Home KRYESORE Dosjet VIP jo ne Gjykatën Speciale, sërish në duart e Gjykatës së...

Dosjet VIP jo ne Gjykatën Speciale, sërish në duart e Gjykatës së Lartë!?

Zbehen shpresat për ndëshkimin e korrupsionit elitar në Shqipëri nën shembullin e Kroacisë dhe Rumanisë, edhe pse institucionet e drejtësisë do t’i nënshtrohen një reformimi rrënjësor dhe mbikëqyrjeje të shumëfishtë. Fati i zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë shtetëror, të cilët do të akuzohen nga Prokuroria e Posaçme dhe dënohen nga Gjykata Speciale, do të përcaktohet sërish nga Gjykata e Lartë, e cila që nga themelimi i saj nuk ka dënuar qoftë një zyrtar të rangut të lartë, por ka shërbyes si institucion pafajësie.

Projekti kushtetues, në nenin 20, i heq Gjykatës së Lartë juridiksion fillestar kur gjykon akuzat penale kundër presidentit, kryeministrit, deputetëve dhe njerëzve të drejtësisë, duke ia dhënë këtë kompetencë Gjykatës Speciale. Por, ndryshimi duket se është fiktiv, pasi këtë kompetencë, Gjykata e Lartë e rimerr me pikën 3 të nenit 31 të projektligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor, një nga 7 draftet prioritare për zbatimin e Reformës në Drejtësi.

Sipas pikës tre, seksioni penal i Gjykatës së Lartë shqyrton rekurse ndaj vendimeve të gjykatave me juridiksion të përgjithshëm dhe gjykatave të posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar për çështje penale. Çështjet penale të gjykuara nga gjykatat e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar gjykohen nga trup gjykues i përbërë nga pesë gjyqtarë.

Kushtetuta

Neni 141 i Kushtetutës, i ndryshuar, i heq Gjykatës së Lartë juridiksionin fillestar për dosjet zyrtarëve të lartë. Ndërkaq, neni 135 i ndryshuar, parashikon që gjykatat e posaçme gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur.

Amnistia tjetër

Gjykata Speciale, Prokuroria e Posaçme dhe Byroja e Hetimit do të mbahen larg për 300 ditë nga dosjet e korrupsionit dhe krimit elitar, pas hyrjes në fuqi të ligjit për institucionet kundër krimit dhe korrupsionit. Nëse gjykatat aktuale nuk marrin një vendim për dosjet në fjalë, ditën e 300 nga hyrja në fuqi e ligjit për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, çështje i kalojnë Gjykatës Speciale, e cila së bashku me Prokurorinë e Posaçme, do të vendosen në ndërtesën aktuale të Gjykatës për Krimet e Rënda dhe Prokurorisë për Krimet e Rënda.

Llojet e gjykatave

Pushteti gjyqësor ushtrohet nga gjykata me juridiksion të përgjithshëm dhe gjykata të posaçme. Gjykatat me juridiksion të përgjithshëm janë gjykata me juridiksion të përgjithshëm të shkallës së parë, gjykata me juridiksion të përgjithshëm të apelit dhe Gjykata e Lartë. Gjykatat me juridiksion të përgjithshëm të shkallës së parë mund të kenë degë. Gjykata të posaçme janë gjykatat administrative të shkallës së parë dhe Gjykata Administrative e Apelit si dhe gjykata e posaçme e shkallës së parë dhe e apelit për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar./Shqiptarja.com

Share: