Home KRYESORE Gushti i fundit i dyshes Meta-Rama?

Gushti i fundit i dyshes Meta-Rama?

Nga Spiten Prulli

E sigurtë është se e majta rri në pushtet vetëm nëse PS dhe LSI janë bashkë në fushatën e ardhshme elektorale. Në të kundërt mbetet krejt e sigurtë që PS-ja kalon në opozitë të gjatë. Por nga kulisat dhe nga oreksi i madh i PS-së për të marrë gjithçka nga sofra e së majtës ka mundësi që ky muaji gusht të jetë gushti i fundit i martesës PS-LSI.

Shumë aktorë në PS turren dhe fryjnë në vesh kryeministrin Rama se LSI po na kushtëzon, se pa LSI mund t’i kemi të gjitha vendimet në dorën tonë, se pa LSI mbretërojmë gjatë,etj etj. Se pa LSI kemi edhe Presidentin e Republikës në qershor 2017. Pa LSI kemi gjyqësorin e vettingun, kemi prokurorinë, kemi shtetin!

Kjo idiotsi që ka kapluar kryeministrinë dhe një pjesë ministrash, bile edhe kupolën rozë, po çon në përplasje finale mes Ramës e Metës. Ndërkohë kreu i LSI i është shmangur me kujdes përplasjes, pasi siç deklaron ai të paktën publikisht se respekton fjalën, marrëveshjen, paçka se ka mosmarrëveshje për mënyrën e qeverisjes. Prishjen e paktit të “1 prillit 2013” e filloi i pari Edi Rama.Fryu çështjen CEZ-DIA, e pompoi “skandalin” me disa media që financohen prej tij në mënyra të ndryshme,(të cilat i shpjegon mjeshtërisht analisti Andi Bushati), hodhi në veprim ministrin Tahiri me përgjime të paligjshme, ku për pak u sakrifikua edhe drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Haki Çako, kërkoi të shkonte në zgjedhje për 45 ditë me mocion besimi, luajti të gjitha kartat që PD-ja të merrte damken antiamerikane nga Departamenti i Shtetit, bleu deputetë nga PD për shifrën 71 dhe mikloi çamët; u bë gati të hidhte LSI-në me idenë se i vetëm me Shpetim Idrizin do të merrte pushtetin këtë pranverë.

Por asnjërën nuk e realizoi dot Edi Rama. Pala tjetër, Ilir Meta, shtrëngoi dhëmbët, mori pamjen e një njeriu që nuk do sherre (ndërkohë që rrijnë të dy me brekë çeliku), rrezikoi të digjte karrierën e tij politike me insistimin që reforma duhet të bëhet patjetër edhe me opozitën, dhe ia arriti; bëri që klima në PD të mos jetë më agresive ndaj tij që pas prillit 2013, faktorizoi indirekt Lulzim Bashën. Faktorizimi i Bashës solli uljen e kuotave të kryeministrit mik-armik.

Tani janë në pushime verore të gushtit të dy. Edhe Meta, edhe Rama. Po rreshkin lekurën për dimrin e këtij viti dhe po shikojnë llogaritë sejcili për partinë e vet.Llogaritë Metës i dalin në të dyja krahët si faktor qeveribërës. Edhe me PS, edhe me PD.

Ndërkohë që Edi Rama nuk e do më partneritetin me Ilir Metën. Të paktën nga mënyra se si flet, se si ka luajtur në kulisa kundër tij. Dhe nga egoja që të ketë gjithçka nën kontroll. Ndërsa Basha ka lëshuar sinjale të tipit “mors” që janë kapur nga kreu i LSI.

Nëse shikon marrëdhëniet mes kreut të PS-së dhe kreut të LSI duket si gushti i fundit bashkë. Por se si do shkojnë marrëdhëniet varet me shumë nga opozita, e cila nëse këtë vjeshtë fillon mitingje që do të sjellin “kushtet për qeveri teknike” atëhere “1 prilli” nuk përsëritet më në prillin 2017.

Nëse PD bën mitingje vetëm në “facebook”,  mbetet që të dy miq-armiq të nënshkruajnë të detyruar “1 prillin” tjetër.

Martesë për “kalamajtë” e jo nga dashuria !/Koha Jone

Share: