Home KRYESORE E habithme! Ari që kërkohet në Gorë/Kukës

E habithme! Ari që kërkohet në Gorë/Kukës

Nga Azem Parllaku

Kryesisht janë shqiptarët e Maqedonisë ata që, më së shumti kërkojnë gjurmët e pasurive të fshehura në nëntokën e bjeshkëve nga Vraca deri në Gjallicë. Intelektualë, të punësuar e të papunë, argjendarë e taksistë, mjekë e inxhinierë, të rinj e të vjetër, që të gjithë rendin në kërkim të arit të fshehur, duke profilizuar kështu “Indiana Xhonsin” shqiptar të kohëve moderne. Të gjithë besojnë se, diku mund të gjendet diçka, që “detyrimisht” dikush mund t’a këtë fshehur në të shkuarën.

“Në këto anë ka pasuri të fshehura, veçse duhet gjetur saktë vendi ku janë”, thotë B.H, i diplomuar në degën e Urbanistikës në Universitetin e Beogradit. Kontakti i tij me një të njohur nënshtetas serb, ky me gjasë arkeolog, ka motivuar urbanistin nga Tetova, t’i krehë pjesë-pjesë këto anë, me një mesatare dy javë, tashmë shtatë vjet. Ndërsa ai rezervohet të rrëfejë deri në detaje, zbulon se nipin e tij ndihmësmjek, e ka joshur të verojë si bari i një tufe të madhe gjedhësh, në njërin prej staneve nën këmbët e Vracës.

Ajo çfarë B.H, kërkon është pesha e monedhave të arit, të grabitura në Beograd nga dy kusarë serb në bashkëpunim me një shqiptar, të cilët ishin bërë bashkë 120 vjet më parë, e kishin venduar, që plaçkën me vlerë t’a groposin në të djathtën e një përroi.

Një hartë e sajuar, që më tepër i ngjan një vizatimi të një morie shenjash dhe emrash vështirësisht për t’u dëshifruar, “vlen më shumë se thesari që kërkojmë” thotë urbanisti, ndërsa e ka të ndaluar t’a hapë të plotë hartën e tij, edhe për bashkëpunëtorët më të ngushtë. Sipas tij, nëse do gjendet thesari i fshehur sipas kësaj harte, është vetëm fillimi, mbasi bashkë me pasurinë e fshehur do të zbulohet dhe një hartë e re dhe e saktë, e cila të çon në disa vende të gërmimimeve të sigurta fitimprurëse.

Një student nga Prizreni në Universitetitin e Arteve të Tiranës, më prezantoi me urbanistin nga Tetova, i cili më kërkoi t’a shoqëroja në një udhëtim deri në Zlipotok, një fshat i Gorës së Komunës të Dragashit. Një rrugëtim jo i gjatë, pse jo dhe disa orë “zëre se ke shkuar në kinema për të ndjekur premierë të aventurave”. Në Zlipotok, sipas B.H duhet realizuar një takim njohës me Z.K një i moshuar në këtë fshat, i cili mendohet që ka informacion më të zgjeruar sa i përket dëshifrimit të shenjave dhe emërtimeve të hartës që posedon B.H.

Mbasi kishim pirë gotat e çajit të boronicës, biseda ngadalë po bëhej gjithnjë e më “interesante”. Mënyra sesi i moshuari nga Zlipotoku rrëfente episodet e asaj aventure të intrigonte, pse jo të besoje se nga të gjitha ato që ai, po thonte mbase kishte diçka të vërtetë.

Sipas Z.K para vitit 1999, nuk guxonim të flisnim për pasuri të fshehura, mbasi kërkimi i tyre ishte i ndaluar nga regjimi i Beogradit, ku më e mira ishte dënimi me burgim, nëse të diktonin se, je vënë në kërkim të ndonjë thesari. Ne kërkuesit thotë ai: “Besojmë se gjysma e pasurisë fle nëntokë, teksa sot kërkojmë në bazë të hartave të sakta, duke përdorur dedektorë të sofistikuar, mbi të gjitha duke bashkëpunuar me individë të besuar, si dhe duke i ndarë drejtë përgjegjësitë dhe përfitimet”.

Ndërsa njihet me informacionet që përmban harta, vetëm 60-70% e tyre janë të sakta thotë gorani i moshuar. “Tre janë pasuritë më të mëdha që janë groposur në këto anë, ndërsa kërkuesit janë shtuar, por deri tani asgjë nuk kanë mundur të zbulojnë. Dje i kishim frikën regjimit, sot KFOR-it, ky i dyti nuk të burgos, por të sekuestron dedektorët ende pa filluar kërkimin, siç dhe ka ndodhur në shumë raste, kryesisht në Opojë”, tregon më tej Z.K.

“Ka pasuri më të vogla siç dhe janë gjetur pas shumë viteve nga ana e trashëgimtarëve, bëhet fjalë për disa të tilla”. Ajo që ishte interesante ishte rasti, kur një shtetas austriak në vitin 2006, kishte udhëtuar me një borjan të diasporës dhe kishte gërmuar 3 km në jug të Shishtavecit, po kështu dhe në vjeshtën e vitit 1999, një shqiptar nga Shkupi, nuk u lodh aspak, kur mori amanetin e stërgjyshit të tij, ngjitur me një burim uji në perëndim të Kallabakut.

B.H këmbëngul të mësojë sa më shumë për rastin e para 120 viteve, “e vërteta” është se; vetëm tre nga pesë shenjat janë të sakta, dy të tjerat; njëra “uji i keq” është e dyshimtë, ndërsa tjetra, pothuaj e pamundur të identifikohet, mbasi ka të bëjë me pozicionimin në kohë dhe hapsirë.

Cilat janë tre pasuritë, për të cilat flet Z.K, e që janë të fshehura kryesisht në;

Monedhat dhe këmbana e kishës

Bëhet fjalë për një sasi të konsiderueshme monedhash sasia më e madhe e tyre prej argjendi e groposur në Dushkaj të Novosejt, ndërsa këmbana e kishës e larë në ar, është e groposur në lindje të pyllit të Shishtavecit.

Varri i veçantë

Një pasuri e cila mendohet të jetë bullgare, e groposur në një nga varrezat publike të zonës. Varri ka një gur të gdhendur, ndërsa është i pozicionuar ndryshe. Në vitin 2008-2009 një grup “studiuesish” nga Bullgaria, kanë bërë vëzhgime. Duke marrë parasysh se pasuria është e vendosur në një varrezë publike, kërkuesit bullgarë, nuk kanë mundur të bëjnë skanimin e nevojshëm, mbasi janë dekonspiruar, për më tepër ndjeshmëria e publikut për një rast si ky, është shumë e konsiderueshme.

Paga tremujore e 180 askerëve

Është një sasi monedhash ari dhe argjendi, të cilat transportoheshin nga Prizreni për në këto anë. Mendohet se ato nuk mbrritën në destinacion, mbasi njëri prej katër truprojave të sigurisë, vrau tre bashkëshoqëruesit e tij, më tej e ka fshehur “barrën” e njërit prej kuajve diku në jugperëndim të Glloboçicës, ku një prej pikave të orientimit është “Guri i Shqipes”.

Për të tria këto pasuri thotë Z.K, “ekzistojnë të dhëna të sakta, që dihen nga vetëm pak njerëz, ku më interesante është se asnjëri prej tyre, nuk është banori i këtushëm, e nuk i ka shkelur këto anë”. Kërkuesit sidoqoftë kanë frikë nga mallkimi i atyre që i kanë fshehur këto thesare, po kështu një tjetër rrezik është dhe prania e helmeve që ata i vendosën bashkë me monedhat dhe stolitë e çmuara.

Share: