Nga Reldar DEDAJ
Ardit Gjoklaj, 17 vjeçari, që u gjet i pajetë në plehrat e Sharrës, kishte gati një muaj që kishte filluar punë në sektorin e seleksionimit në landfill. Gjoklaj u gjet me dëmtime të shumta në të gjithë trupin, ndërsa dyshohet se ka qenë traktori që punon në atë zonë të landfilldit që i ka marrë jetën 17 vjeçarit me origjinë nga Tropoja.
Dyshimet të çojnë në një akt makabër, pasi i riu jo vetëm është masakruar me mjetin e rëndë, por në kohën kur është gjetur, trupi i tij ka qenë i mbuluar me plehra. Ai është djali i një polici, pavarësisht moshës së re, vendosi të punojë në një punë sezonale për të ndihmuar sadopak familjen dhe veten për të blerë librat dhe rrobat e fillimit të shkollës në shtator.
Në këtë stinë tepër të nxehtë vere nëse nuk do kishte ndodhur gjëma, me shumë siguri, askush nuk do ta njihte Arditin. Një djalë të ri, që krejt ndryshe nga moshtarët e tij, në vend të plazhit, fotove të ndryshme në facebook, instagram apo snapchat me Jet Sky, shampanjë, birra dhe shkuma party, ai preferoi në pikun e vapës, atje ku temperatura shënonte më shumë se 37 gradë, të punojë për të siguruar një grusht të vogël parash për familjen dhe veten.
Arditin e ri, jeta e privoi nga qejfet e momentit dhe harbimet e moshës, në vend të luksit dhe fotove për të treguar luksin, ai zgjodhi me vetëdije një jetë tjetër, punën. Pa e ditur aspak, se pikërisht ajo që pritej ti sillte ca çaste gëzimi, do shndërrohej në vdekjen e tij.
Kjo stinë e nxehtë ka sjellë nga veriu në jug dhjetra skena të ndryshme me të rinj që harbohen e xhelozojnë njëri-tjetrin për luksin e tepruar që reklamojnë e shpërndajnë anekënd vendit. Madje në shumë raste, janë vënë re, të rinj që vjedhin, të reja që lidhen me të dashur me lek dhe makina luksoze për të qenë në Top Listën e djemve dhe vajzave vipa në plazhet e Vlorës apo të Sarandës. Ndërsa, në shumë raste të tjera, prindër të ndryshëm, por edhe media, janë ankuar për mungesë modelesh të shëndosha në këtë shoqëri që ecën kaq rrëmbyeshëm. Por mjaftoi vetëm kaq, pra një vdekje, për të kuptuar paaftësinë tonë. Paaftësinë për të orientuar jo vetëm të tjerët, po dhe vetveten në shumë raste.
Ky djalosh që dita-ditës po niste të hidhte shtat u bë simbol i përpjekjes për mbijetesë dhe ku fati, jeta apo rrethanat e punës e sfiduan, u dorëzua duke lënë një shije të hidhur për të gjithë ne të tjerët, që ecim e ecim, duke harruar çdo ditë pak e nga pak.
Me shumë gjasa, 17 vjeçari Gjoklaj, ka ndërruar jetë në rrethana tepër makabre.
Me sa duket, dëshira për të fituar, kishte avancuar aq shumë sa beteja mes jetës dhe vdekjes, mori fund njëherë e përgjithmonë. Pikërisht ky përbindësh, pra, dëshira për të fituar me çdo mjet, pa rregulla, pa respektim ligji, kodi, profesionalizmi është bërë licensa e vetme e punës në biznesin shqiptar. Pronarët e bizneseve në vend, për hir të fitimit, janë të gatshëm të marrin edhe jetë të reja njerëzore. Punonjës të pakualifikuar, në shumë raste, minorenë dhe të paguar keqas, e në të zezë janë armata më e re e krahut të punës.
Po shteti ku është? Kush i kontrollon këto biznese që marrin jetë të reja njerëzore, kush i kontrollon kontratat e punës, mbi të gjitha, kush mban përgjegjësi për një vedekje kaq të dhimbshme?
Askush!
Dëshira për të fituar, pavarësisht kostos që merr, i ka shndërruar shumë biznese në përbindësh. Ato s’pyesin fare për rregulla dhe ligje. Duke kontribuar aq shumë në degradimin jo vetëm të vetvetes, por edhe të imazhit të funksionimit të shtetit. Biznesi, në shumë raste, nuk pyet për rregulla në lojën e tij edhe pse është i gatshëm të marrë jetë njerëzore.
Pas kësaj tragjedie, shqiptarët si asnjëherë tjetër nuk kishin ndjekur me kaq tmerr udhëtimin e tij të dhimbshëm drejt vdekjes. Cilido nga ne që u bë dëshmitar i këtij lajmi, në njëfarë mënyre, të kësaj beteje për jetën, u pikëllua pamasë; saqë sytë na u mbushën më lot, kurrë më parë nuk kishim ndier të binte, aq ëmbëlsisht edhe aq dhimshëm, pikë e nga një pikë, gjakun e Arditit në zemrën tonë.
Sepse ai, për t’u ngjitur deri në majë të suksesit, te dinjiteti njerëzor, iu desh të kalojë nga të gjitha etapat e njeriut që përpiqet. Ndaj dhe dhimbja e tij na duket e njohur, ndaj e ndiejmë porsi të ishte e jona, ndaj fundi i tij, na ngjan me fundin tonë të ardhshëm.
Çdo çast i Aridtit është betejë dhe shpresë. Duke na ndihmuar të duam atë që është thellësisht njerëzore, si dhe të ndjekim vuajtjet e tij si të jenë vuajtjet tona. Po të mos kishte thellë brenda vetes elementin e ngrohtë njerëzor, kurrë nuk do na e prekte dot zemrën me kaq siguri e ngrohtësi; dhe nuk do na kishte bërë dot të ndjehemi aq fajtor se sa sot./Opinion.al