Home KRYESORE Gërrmërri tradicional: veriorët apo jugorët, toskët a gegët…!

Gërrmërri tradicional: veriorët apo jugorët, toskët a gegët…!

Nga Capajev Gjokutaj

Ikja e 2-3 futbollistëve nga përfaqsuesja e Shqipërisë në atë të Kosvës solli vërshimin e një morie diskutimesh. U përmbytën rjetet sociale dhe mediat në këtë stinë të thatë dhe shterpë.
Në pamje të parë diskutohet për talentet në sport dhe në muzikë. Cila gjymtyrë e kombit ka nxjerrë më shumë këngëtarë, futbollistë etj.? Si t’ja bëjmë që këmba e djathtë të fitojë pavarësinë nga e majta?…

Po të gërmosh pak më thellë, krahas absurditeteve të tilla, zbulon se në themel të diskutimeve qëndron gërrmërri tradicional: veriorët apo jugorët, toskët a gegët, shqiptarët e Shqipërisë apo ata të Kosovës?

Ndruaj se shqetësimi që kanë sot shqiptarët lidhur me talentet nuk është: cila pjesë po i kërren. Të fokusohesh këtu do të thotë të nxisësh tifozllëkun krahinor.

Qasje realiste dhe konstruktive mbase do të ishte të niseshim nga një fakt i thjeshtë, aksiomatik: jemi popull i vogël, rrjedhimisht dhe talentet i kemi dhe do t’i kemi të pakta.

Në se ligjërimi fokusohet kështu përparësi marrin pyetje të natyrës: si mund t’i gjejmë dhe përkrahim talentet qysh kur janë fëmijë dmth ç’ndryshime strukturore duhet të bëjmë në shkollë, në jetën ekonomike, shoqërore, sportive etj.

Dhe më tej: ç’politika integrues mbarëkombëtare duhet të ndjekim që ekzistenca e dy shteteve shqiptare të nxisë edhe bashkëpunim edhe konkurencë stimuluese.

Jo ndarje, veçim dhe përjashtim, ushqyer nga paragjykime krahinore me thelb racist.

P.S. Pavarësia e këmbës së djathtë nga e majta, ose anasjelltas, arrihet vetëm në rastin e një dambllaje në kokën e kombit, dmth “elitës”.

Share: