Pas largimit të tre lojtarëve kuqezinj me përfaqësuesen e Kosovës (Rashica, Shala dhe Meha), grupet e tifozëve “Plisat” dhe “Ballistët” duket se do të mbështesin Kombëtaren shqiptare të futbollit në eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”.
Grupi i tifozëve tetovar “Ballistët”, do të vijojë të mbështesë Kombëtaren shqiptare, paçka se në ndeshjet eliminatore luan për herë të parë edhe Përfaqësuesja e Kosovës.
Shqipëria do të luajë më 5 shtator ndeshjen e parë në Shkodër ndaj Maqedonisë, ndërsa Kosova do të luajë me Finlandën në të njëjtën datë. Portali “shqipmedia.com”, citon liderin e “Ballistëve” Krenar Osmanin që thotë se “përkrahja për Kombëtaren shqiptare shkon deri në frymën e fundit”.
Ndërsa në mbështetje të kuqezinjve ka dalë edhe grupi tjetër i tifozëve të Prishtinës, “Plisat”. Edhe ky grup është i njohur për mbështetjen që i ka dhënë Kombëtares dhe sipas një postimi në profilin e tyre në rrjetin social “Facebook”, njoftohet se ka filluar organizimi për ndeshjen e kuqezinjve në stadiumin e Shkodrës./opinion.al