Home KRYESORE Ju që do të hyni në universitete, s’është fundi i botës se...

Ju që do të hyni në universitete, s’është fundi i botës se zgjodhët derr në thes

O ju nxënës që mbaruat maturën! Urime dhe udhëtim të mbarë në rrugët dhe dyert e sallat e universiteteve për të kërkuar dijen që dëshironi!

Nga Artan Fuga.

Mos u mërzisni se provuat pa hyrë shijen e hidhur të ligjit për arsimin e lartë, që çdo ditë dhe çdo orë sjell dëme kolosale në arsim dhe mendjet e rinisë.

Ju do të hyni në Universitete pa pasur mundësi të merrni informacion të kualifikuar për degën që keni zgjedhur, për profesorët, kërkesat, tekstet që ju duhen mundësitë e punësimit që japin ato degë.

Mos u mërzisni, nuk është fundi i botës se ju zgjodhet derr në thes!

Dhe e e dini përse? Sepse ky ligji ende në fuqi e që duhet shfuqizuar sa më parë, rregjistrimet nuk ua lejon universiteteve, por ka krijuar gjoja agjenci rregjistrimesh të përqendruar pranë ministrisë, që ju mori lekët dhe nuk ju dha shërbimin.

Dhe flasin pastaj për autonomi universitare ndërkohë që nuk u lejojnë universiteteve të marrin kontakt me kandidatët.

Dhe flasin pastaj me hipokrizi për treg. Cfarë tregu kur hyrjet në universitet i kontrollon shteti.

Njësoj sikur të shkosh të blesh një palë mbathje, një rrotë penjsh, një kastravec, një top futbolli, dhe përpara sesa të paraqitesh te shitësi, duhet të shkosh të rregjistrohesh si blerës te ministria e bujqësisë, e blegtorisë, a e sporteve.

Në vend që edhe mesatarja e notave për të hyrë duhet të jetë specifike në varësi nga degët ku dëshiron kandidati të shkojë.

E kanë mirë ata sepse kalamajtë e tyre ose i lënë pa shkollë, ose i çojnë jashtë shtetit me kritere të tjera.

Regjistrimet me zyra burokratike të çentralizuara janë për ju këtu, jo për ata atje.

Ai budallà që e konceptoi, bëri të zezën dhe iku, tani merr jetë fëmijësh andej këndej!

Dhe përse nuk patët mundësi të merrnit të gjithë informacionin e duhur për të bërë përzgjedhjen e duhur?

Sepse e pengon ligji. Prisni, prisni se do të shihni se çfarë maskarallëqesh të tjera e mbrapshtirash ka bërë ky ligj. Ju i ndjetë pa hyrë mirë në universitete.

Dhe përse ?

Sepse duan të mbledhin lekë për të punësuar nëpunës elektoralë në administratë. Paguajnë nëpunës, ndërkohë që universitetet kanë punonjësit e tyre tashmë të paguar për ta bërë këtë punë.

I volën, molën, rropën xhepat e familjeve tuaja.

Nejse, hajde, suksese tani!

Share: