqipërisë qytetarët e Qarkut të Dibrës. Do të jap maksimumin tim që zëri i tyre, hallet dhe shqetësimet që sa vijnë e u shtohen  nga keqqeverisja e kësaj maxhorance. Jam po kështu krenare që do të kontribuoj sado pak në grupin parlamentar të Partisë Demokratike, e cila çdo ditë e më shumë po dëshmohet para qytetareve si parti e shpresës dhe alternativa më e mirë në vend.

Pse një deputete e PD-së?

Partia Demokratike lindi si parti e shpresës dhe vazhdon te jetë shpresa për të rinjtë dhe qytetarët e të gjitha moshave. As dje dhe as sot, nuk mund dhe do të zgjidhja alternativë më të mirë, më përfaqësues dhe më të denjë, për t’u shërbyer qytetarëve dhe për të kontribuar në zhvillimin dhe integrimin e vendit sesa PD-ja. Një tjetër arsye e fortë është dhe prejardhja ime. Familja ime ka përqafuar gjithmonë vlerat demokratike dhe ka refuzuar diktaturën komuniste. Jam kontribuuese modeste, që në vitet e krijimit të saj deri sot, do të vazhdojë të jem gjithmonë pavarësisht nga pozicioni që do të kem.

cupi-347x290

E shihni si momentin e duhur për t’u bërë pjesë e politikës, kur vetëm një vit na ndan nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Absolutisht që po. Edhe po të ishte dita e fundit e kësaj legjislature, unë do ta quaja nder dhe privilegj të jap kontributin tim sado modest. Ju thatë një vit na ndajnë nga zgjedhjet. Absolutisht po, por në këtë realitet, të krimit dhe korrupsionit që siç e thotë Departamenti Amerikan i Shtetit është shtrirë kudo, ku varfëria është shtuar e papunësia po ashtu, ku bujqësia është në ditën më të zezë e paratë shkojnë për të blerë palma e kryer investime korruptive. Unë do të bëj gjithçka që me një qeveri teknike, që do të garantoje zgjedhje të lira dhe të ndershme, të garantojmë fitoren e partisë demokratike, kthimin e shpresës, punësimin dhe zhvillimin ekonomik të qytetarëve.

Kuvendi ka 32 deputete femra, një numër i ulët në krahasim me deputetët meshkuj. Jeni përgatitur për të qenë pjesë e një Kuvendi me dominim mashkullor, e shihni të vështirë?

Sigurisht që jam e kënaqur që numri i zonjave në Parlament është rritur, sikurse ndihem mirë që i përkas një partie, ku kryetari i saj imponoi kuotën 50%, të përfaqësimit të grave në garën për Këshillat Bashkiak. Uroj dhe shpresoj që përfaqësimi i grave të jetë dhe më i madh në zgjedhjet e ardhshme dhe të mos ndodhë kurrë më ajo që ndodhi me deputetet gra të PS-së, që i detyruan të japin dorëheqje nga Parlamenti. Më shqetësues se dominimi mashkullore, është cilësia e përfaqësimit, e cila fatkeqësisht, lë shumë për të dëshiruar. Unë do të bëj punën time si opozitare duke denoncuar me fakte korrupsionin, keqqeverisjen. Për këtë, nuk do të më pengojnë dot edhe pse jam e vetëdijshme se politika mundet të më shoqërojë edhe me ofendime apo fyerje që shpesh herë jemi ndeshur në Parlament.

Ju keni garuar përpara 3 vitesh, por sot mbeteni me të të njëjtat prioritete që jeni zotuar për t’i përmbushur? Për çfarë do t’i shërbeni më shumë komunitetit që do të përfaqësoni në këtë periudhë 1- vjeçare?

Të jem e sinqertë, 3 vjet më parë nuk e prisja që vendi do të qeverisej kaq keq. Banorët e Dibrës nuk kanë mundësi të paguajnë tarifat e larta të universiteteve, janë në errësirë se nuk paguajnë dot faturat e energjisë, për shkak të papunësisë. Spitalet nuk kanë ilaçe, nuk ka mjek të specializuar. Situata është shumë e rëndë. Unë nuk do të resht së denoncuari, këtë keqqeverisje.

Që prej vitit 1996 keni mbajtur poste në institucionet e shtetit, por si ka qenë lidhja juaj me politikën, po me zonën që do përfaqësoni, i njihni problematikat e banorëve të Dibrës?

Kam një eksperiencë 19-vjeçare në administratën publike. Jam marrë kryesisht vetëm me çështje të qeverisjes vendore. Dibra  ka 141 fshatra, si dhe shtrirje shumë të gjerë gjeografike. Asnjë investim nuk është kryer nga qeveria në këto 3 vjet, për të përmirësuar infrastrukturën në këto zona. Furnizimit me ujë të fshatrave, është një shqetësim i madh, pasi mjaft prej tyre vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Ndër problematikat e kësaj zone mbetet ajo e papunësisë, që shkon në rreth 50 %. Investimet në bujqësi mungojnë. Dibra njihet për prodhimin e  mollëve, kumbullës, dardhës etj.. Një mundësi e madhe për zhvillimin e Dibrës dhe punësimin, është turizmi, pasi Dibra ka zona përrallore siç është Lura dhe Korabi. Natyrisht një kontribut të qenësishëm do të jepte rruga e Arbrit, e cila jam e bindur se do të kthehet në realitet me Sherefedin Shehun, Kryebashkiak të Dibrës, e Lulzim Bashën si Kryeministër të Shqipërisë.

Në PD, mbani postin si nënkryetare e departamentit për pushtetin lokal. Jeni pjesë e ekipit të z.Shehu, si e shihni sfidën e re të PD-së dhe të z.Sherefedin? Mendoni se Dibra ka nevojë për një profesionist të fushës ekonomike në drejtimin e Bashkisë sesa një mjek?

Basha ka vlerësuar maksimalisht qytetarët e Dibrës. Ju ka propozuar një nga kandidaturat më dinjitoze, më qytetare dhe akademike. Me eksperiencën e tij i bën nder Dibrës dhe nesër sigurisht që do t’i shërbejë në nivelin lokal, ku ka të bëjë direkt me qytetarin dhe hallet e tij, që të themi të drejtën sot nuk i mungojnë këtij qyteti. Dibra ka nevojë për një administrator të mirë, që ka dhënë shembuj në menaxhim dhe qeverisje. Sa i përket kandidatit tjetër ndjej keqardhje. Çfarë do t’u thotë ai dibranëve për ilaçet e munguara, për spitalet që janë në ditën më të zezë edhe pse miliona euro vidhen në emër të shëndetësisë. Çfarë do t’u thotë dibranëve kur t’u dalë përpara me ministrin e Energjetikës, ku bashkëqytetarët e tij janë burgosur për 30 mijë lekë të vjetra fatura, të papaguara. Dibranët kanë nevojë për mundësi të reja zhvillimi, punësimi, investimi dhe këto mundësi do t’u ofrohen nga Sherefedin Shehu.

Cila është pritshmëria juaj për garën?

Dibranët do t’i besojnë me mençurinë dhe urtësinë e tyre njeriut të punës, menaxherit të përkushtuar qytetarit model Sherefedin Shehu. Ata nuk mund të vazhdojnë të nëpërkëmben dhe keqqeverisen. Kjo ndihet kudo në Dibër. Qindra të rinj i janë bashkuar z.Shehu sepse tek ai dhe PD-ja, shohin shpresën për të sotmen dhe të nesërmen e tyre.

Keni bashkëpunuar me kreun Basha për disa vite, si e keni parë në tre vitet e fundit nën drejtimin e opozitës

Është lidershipi që i duhet opozitës. Vizionar, i përkushtuar, i hapur dhe bashkëpunues. Këtë e ka treguar në çdo institucion, që ka drejtuar përfshirë dhe Bashkinë e Tiranës, ku siç e shihni çdo dite pasardhësi i tij, inauguron punët e nisura nga z.Basha dhe mburret me projekte e tij strategjike, për të cilat realizoi projektin gjeti financimin dhe nisi zbatimin. Është i vetmi që mund të sjellë në pushtet Partinë Demokratike. Është lideri që qëndron për parimin siç u faktua  me reformën në drejtësi një sukses i tij dhe eksperteve të PD-së. Basha ka treguar që është lider me përmasa europiane. Kostumi politik i z.Basha nuk ngjan me asnjë politikan tjetër shqiptar. Ka qenë eksperiencë e vyer, të jem pjesë e administratës ku ka drejtuar z. Basha

Çfarë mesazhi ju përcolli z.Basha për postin e ri?

Më uroi suksese dhe unë jam e privilegjuar që pasoj një deputet si Sherefedin Shehu.

Po me liderin e PD-së, z.Berisha keni pasur mundësi të njiheni nga afër?

Po kam pasur mundësi të takohem. Të punoj si vartëse e  strukturave që vareshin nga Këshilli i Ministrave. Berisha është lideri historik i PD-së, që ka merita të padiskutueshme për zhvillimin dhe integrimin e vendit.

Keni njohje me grupin parlamentar të Partisë Demokratike?

Po kam njohje me një pjesë të mirë të grupit parlamentar. Kam shumë miq, të cilët i vlerësoj për aksionet opozitare dhe  nivelin e ushtrimit të funksionit të ligjvënësit në Kuvend.

 

Share: