Home KRYESORE Krenar edhe pse… injorant?!

Krenar edhe pse… injorant?!

Nga Andon Dede

Nuk kam qënë ndonjëherë tifoz i madh i futbollit dhe as tiranas safi. E, megjithatë, kur pashë në media shkatërrimin e fasadës së stadiumit në Tiranë, ndjeva keqardhje. Sikur ishim mësuar me të, sa herë që kalonim andej pari.

Të njejtën keqardhje kam përjetuar edhe kur shihja se si po degradonte Hotel Dajti, ndonëse nuk kam qënë ndonjë frekuentues i rregullt i tij, madje i shmangesha, si shumë e shumë të tjerë se, shpesh, ai qe paradhoma e ndonjë arrestimi të mundshëm. Por, megjithatë, ishte hoteli që mbahej si më i miri në vend e, ashtu si me stadiumin, ishim mësuar edhe me të.

Më herët akoma, më ka ardhur shumë keq kur u prishëm kishat në mes të viteve ’60, të shekullit të kaluar, sidomos kur iu vu sharra lisave që rrethonin ato në fshatin tonë. Njerëzit familjarizohen, mësohen me objekte të ndryshme, njëlloj si me njerëzit e dashur dhe ndjejnë keqardhje kur vihet dorë në to.

Ndërsa me stadiumin, kisha edhe një raport tjetër. Përveçse si tifoz, isha familjarizuar me të edhe si “komshi”, kur punoja në Televizion apo dhe gjatë viteve studentore, ndërsa i kalonim pranë apo linim dhe ndonjë takim rreth e rrotull tij. Shkurt muhabeti, ai qe bërë pjesë e botës tonë shpirtërore.

Dhe, kur flas unë kështu, parafytyro si po e përjetojnë shkatërrimin e tij tifozët e “çmendur” apo tiranasit rrënjës. Po kështu, jam i bindur se me dhimbje e kanë përjetuar edhe të apasionuarit e monumenteve të kulturës, profesionistë e amatorë që, kur ishte Berisha në pushtet, ngjireshin së bërtituri kur prishej edhe një copë kalldrëm.

Nuk e kam vështirë ta kuptoj heshtjen e tyre: nuk prononcohen dot se çdo fjalë kundër njëshit, mund t’iu kushtojë shtrenjtë, deri në humbjen e karriges ku janë ulur.

Duke qënë kështu, prishja e stadiumit shërbeu edhe si një provë tjetër, se ç’përmasa mund të marrë babëzia për pushtet e para.

Por le të kthehem tek titulli: të gjithë neve, që na erdhi keq për të, sipas kryeministrit tonë të nderuar, sovranit të pashpallur të popullit heroik shqiptar, qenkemi injorantë që nuk marrim vesh nga arti(!).

Që të të thonë injorant e të mos fyhesh apo dhe më keq, të ndjehesh dhe krenar, siç e pohova në titull, do të qe mjerim i vërtetë, një qëndrim prej skllavi të neveritshëm që s’do t’ia dëshiroja askujt. Por, puna ndryshon kur këtë titull përçmues ta jep një kryeministër si ky yni, që një Zot e di se si ka përfunduar në atë karrige, kur, ndryshe nga të tërë homologët e tij në botë, nuk ka as formimin më minimal për ekonomi e drejtësi, dy fushat ku çdo kryetar qeverie domosdoshmërisht duhet ta ndjente veten si në shtëpinë e vet.

Jo vetëm kaq, por dhe në fushën e artit, ku ai e shet veten si të talentuar e kompetent, nga të gjithë njihet si i dështuar, sidomos në përpjekjet e tij ekstravagante për të tërhequr vëmendjen.

Por, ajo që më shtyu të ulem e të shkruaj këto radhë e njëkohësisht për të mos u ndjerë keq me fyerjet e tij, madje dhe krenar, ishte pikërisht prononcimi i tij në një nga hartimet e përditshëm që shpërndan në internet. Mjafton të citoj një fragment të vogël dhe lexuesi le të më gjykojë vetë nëse kam të drejtë:

“Kujëvënësit profesionistë që argument kanë injorancën kanë vënë alarmin (për dy basorelieve pa asnjë vlerë, që tutkunët e regjimit të vjetër i’a mballosën fasadës së “Qemal Stafës”) dhe po bërtasin që po dëmtohet trashëgimia kulturore. Ato basorelieve që turpëronin edhe Realizmin Socialist, e kanë kryer misionin e tyre të shëmtimit e nuk hyjnë askund si vlerë e trashëgimisë kulturore…Prandaj, edhe njëherë, qentë le të lehin karvani do ecë përpara dhe stadiumi i ri do të jetë përgjigja përfundimtare, për gjithë furtunat në gotën e dembelizmit mendor e të karshillëkut provincial ndaj të resë, që u ngritën e do të ngrihen…”

Çfarë cinizmi, ç’gjuhë banale e mllefosur, deri në nivelet rrugaçërore! Nuk ka nevojë të kesh njohuri të thella në piskologji që të kuptosh se kjo është simptoma më e qarttë e një udhëheqësi të sunduar nga deliri i madhështisë, i cili kujton se gjithçka që nxjerr ai nga goja, të tjerët do ta hanë, se, siç është shprehur në një “hartim” tjetër, ata janë dele e nuk marrin vesh.

A nuk të kujton gjithë kjo slloganin e njohur të Fashizmit se “Il Duce ha sempre ragione!” Sa herë që dëgjon apo lexon fjalët e tij, të krijohet përshtypja se ai sillet me pasuritë publike si t’i kishte pronë personale, a thua se i ka trashëgim nga para-ardhësit e familjes së vet. Ai bën çfarë t’i teket dhe nuk pyet për kërkend: shkatërron, ndërton, jep me konçesion, cakton kompanitë që do ta realizojnë këtë apo atë vepër dhe askush nuk guxon t’i thotë gjysmë fjale. E vetmja gjë që mund të bëjmë, ne të gjorët, është t’i lutemi Zotit të na shpëtojë nga dalldia e këtij të krisuri të veshur me pushtet.

S’ka se si të mos ndjehesh i fyer kur mendon se ai është kryeministri i vendit tënd! Me zullumet që ka bërë e po bën ai në këto vite të pushtetit, në çdo vend tjetër që të qe, do ta kishte futur me kohë bishtin në shalë, por, po e them gati me dhimbje, se nëse do të bëheshin nesër zgjedhjet në Shqipëri, nuk do të habitesha që ai të qëndronte prapë në krye të qeverisë. I tillë është ai, por të tillë jemi dhe ne!

Është thënë nga shumë të tjerë se këto vepra nuk kanë vlerë vetëm dhe thjesht për artin e tyre. Ato e tejkalojnë gjykimin estetik. Sepse prej kohësh ato janë pjesë e historisë sonë, e kujtesës sonë kolektive, e gëzimeve, e zhgënjimeve dhe e përjetimeve të secilit prej nesh. Si të tilla, ato janë pjesë e trashëgimisë sonë komëtare. Mos vallë nuk e kupton kryeministri ynë artist kaq gjë?

Por, le të pranojmë për një çast se ai ka të drejtë. Po pse, kjo është gjuha e një personi publik, për më tepër e kreut të qeverisë?! Parafytyroni një familje që po ndjek lajmet në televizor. E ç’mund t’iu thotë një prind fëmijve të vet kur ata do të hapnin sytë të habitur nga ato që po dëgjojnë?! A nuk do të ndjeheshin të prekur dhe ata kur marrin vesh se kryeministri i vendit ku jetojnë i quan “qen që lehin”, prindërit e tyre, meqë ata mund të mos jenë dakord me ato që rokanis ai?! Apo duhet të jesh servil gojëkyçur, si në kohën e Enverit Hoxhës, që mos të të fyejë i madhi i qeverisë kështu?!

Njerëzit e kanë shumë të qartë tashmë se kush është injorant e kush duhet të ndjehet krenar për ato që ndodhin e për qëndrimet që mban gjithsecili prej nesh. Heshtja ndaj një krimi të bën bashkëfajtor. Ndaj i shkrova këto radhë edhe unë./exit.al

Share: