Home KRYESORE Edi Rama, vrite turkun brenda teje

Edi Rama, vrite turkun brenda teje

Nga Desada METAJ-

Edi Ramës me ç’duket qartë, i ka humbur çdo instikt prej njeriut, dikur të afërt me median dhe njerëzit mediatikë. Dhe kjo duket kaq qartë që kur reagimi i tij i parë për çdo lajm që nuk i pëlqen, është të përgojojë gazetarët dhe mediat ku ata punojnë. Kështu ka ndodhur dhe me lajmin e publikuar në fillim nga Opinion.al për ambulancat që njëra pas tjetrës shkuan në vilën qeveritare ku ai po pushon së bashku me familjen.

Së pari, Edi Rama si europianist i vjetër e di mirë se në çdo vend të qytetëruar kur shihet lëvizje mjekësh në vendin ku rrinë krerët e shteteve, edhe media lëviz me mekanizmat e saj. Këtë treguan fotot e publikuara ku dukej qartë ambulanca pranë banesës së tij. Informacionet për hyrje dhe dalje të mjekëve janë gjthashtu prezente për shkakun e thjeshtë se vila ku ai po pushon ndodhet shumë pranë zonës ku ka pushues. Në mënyrë njerëzore disa media që nuk kontrollohen nga qeveria publikuan këtë lajm, duke referuar në të njëjtën kohë dhe burimeve pranë kryeministrit që përgënjeshtronin për ndonjë të sëmurë. Edhe pse brenda etikës në fakt, askush nuk lajmëroi për persona të sëmurë apo që kishin marë ndihmën mjekësore.

Së dyti, informacionet e stafit të tij të afërt se gjendja shëndetësore e kryeministrit është krejt normale u botuan pa vonesë nga media, sikundër dhe reagimi i Ministrisë së Shëndetsisë se lëvizja e ambulancave ka qenë pjesë e ritualit për personalitetet e larta shtetërore. Dhe deri këtu çdo gjë duket krejt korrekte. Por jo, duhet të kalonin disa orë që kryeministri të rehabilitohej shpirtërisht nga tronditja dhe të komunikonte me gjuhën e cinizmit me qytetarët, shumë prej të cilëve mund të ishin realisht të shqetësuar për këtë lajm.

Edi Rama nuk zgjodhi të heshtte apo të tregonte fare qartë apo me nje foto të ngjashme si ajo me Toni Bler që nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar. Marrdhëniet e cunguara të Edi Ramës me të vërtetën ngritën krye dhe zgjodhën të godasin median edhe pse më e qartë do të kish qenë të shkruante thjesht “jam mirë”. Edi Rama nuk e vrau mendjen për asgjë tjetër vetëm se të sqaronte popullin se ka një media që nuk di të informojë, nuk di të bëjë lajme. Edi Rama e humbi qetësinë e pushimeve dhe zgjodhi të godasë ata që nuk i urdhëron dot nga telefoni (sepse ministrat e tij i ka rrotull në plazhet e jugut). Sepse ky është shqetësimi i tij më i madh, të mos ketë kontroll mbi ato që shkruhen.

Edhe pse ndoshta këto janë të vetmet momente kur ai harron që është kryeministër, e jeta e tij private nuk është më kaq private dhe që publiku ndoshta duhet të mësojë ca të vërteta ndryshe nga ato që servir Edi Rama dhe enturazhi i tij në TV apo rrjete sociale. Ndaj dhe këshilltarët e tij nxituan të fshijnë çdo koment negativ në statusin e kryeministrit ku fjala “meazellah” dukej se ishte shkëputur nga fjalori i “vëllait” Erdogan, për t’u sjellë si një Erdogan i vogël me veshje perëndimore.

Cinizmi i panevojshëm i Edi Ramës me median, që nxjerr krye shumë shpesh, më shumë se gazetarët nervozon kreun e qeverisë. Sepse “këneta moçalore” sikundër ai e përshkruan median, është pa dyshim edhe vepër e tij. Sikundër cinizmat e panevojshme në marrdhëniet me shtypin tregojnë haptas nervozizmin e një kryeministri që i ndodhur përballë problemeve (jo shëndetsore), zgjedh të jetë batutaxhiu i radhës ne spektaklin e keqmenaxhmit jo vetëm të qeverisë, por dhe të marrdhënieve me publikun.

Pavarësisht fyerjeve dhe mallkimeve alla turka të Edi Ramës, media online, me gjithë problemet e veta, do të vazhdojë të ekzistojë si makthi më i madh i Edi Ramës. Dhe ky është rasti, kur batutat e lodhura të një 52 vjecari nervoz, shërbejnë vetëm për të kuptuar zvjerdhjen e një kryeministri me ngjyra.

*Desada METAJ- Kryeredaktore e “Opinion”

Raportimet e Opinion.al :

Fotolajm/Për kë është ambulanca në vilën qeveritare në Dhërmi?

Fotolajm/ Ambulanca para vilës së Ramës, cfarë ka ndodhur me Kryeministrin?

Ambulanca në Dhërmi, nuk ka lidhje me Kryeministrin

Reagimi i Kryeministrit rama status

Share: