Më 30 gusht, ligji për rivlerësimin e gjyqtarëve e prokurorëve miratohet dhe me botimin në Fletoren Zyrtare hyn në fuqi, duke i hapur rrugë procesit të kalimit në skaner, që nga pasuria, vendimet, lidhjet kriminale, etj. Por teksa disa prej tyre do penalizohen nga vetingu, do të duhet që të japin llogari edhe te Prokuroria Speciale Antikorrupsion. Sipas ligjeve, të gjithë ata gjyqtarë dhe prokurorë, për të cilët ka indicie korrupsioni, fshehje pasurie apo lidhje kriminale, do kalojnë në hetimi…
Numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të preken nga vetingu dhe nga ligji antikorrupsion pritet që të jetë i madh, teksa shumë prej tyre janë tashmë të njohur për publikun shqiptar. Gazeta Sot publikon emrat e rreth 20 gjyqtarëve, të cilët duket se do të kenë telashe me drejtësinë. Bëhet fjalë për emrat e 20 personave të akuzuar për fshehje pasurie, korrupsion dhe vepra të tjera.
Sipas përcaktimeve në ligjin e vetingut, ata do e kenë vështirë që ta kalojnë atë, por duket se pasuria e tyre do kalojë në sitë nga SPAK, sepse bëhet fjalë për rreth 5 milionë dollarë që janë fshehur prej tyre brenda dhe jashtë vendit, si dhe troje, toka e shumë banesa. Gjyqtarët e mëposhtëm janë kallëzuar në prokurori për fshehje pasurie, teksa disa prej tyre janë pezulluar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për vepra të tjera dhe disa janë arrestuar. Ka dhe nga ata që i kanë shpëtuar drejtësisë dhe ose kanë dalë të pafajshëm në Apel, ose dosjet e tyre janë mbyllur. Por duket se këta do të jenë objekti i parë i ligjit të vetingut dhe i ligjit për institucionet antikorrupsion.
Në total numri i zyrtarëve që janë me dosje për korrupsion është rreth 600, përfshirë këtu dhe kallëzimet që ka bërë KLSH. Gjin Gjoni, anëtar i KLD, Gjin Gjoni është paditur nga ILDKP se ka fshehur mbi 2 milionë euro pasuri, por ai në gjykatë doli i pafajshëm dhe mënyra si u mor vendimi solli shumë reagime. Për këtë arsye për të do ketë një kontroll të rreptë gjatë vetingut, teksa pritet që dosja të rihapet nga SPAK. Shyqyri Çobo, i cili është pezulluar nga detyra për shkak të ngacmimeve seksuale. Por përveç kësaj, ai është kallëzuar më herët dhe për fshehje të pasurisë. Bëhet fjalë për llogari me rreth 350 mijë dollarë si dhe prona e banesa. Alaudin Malaj, ish-kreu i Gjykatës së Apelit. Edhe ai është i kallëzuar për fshehje të rreth 2 milionë dollarëve.
Për këtë arsye, vetingu pritet që të jetë i ashpër me të, teksa dosja do kalojë te SPAK. Pra, shifrat janë interesante se vetëm Gjin Gjoni dhe Alaudin Malaj kanë fshehur rreth 4 milionë dollarë, teksa të tjerët kanë fshehur shuma me qindra mijëra euro. Në shifrën prej 5 milionë euro nuk futen banesat, trojet dhe automjetet, pasi bashkë me to shifrat janë kolosale. Shpresat janë që me ngritjen e SPAK gjyqësori të pastrohet një herë e mriz nga korrupsioni dhe të mbizotërojë drejtësia. /Javanews.al/
20 gjyqtarët e kallëzuar për fshehje pasurie:
- Shyqyri Çobo
- Shpëtime Pitaku
- Alaudin Malaj
- Petraq Çuri
- Adelina Zarka
- Petrit Aliaj
- Rasim Doda
- Enkeleda Doda (Kashuri)
- Tomorr Kullolli
- Besnik Qira
- Qani Hasa
- Petref Asllani
- Osman Aliu
- Ardian Kalia
- Gjin Gjoni
- Klorida Çela
- Ken Dhima
- Ibrahim Hoxha
- Neritan Tabaku
- Shtjefën Lleshi