Kryeministri, në mbarim të sezonit, guxon të qaset në Vlorë, mbasi ka marrë mesazhe zhgënjyese pa fund, nga vlonjatët dhe pushuesit e coroditur nga punimet e hapura dhe zigzaget e pakuptimta.
Por ai shpegon sipas mënyrës së tij, të pashpegueshme. Mediat bëjnë kusurin. Ndërsa Benet Beci i përjetshëm, bën shoqëruesin dhe mazhordomin e përhershëm.
Rama : “Kjo është një vepër shumë komplekse me shumë detaje në punime inxhinjerike të jashtëzakonshme për shkak të gjithë problematikë të kanalizimeve që deri dje derdheshin në det, të përmbytjeve që vinin si rezultat i mungesës së kanalizimeve normale dhe mbi të gjitha i domosdoshmërisë për ta transformuar në një vijë bregdetare të standardeve më të lartë të Mesdheut.
Unë jam i bindur që i gjithë ky volum i jashtëzakonshëm pune do të japi rezultat fantastik dhe gjithë ata që nga padurimi lëshojnë romuze dhe fjalë të nxituara kur të mbarojë kjo punë do të thonë që unë s’kam thënë gjë, në e dija që do të dilte bukur, e ka thënë dikush tjetër skam qënë unë. Ajo që ka rëndësi është që të ecim me ritëm dhe me cilësi shumë të lartë dhe këtu përftohen hapësira spektakolare që deri dje ishin ose të bllokuara nga ndërtime abuzive ose ndërtime tërësisht jashtë çdo lloj kriteri ose nga ferra dhe ujëra të zeza ose nga braktisja totale në sipërfaqe të tëra. Është një projekt spektakolar që do të ketë një rezultat spektakolare.
E lidhur ngushtë me ndërtimin e vijës bregdetare është rikonstruksioni i rrugës “Dhimitër Konomi”, një aks jetik i unazës së qytetit. Ky aks siguron një kalim të ri për automjetet jo më përmes lungomares, por trafiku devijohet sipër qytetit. Mbi trasenë ekzistuese, totalisht të rrënuar, po punohet për ndërtimin e një rruge me të gjitha elementet e infrastrukturës europiane. Punimet përfshijnë edhe rehabilitimin e ujësjellësit në këtë segment. Ky aks normalizon edhe trafikun në qytet, i cili veçanërisht gjatë sezonit veror krijon bllokime e vështirësi në qarkullim, me orare të gjata në trafik.
Me plotësimin e infrastrukturës mbrapa do të çlirohet gjithë pjesa përpara sepse nuk është një rrugë për të përshkuar atdheun, por është një rrugë shëtitoreje dhe nuk mund të ketë një shpejtësi më të madhe se sa shpejtësia që imponon kalimi me 2 korsi. Nuk mund të ketë më shumë korsi, sepse ndan në mënyrë brutale gjithë pjesën e jetueshme nga plazhi dhe i kthen në aventura gjithë kalimet e rrugës së atyre që vijnë për të pushuar, ose atyre që jetojnë drejt hapësirës publike dhe patjetër që rruga dytësore që do të ndërtohet, rruga mbrapa dhe rruga lart do të plotësojnë gjithë nevojat për një trafik më normal. Ndërkohë që në kohën e pikut bllokohen autostrada, jo më rrugët e qyteteve turistike që janë gjithmonë të rënduara nga trafiku./360grade.al