Autoritetet gjermane kanë refuzuar kërkesën e Turqisë për survejimin e aktiviteteve të lëvizjes Gylen në Gjermani. Ndërsa kërkesës për ekstradimin e ish-prokurorëve Öz ve Kara, autoritetet gjermane i janë përgjigjur se “nuk ka asnjë të dhënë që ata ndodhen në Gjermani”.
Nismat më të fundit të autoriteteve turke në lidhje me lëvizjen Gylen kanë dështuar për shkak të mungesës së provave dhe këto iniciativa janë konsideruar si të papajtueshme me ligjin gjerman.
Pas tentativës për grusht shteti të 15 korrikut, Turqia ka ndërmarrë një sërë nismash dhe u ka kërkuar autoriteteve gjermane që të survejojnë veprimtarinë e pjesëtarëve të lëvizjes Gylen, ose të vetëquajtur si lëvizja “Hizmet”.
Ankaraja ka informuar autoritetet gjermane në lidhje me lëvizjen Gylen, të cilën ajo e ka shpallur si organizatë terroriste, duke iu kërkuar që të distancohen nga të gjitha institucionet e kësaj lëvizjeje si dhe të monitorojnë nga afër të gjitha aktivitetet arsimore, kulturore dhe tregtare të kësaj lëvizjeje.
Autoritetet turke i kanë kërkuar agjencisë së intelegjencës kombëtare, Agjencisë për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) që të mbajë nën kontroll çdo aktivitet të kësaj lëvizjeje në Gjermani. Përveç kërkesës zyrtare drejtuar qeverisë federale në Berlin, Turqia ka kërkuar të njëjtën gjë dhe nga landet vendore ku jetojnë minoriteti turk.
Landet vendore refuzojnë kërkesat e Turqisë
Kryeministri i landit dhe kryetari i Bashkisë së Berlinit, Michael Müller dhe Kryeministri i Baden-Wurttemberg, Winfried Kretschmann në një prononcim për mediat në lidhje me kërkesën zyrtare të Turqisë u shprehen se nuk kanë pranuar kërkesën zyrtare për të survejuar lëvizjen Gylen. Sipas tyre, në kushtet kur lëvizja Gylen nuk ka bërë asnjë shkelje ndaj ligjeve dhe kushtetutës gjermane, ndaj saj nuk do të ndërmerret asnjë masë. Ata gjithashtu kanë kritikuar dhe iniciativat e qeverisë turke, duke i cilësuar si ndërhyrje në “punët e brendshme të Gjermanisë” dhe, sipas tyre, Turqia nuk duhet lejuar që problemet e brendshme të saj t’i eksportojë në Gjermani.
Shërbimet sekrete nuk e kanë nën vëzhgim lëvizjen Gylen
Qeveria Federale ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm ndaj kërkesave të Turqisë. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, i pyetur nga DW në gjuhën turke “Si e vlerëson Gjermania kërkësën zyrtare të Turqisë që Agjencia për Mbrojtjen e Kushtetutës të mbajë nën vëzhgim pjesëtarët e lëvizjes Hizmet, të cilën autoritetet turke e kanë shpallur si organizatë terroriste?”, ai iu përgjigj: “Në parim ne nuk komentojmë mbi politikat e vendeve të tjera. Lëvizja Gylen, nuk bën pjesë në listën e lëvizjeve që janë nën vëzhgimin e njësive të Agjencisë gjermane për Mbrojtjen e Kushtetutës”.
Burime nga Ministria e Brendshme e Gjermanisë nënvizuan faktin se Agjencia për Mbrojtjen e Kushtetutës vendos bazuar në kriteret e saj se cilat organizata apo lëvizje do të jenë nën vëzhgim. Burimet theksuan se kushtetuta, kushtetuta dhe ligjet e kanë të përcaktuar qartë kornizën e veprimtarisë së këtij institucioni.
Gjermania bazohet në kriteret e saj
Një zyrtar gjerman tha se “legjislacioni për çështje të caktuara, i cili përcakton kriteret e shqyrtimit dhe vendimmarrjet gjyqësore në disa vendeve të tjera është i aplikueshëm vetëm në ato vende dhe asesi në një vend tjetër”. Sipas të të njëjtin zyrtar “vendimmarrja për të mbajtur nën vëzhgim apo survejim është e mundur vetën nëse përmbushen plotësisht kushtet e parashikuara nga ligji gjerman”. “Dhe ashtu sikundër në rastin e lëvizjes Gylen, nëse nuk përmbushen kushtet e përcaktuara në ligj, nuk mund të ndërmerret asnjë veprim për të mbajtur nën vëzhgim një grupim të caktuar. Vende të tjera mund të kenë bindje të ndryshme”, theksoi ai.
Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme gjermane janë informuar dhe kanë regjistruar vendimet e marra nga Turqia në lidhje me lëvizjen Gylen dhe janë njohur me argumentat dhe provat e pretenduara prej autoriteteve turke. Megjithatë, kërkesat për aktivitetet e lëvizjes në Gjermani janë nën juridiksionin e Ministrisë së Brendshme.
Cilat lëvizje janë nën vëzhgim?
Dispozitat që rregullojnë veprimtarinë e Agjensisë për Mbrojtjen e Kushtetutës, e cila operon nën varësinë e Ministrisë së Brendshme janë të përcaktuara në ligjin për Agjensinë për Mbrojtjen e Kushtetutës.
Agjensia ka në vëzhgim grupet terroriste, lëvizjet politike radikale dhe në mënyrë të veçantë vëzhgon të gjithë veprimtaritë që pengojnë popujt që të jetojnë në paqe. Agjensia kombëtare gjermane e inteligjencës, ka nën vëzhgim aktivitetet e organizatave me lidhje me Turqinë të tilla si PKK, DHKP-C, TKP/ML, MLKP, organizatën Hezbollah, si dhe grupime të tjera nacionaliste. Vlerësimi mbi aktivitetin e këtyre grupimeve bëhet përmes një raporti vjetor, i cili është i aksesueshëm edhe nga opinioni publik.
Agjensia vendos për të vëzhguar veprimtarinë e një grupimi të caktuar në momentin kur ky grupim përbën kërcënim për rendin demokratik, kur qëllimi dhe veprimtaria e këtij grupi është në shkelje të ligjit dhe kushtetutës, kur përbën kërcënim për sigurinë publike ose në rastet kur ato kërcënojnë paqen dhe qetësinë publike.
Nuk ka asnjë fakt për lëvizjen Gylen
Avokatja Seda Bashaj Yëlldëz, e pyetur nga “DW”, u shpreh se në këto kushte është e pamundur që Gjermania të marrë një vendim për të mbajtur nën vëzhgim lëvizjen Gylen. Yëlldëz theksoi se grupimet politike dhe fetare në Gjermani mund të ushtrojnë aktivitetin për sa kohë nuk janë në shkelje të ligjit dhe kushtetutës së Gjermani. Sipas saj, “Lëvizja Gylen deri më tani nuk ka rezulton që të ketë kryer asnjë shkelje ligjore, asnjë krim, të ketë përdorur dhunë apo që të ketë shenja radikalizimi. Për sa kohë që një lëvizje, cilado qoftë ajo, vepron në përputhje të plotë me kushtetutën, në përputhje të plotë me demokracinë dhe lirinë, ajo nuk mund të ndalohet apo të mbahet nën vëzhgim”.
Kërkesa për ekstradimin e dy ish-prokurorëve
Lajmet e mediave turke që shumë pjesëtarë të lëvizjes Gylen janë arratisur në Gjermani dhe se Turqia ka kërkuar ekstradimin e tyre, nuk janë konfirmuar nga autoritetet gjermane dhe ato turke. Zyrtarët e të dy vendeve kanë konfirmuar që është kërkuar ekstradimi i dy ish-prokurorëve Zekerija Öz dhe Xhelal Kara.
Duke pretenduar se dy ish-prokurorët janë arratisur në Gjermani, Ankaraja vitin e kaluar ka kërkuar nga Gjermania ekstradimin e tyre. Mirëpo, përgjigja zyrtare e Berlinit ishte se “Nuk kemi asnjë dijeni që personat në fjalë ndodhen në Gjermani”. Sipas vëzhguesve politikë, duke u përgjigjur në këtë mënyrë, Gjermania ka shmangur që në fillim një krizë të mundshme mes dy vendeve për ekstradimin e tyre. Për shkak të mungesës së informacioneve, dëshimeve apo fakteve konkrete, Gjermania ka shtyrë në kohë dhe ka shmangur një përballje me palën turke për këtë çështje.
Sipas juristes Yëlldëz, autoritetet gjermane zhvillimet e fundit në Turqi i konsiderojnë si një luftë të brendshme politike dhe analizat janë të përqëndruar kryesisht në këtë pikë. Ndërsa duke komentuar çështjen e ekstradimit të tyre, Yëlldëz thotë se që kërkesa për ekstradim të pranohet nga autoritetet gjermane, akuzat ndaj personit në fjalë duhet konsiderohen si shkelje edhe të ligjit gjerman dhe se vendi që kërkon ekstradimin e personit në fjalë duhet të respektojë të drejtat e njeriut.
“Gjermania jo vetëm në rastin e kërkesës së Turqisë, por dhe në raste të kërkesave për ekstradim nga vendet e tjera, vlerëson nëse ajo për të cilën akuzohet personi është apo jo krim sipas legjislacionit gjerman. Për shembull, një veprim që mund të konsiderohet krim në Turqi, mund të mos konsiderohet i tillë në Gjermani. Dhe në këto kushte Gjermani nuk pranon ekstradimin e këtij personi. Përveç kësaj, nëse ajo për të cilën akuzohet personi në fjalë përbën krim edhe në Gjermani, autoritetet e shikojnë me përparësi dhe nëse vendi që kërkon ekstradimin aplikon dënimin me vdekje apo jo, si dhe nëse i nënshtrohet një gjykimi të pavarur ku nuk ushtrohet dhunë apo jo torturë”. DW