LETËR E HAPUR DREJTUAR Z. RAMA!
Përshëndetje z. Kryeministër, uroj të jeni duke kaluar pushime të mbara në këto ditë gushti. Duhet të pushoni mirë sepse ju pret një vit elektoral, që në gjykimin tim modest do të jetë goxha i vështirë si për ju, si për aleatët tuaj, ashtu dhe për kundërshtarët tuaj. Mirëpo mos u shqetësoni Z. Kryeministër, e vështirë më së shumti do të jetë për ne që do të hedhim këtë votë të bekuar drejt disa alternativave aspak shpresëdhënëse.
Unë që po ju shkruaj jam një studente në Fakultetin e Ekonomisë, dega Informatikë Ekonomike dhe gjithashtu jam një ndër ata shumë të rinj që në vitin 2013 besuam fuqishëm në një Rilindje të dytë të vendit. Letra të tilla ju Z. Kryeministër merrni me dhjetëra në ditë dhe nuk besoj se do ju bëje përshtypje, ndaj dhe unë dua të ndalem në një problematikë shume specifike që miqtë e mi te zhgënjyer qe ju kanë shkruar më parë nuk e kanë prekur shumë.
Në vitin 2013, sapo ju morët pushtetin në dorë, ndryshimi i parë dhe i menjëhershëm që u vu re, ishte mbyllja e shume kazinove ne qytetin e Tiranës. Shikoja gra të lumtura qe ju bekonin për ktë fakt, nuk e kuptoja qarte arsyen të them të drejtën duke qenë se nuk njihja njerëz që luanin, nuk e dija si funksiononte, dhe kur nuk të dhemb diçka nuk i kushton rëndësi. Mbaj mend vetëm që pas disa muajsh të njëjtat kazino u rihapen serish dhe lumturia zgjati shumë pak.
Gjatë këtyre 3 viteve kam dëgjuar shumë rreth kësaj manie, apo sëmundjeje, apo varësie te shumë individëve ne lojërat e fatit, në përgjithësi janë meshkuj ata që e vuajnë më shumë. Them e vuajnë se pavarësisht bindjes sime kundër këtij fiksimi, i kuptoj mjaft mirë pse shtyhen aty:
“Shoku ka makinë, unë nuk blej dot abonenë; Filani e coi vajzën me studime në Angli dhe unë nuk po i paguaj dot tarifen e shkollës; Unë po punoj 12 orë pa asnjë ditë pushim dhe vetëm po ha bukë, komshiu ikën sa në Jalë sa në Himarë pa punuar fare; Tjetri ka 3-4 shpija dhe unë me zor po paguaj qeranë”
Dhe duke qenë se ju mungon guximi të thyejnë ligjin që të fitojnë të ardhura pa punuar shumë, si një % e konsiderueshme në këtë vend, drejtohen në ato lojra.
Për ktë nuk ju fajësoj juve Z. Kryeministër, i ka kapitalizmi këto pasoja. Por ama ju duhet të mbani përgjegjësi për jetën e qytetarëve te vendit tuaj. Ju kishit në plan ti mbyllnit kazinot dhe të hapeshin në një vend të caktuar të gjitha, dhe jo në këtë mënyrë sic është tani, nje furre buke një kazino. Ata po pasurohen duke konsumuar bukën e shumë familjeve në Shqipëri dhe duke shkaktuar divorce, zënka, vrasje e vetëvrasje.
Sot në Shqipëri diplomohen me dhjetëra psikologë në vit që përfundojnë pa punë, nuk jam për të dhënë mend por me ngritjen e qendrave të rehabilitimit do të vrisnit shumë zogj me ktë gur.
Studentët e diplomuar do të punësoheshin, do të minimizonit këtë fenomen (nëse bëhet dhe spostimi i tyre në një territor të caktuar), do të kishte më pak divorce, do të bënit diçka të mirë.
E di që u zgjata pak si për ju, dhe për lexuesit e tjerë, dikush që nuk e njeh si rast nuk do ta kuptoje, dikush që po e përjeton me shokun, te dashurin, bashkëshortin, kushëririn, babain apo vëllain do ndihet deri diku i ngushëlluar për faktin që mëson se nuk është i/e vetmi/ja që po e vuan.
Z.Rama këtë letër ua dërgova ju si Kryeminister i vendit, por do t’ua dërgoj dhe z. Meta apo z. Basha pas një viti nëse ndryshon pushteti dhe nuk ndryshon situata. Gjithsesi, duke ju uruar pushime sa më të mbara dhe një fushatë të suksesshme, uroj të përfundoni atë që nisët në fillim të mandatit.
Nga: M.L.