Nga Fatjona Mejdini/BIRN
Dy vjet pas operacionit të gjerë të policisë në fshatin “e paligjshëm” të Lazaratit në jug të Shqipërisë, ndalimi i kultivimit të kanabisit mbetet një biznes i papërfunduar.
Çdokush në Shqipëri me njohuri në biznesin e kanabisit e di se qershori dhe korriku janë muajt kyçë. BIRN mësoi se pas mbjelljes së farave në fund të majit, aty diku mes fundit të qershorit dhe fillimit të korrikut nisin të korrat e para. Në botën e kanabisit, kjo njihet si periudha e shkurtër, pasi bimët rriten shpejt por janë gjithsesi të vogla dhe prodhimi është i pakët.
Këta muaj janë të rëndësishëm për një tjetër fazë gjithashtu. Në qershor dhe korrik, bimët e reja janë mbjellë dhe duan të paktën 5 muaj që të rriten plotësisht. Ato nuk janë gati për t’u mbledhur deri në tetor ose në nëntor, por prodhimi i tyre është i bollshëm dhe kultivuesit e drogës mund të presion shuma serioze parash.
Për këtë arsye, departamentet e policisë në Shqipëri, përgjegjëse për luftën kundër narkotikëve janë të zënë në këtë periudhë të vitit.
Rrallë kalon ndonjë ditë pa raporte të freskëta të policisë për shkatërrimin e mijëra bimëve të kanabisit gjithandej nëpër Shqipëri.
Dy vjet më parë, policia përfundoi një prej fushatave më të rëndësishme kundër kultivimit të bimëve narkotike në një fshat të largët në jug të vendit. Pas një beteje disa ditore me vendasit, ata hynë më në fund në Lazarat, fshatin më famëkeq të vendit për kultivimin e kanabisit.
Tonelata bimësh u sekuestruan dhe u shkatërruan, ndërkohë që operacioni mori vëmendje ndërkombëtare dhe vlerësim prej aleatëve të Shqipërisë.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe kreu i policisë deklaruan se ishin të vendosur të luftonin tregtinë e narkotikëve dhe shtuan se vendi “kishte hapur një faqe të re në histori”.
Dy vjet më pas, gjithë sa duket se ka ndryshuar është gjeografia e fenomenit.
Raportet e fundit të policisë mbi plantacionet e shkatërruara tregojnë se kultivimi është i përhapur gjerësisht në vend.
Zv.drejtori i përgjithshëm i policisë, Altin Qato i tha BIRN se edhe pse vitet e fundit kanë shënuar një rënie domethënëse të sasisë së kanabisit që kalon në vendet fqinje, fenomeni i kultivimit mbetet shqetësues.
Ai tha se deri në mes të qershorit, policia ka shkatërruar një sasi më të madhe bimësh kanabisi se e njëjta periudhë e 2015-s.
Qato tha se 367 parcela me 326,000 bimë janë shkatërruar deri tani këtë vit.
“Kemi identifikuar më pak parcela se sa vitin e kaluar, por me sipërfaqe më të mëdha të kultivuara,” tha ai.
Qato theksoi se si rezultat i aksioneve të policisë, 222 çështje të kultivimit të kanabisit janë hapur, por vetëm 41 për qind prej tyre kanë autorë të identifikuar.
Edhe pse policia shkatërron sasi të mëdha marijuane çdo vit, është e paqartë se sa prej saj mblidhet dhe më pas përfundon në tregun lokal apo ndërkombëtar të drogës.
Raporti Ndërkombëtar për Strategjinë e Kontrollit të Narkotikëve i vitit 2016, i publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit e përshkruan ende Shqipërinë si një vendburim të madh në prodhimin e marijuanës.
“Sipas policisë shqiptare, gjatë 10 muajve të parë të 2015, sasia e marijuanës së sekuestruar ishte 6.87 tonë,” shkruhet në raportin e SHBA.
“Një përpjekje e vazhdueshme për çrrënjosjen e saj në vend shkatërroi gjithashtu 689 815 bimë marijuanë në 44 hektarë tokë të identifikuara nga vëzhgimet ajrore të italianëve,” thuhet në raport.
Mbjellja e kanabisit në tokën e askujt:
Kultivimi i kanabisit është një aktivitet kriminal në Shqipëri me pasojë burgosjen nga 3-10 vjet. Bashkëpunimi apo financimi i organizuar i kultivimit të drogës shkon deri në 15 vite burg.
Ndërkohë që numri i bimëve të shkatërruara është i lartë, përqindja e identifikimit të autorëve të këtij aktiviteti është shumë e ulët.
Shumica e zonave ku policia ka gjetur sipërfaqe të mëdha të mbjella me kanabis janë tokë shtetërore. Kriminelët duket se e kanë ndryshuar strategjinë në vitet e fundit, ndërsa i mbjellin bimët e tyre në tokën e askujt-përgjithësisht pyje apo shpate malesh të largëta.
Burimet i thanë BIRN se kjo strategji po jep fryte për përfituesit nga kanabisi, sa kohë që ata harxhojnë veçse disa qindra euro për të mbjellë sipërfaqe të mëdha.
Nëse puna mbyllet me sukses, ata mund të fitojnë dhjetëra mijëra euro. Por nëse policia shkatërron bimët, ata nuk rriskojnë më shumë se ato disa qindra euro të harxhuara.
Andi Dura, një avokat dhe pedagog i drejtësisë penale në Universitetin Europian të Tiranës i tha BIRN se një ndër arsyet kryesore pse parandalimi po dështon në Shqipëri është se policia nuk ka mbledhur prova të mjaftueshme mbi autorët e vërtetë të kultivimit.
“Një nga arsyet që ka rritur kultivimin e kanabisit në vend është pandëshkueshmëria, si rezultat i cilësisë së ulët të hetimeve,” tha Dura.
“Ka një përqindje të lartë të çështjeve pa autorë konkretë. Edhe në ato raste ku ka individë të hetuar, ata nuk janë autorët e vërtetë, por veçse të moshuar apo gra që kujdesen për bimët,” shtoi Dura.
Ai tha se policia duhet të punojë më shumë në hetimin e atyre që e organizojnë dhe financojnë këtë aktivitet.
Mbjellja në zonat e thella nuk do të thotë se biznesi i kultivimit nuk është i organizuar, shtoi ai.
“Nëse hetimet do të ishin të plota në disa zona specifike, jam i sigurtë se do të gjendeshin lidhje mes këtij fenomeni dhe kredive në bankat e nivelit të dytë. Nëse kjo epidemi do të goditet në kohën e duhur, efektet pozitive do të vijnë,” tha ai.
Problemet sociale ushqejnë fenomenin:
Edhe deputetët e mazhorancës pranojnë se strategjia kombëtare kundër kultivimit të drogës mbetet e paqartë dhe është neglizhuar. Pjerin Ndreu, një ish-zëvendësdrejtor dhe deputet i Partisë Socialiste në komisionin e Sigurisë Kombëtare i tha BIRN se Shqipëria duhet ta rishikojë strategjinë e saj mbi kultivimin e kanabisit.
“Kemi nevojë për më shumë agresivitet dhe qartësi në strategjinë antidrogë…Lufta kundër drogës po bëhet problematike,” tha ai.
Sipas tij, arsyeja e vërtetë pas kultivimit të kanabisit në sasi të mëdha është mbi të gjitha situata e vështirë ekonomike me të cilën përballen shumë familje.
“Papunësia, problemet sociale, pastrimi i parave dhe niveli i lartë i korrupsionit janë faktorët e mëdhenj që ushqejnë këtë fenomen dhe e bëjnë të lehtë punën e organizatave kriminale,” shtoi ai.
Ndreu beson se lufta kundër narkotikëve është e organizuar në mënyrë të varfër; barra kryesore rëndon mbi shpatullat e policisë, ndërkohë që institucionet e tjera nuk ndihmojnë.
“Lufta kundër drogës nuk mund të jetë e suksesshme nëse bëhet vetëm nga policia,” shtoi ai.
Zëvendësdrejtori i policisë, Altin Qato i tha BIRN se ata kanë realizuar disa aksione për të përfshirë më shumë aktorë në luftën kundër kultivimit të drogës.
“Kemi bërë 690 takime rajonale dhe aktivitete me autoritetet e pushtetit vendor dhe institucione të tjera të shtetit, përfshirë shkollat, mediat dhe vetë komunitetet me qëllimin e parandalimit të kultivimit,” tha ai.
Qato thotë se bashkëpunimi i policisë me zyrën e Prokurorisë është duke shkuar mirë, çka është një element kyç në këtë betejë.
“Si rezultat i këtij bashkëpunimi dhe përmes formave speciale të hetimit, ne po ndjekim disa çështje me persona të dyshuar apo grupe kriminale të biznesit të kultivimit të hashashit,” tha ai.
Nikoleta Kovaçi, një gazetare e çështjeve të policisë në gazetën “Shekulli” i tha BIRN se shumë shqiptarë kultivojnë kanabis sepse kanë parë përfitimet financiare që bima u ka sjellë fqinjëve të tyre.
“Njerëzit duket se mendojnë se kultivimi i kanabisit nuk dëmton askënd,” theksoi ajo.
Por ajo shikon gjithashtu duart e politikës në procesin e kultivimit, duke vënë në dukje se sipërfaqet më të mëdha të mbjella me kanabis janë zakonisht në ato zona që kanë lidhje të forta me aktorë politikë.
“Gjëja e vetme që po ndryshon në këtë histori është Lazarati,” përfundoi ajo.
“Shumë institucione të tjera që mund të ndihmonin janë të kënaqura vetëm duke vëzhguar dhe nuk po e bëjnë detyrën e tyre. Është koha për të ndryshuar qasje”./Fatjona Mejdini, BIRN, titulli i origjinalit: Operacioni i Lazaratit dështoi të frenojë kultivuesit e kanabisit në Shqipëri/