Home KRYESORE Korrupsioni, kali i ngordhur i shoqërisë shqiptare

Korrupsioni, kali i ngordhur i shoqërisë shqiptare

Nga Namir Lapardhaja-

Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri është një ndër kuajt kryesor të betejës së çdo opozite që synon pushtetin.

Kohë më parë, u krijua ideja se nën qeverisjen e socialistëve, më konkretisht të ish-liderit historik të kësaj partie, korrupsioni u kthye në sistem, sistem i cili, për hir të së vërtetës, krahasuar me çfarë erdhi më pas, e sot më konkretisht, duket shumë më social edhe në shpërndarjen e “të mirave” që rridhnin prej tij. Shprehja “në kohën e Nanos hanin të gjithë” është emblematike për të treguar çka më sipër.

Kjo e keqe, e rrënjosur thellë në vetëdijen dhe gati e legjitimuar në çdo punë publike, u premtua se do të çrrënjosej nëpërmjet “duarve të pastra” dhe rruspës së antikorrupsionit, mirëpo në fund të tetë viteve, doli se një ndër faktorët e humbjes së thellë të demokratëve ishte dorëzimi pa kushte përballë këtij fenomeni, sidomos gjatë mandatit të dytë qeverisës.

Korrupsioni u premtua se do të luftohej edhe nga ish-opozita e djeshme, sot në mazhorancë.

Si ekspertë dhe mjeshtër të komunikimit dhe manipulimit publik, socialistët shpikën portalin unik të denoncimit të korrupsionit online, tek rrjeta e të cilit sigurisht do të binin shumë shpejt disa peshq të vegjël, krejt pa rëndësi.

Beteja e përditshme, denoncimet e opozitës dhe të medias, flasin për afera korruptive në miliona euro, të cilat jo gjithmonë janë të pavërteta e të pavend, çka do të thotë se korrupsioni është prezent në piramidën shtetërore.

Por dhe nëse do të zbresim më poshtë, do të shohim se korrupsioni, rryshfeti, dhënia e lekëve në këmbim të përfitimeve publike, të një vendi pune etj., është, pothuajse, e legjitimuar në Shqipëri.

Nuk ka zyrë, shërbim publik, e drejtë që të takon pa paguar asnjë kacidhe, tek e cila ti si qytetar nuk je i detyruar të lësh “një kafe”, qoftë edhe në shkëmbim të shpejtësisë së shërbimit, mirësjelljes dhe korrektësisë së zyrtarit të shtetit që ke përballë.

Jo vetëm punonjësi i shtetit, por edhe ti si qytetar mendon njëjtë po të ishe në vendin e tij: “po pse ai nuk e do një kafe për shërbimin që po më bën?!”, “opo ia jap me kënaqësi, vetëm të më mbarojë punë në kohë!”.

Këto edhe shumë shprehje të tjera i dëgjojmë në përditshmërinë tonë saqë të vjen turp t’u tregosh të tjerëve se je i ndershëm, se kjo gjë nuk shkon të vazhdojë kështu, se ti je në atë post pune apo publik pikërisht për t’u shërbyer njerëzve dhe jo për t’i rrjepur ata.

Sepse babëzia dhe pasurimi i shpejt dhe i pandershëm, jo vetëm që nuk do ta mbushin e do të bëjnë më të pasur e më të kënaqur, por, përkundrazi, do ta shtojnë më shumë oreksin.

Në këtë kuptim, është krijuar ideja se korrupsioni është “një e mirë” e domosdoshme, frytet e të cilit të gjithë ëndërrojnë t’i vjelin.

Korrupsioni është shndërruar në kancer për shoqërinë shqiptare. Metastazat e tij janë përhapur dhe e kanë gangrenizuar të gjithë trupin, çka ka bërë të mos reagojë nëpërmjet asnjë stimuli të jashtëm.

Tradicionalisht dhe kulturalisht, historianët dhe analistët tanë, shpeshherë edhe këta të përlyer me përfitimet materiale që rrjedhin prej korrupsionit, e kanë lidhur këtë të keqe ndër shqiptarët me sundimin e gjatë nën Perandorinë Osmane.

Mirëpo, siç na bëjnë të ditur historianët antikë, në shek. I, Teuta, mbretëresha ilire, i bënte të ditur një delegacioni të Perandorisë Romake se “kusaria është një e drejtë tek ilirët”.

Eqrem bej Vlora, shumë shekuj më vonë, përmend në “Kujtimet” e tij fjalën e një përfaqësuesi të Perandorisë Osmane, sipas të cilit, “shqiptarët nuk janë as qytetarë të mirë, as punëtorë të mirë, e shumta ata mund të jenë sundimtarë të mirë dhe ca më tepër kusarë të mirë”.

Kjo kusari e atëhershme, në gjuhën e sotshme nuk është gjë tjetër vetëm se korrupsioni dhe metastazat e tij, që kanë përfshirë gjithçka.

Është një e keqe gjenetike dhe kulturore ndër shqiptarët, që rrënjët i ka shumë thellë.

Zgjidhja nuk mund të jepet nëpërmjet recetave të veçanta, ngase nuk ka të tilla, mirëpo ajo duhet e do të vijë vetëm atëherë kur shtetin dhe publiken do ta shohim si pjesë të së tërës, tek e cila kemi “kreditet” dhe “investimet” tona, që shteti do të na i kthejë nëpërmjet rrugëve dhe mënyrave të tjera, gjë që do të përmirësojë jetën dhe përditshmërinë tonë të përbashkët.

Do të vijë vetëm nëpërmjet një vetëdijësimi kulturor, social e politik dhe atëherë kur të ndryshojë hierarkia “e vlerave” të shoqërisë sonë nga “është turp të jesh i ndershëm”, në të kundërtën: a nuk ke turp që je i korruptuar?

Share: