Home KRYESORE Letra nga Amerika dhe Demokracia

Letra nga Amerika dhe Demokracia

Nga Besart Kadia*

Për më shumë se 60 vite Alistair Cooke, gazetar i BBC, do të raportonte për 15 minuta në javë me një ton humori brenda lajmit e rëndësishëm të ndodhur në Amerikë. Letrat e tij ishin aq të rëndësishme sa dhe sot ato lexohen si një interpretim origjinal i ngjarjeve më të rëndësishme historike si Vrasja e Presidentit Kenedi, fitoret e Muhamed Ali, skandali i Watergate apo dhe rrëzimin e kullave binjake.

Letër nga Amerika është vazhdimi Britanik i leximit të këtij shteti të madh ashtu siç bëri vite më parë francezi De Tocqueville në librin e tij “Demokracia në SHBA” me shprehjen e famshme: -“Amerikanët janë të dashuruar me barazinë, aq sa janë gati të jenë të barabartë në skllavëri sesa të pabarabartë në liri”. Letra nga Amerika dhe Demokracia në SHBA kanë krijuar botën time se çfarë është SHBA dhe këtë verë kam mundësi ta shoh nga afër.

Donacionet organizimet vullnetare janë shenja të mirëfillta të organizimit politik. Ndër më të njohurat prej tyre është National Rifle Association. Tom i cili ka punuar për ta për tre vite më thotë se pavarësisht reputacionit që kanë NRA nuk është aq e pasur sa thonë dhe nuk është e interesuar për të përdorë median për mesazh politik. Sipas tij, fuqia e kësaj organizate vjen për shkak anëtarëve të saj, që numërohen në 5 milionë në mbarë Amerikën dhe operon që nga viti i largët 1871 ( kur De Tocqueville shkruante për demokracinë në SHBA).

Sido që të jetë e drejta kushtetuese për të mbajtur armë është një çështje që mbetet e vështirë në politikën amerikane pavarësisht faktit se 30.000 persona vriten në vit nga armët dhe raste të shumta të “vrasjeve masive” të njerëzve të pafajshëm. Kjo temë vazhdon dhe përkufizon kandidatët dhe fushatën në SHBA.

Të djathtët në Amerikë janë ideologjik. Sipas Konservatorëve Kushtetuta e Amerikës dhe “Pasuria e Kombeve” e Adam Smithit kanë shumë gjëra të përbashkëta dhe Themeluesit e Kombit e kishin lexuar dhe pranuar se e vetmja mënyrë për të pasur një shtet të suksesshëm është një shoqëri e bazuar mbi liritë e individit dhe ekonominë e tregut. Këto parime mbeten akoma themelore për luftën e të djathtëve kundër të majtëve të cilët e përdorin pushtetin për të rritur rregulla e për të shtuar kosto mbi bizneset që në vetvete ul liritë e individit në shoqëri.

New York Times këtë fundjavë e quante Obamën “Regulator in Chief” nga “Commander in Chief”. Sipas këtij raporti të nisur nga NYT, Obama ka anashkaluar Kongresin, kur Republikanët dhe Demokratët nuk donin të bashkëpunonin duke përdorur Executive Powers mbi 600 herë për të shtuar rregulla në ekonomi me një kosto prej 100 milionë dollarë në vit për secilën prej tyre.

Ndërhyrjet e tij kanë qenë aq të mëdha sa mund të krahasohen me presidentin Lindon Xhonson dhe iniciativa e tij the Great Society në vitet 1960-të që ndër të tjera i dha të drejta të plota njerëzve me ngjyrë në SHBA. Këta të fundit ndjehen akoma të shtypur dhe të papërfaqësuar pavarësisht politikave zyrtare të 50 viteve të fundit. Por, pavarësisht shndërrimit të muzikës rap si muzikë të gjithpranuar, te sportistët me ngjyrë te më të mirë paguar në SHBA deri te zgjedhja e një presidenti me ngjyrë sërish çështjet raciale mbeten prezentë dhe problematike.

Pas muajit të shkuar ku pesë policë mbetet të vrarë në një protestë paqësore serish në shtete si Wisconsin në qytetin e Miluaki ka ditë që mbahen protesta të dhunshme aq sa në qytet është vendosur shtetrrethim pas orës 22:00 të natës. Për komunitetin shqiptarë që ka ardhur në SHBA edhe pa ditur anglisht dhe kanë mundur të integrohen në shoqëri mbetet e pakuptimtë gjithë ky tension racial që ekziston në SHBA.

Washingtoni është politik. Kudo dhe gjithçka lidhet me politikën. Kudo ka institucione që duan të influencojnë ose influencojnë Capitol Hill dhe sa të munden Shtëpinë e Bardhë. Media është po aq e fokusuar në kandidatët presidencial sa është e vështirë t’i shmangesh fushatës. Por megjithëse Amerika ka vetëm dy parti politike ajo ka shumë grupe interesi. Për arsyet e mësipërme Think Tanks janë shumë të rëndësishme në SHBA. Ato specializohen në fusha të ndryshme të politikave publike dhe e mbajnë qeverinë në llogaridhënie, ato ofrojnë ide të reja dhe janë aktiv për të influencuar opinionin publik.

Këtë gjë bëri dhe bën Heritage Foundation në vitet 1980-të duke i ofruar presidentit të SHBA një libër të detajuar për të reformuar burokracinë e SHBA dhe ekonominë e saj. Të njëjtën gjë vazhdojnë të bëjnë dhe sot ku ata kanë ofruar një raport të gjerë për kandidatët për Kongres dhe për Shtëpinë e Bardhë se çfarë duhet bërë për të kontrolluar buxhetin, për mbrojtje më të fortë nga shtetet e huaja, për liri ekonomike etj. Vetëm tre ditë më parë Judy Shelton një kërkuese e rëndësishme e Atals Netëork u mor si këshilltare ekonomike në ekipin e Donald Trump.

Në qendër të debatit të hapur nga fushata e Trump ka qenë manipulimi që i ka bërë Kina monedhës së vet për të qenë konkurruese në botë dhe për këtë arsye tregtia globale sipas Trump nuk është e drejtë. Për këtë arsye Dr Shelton që ka vite që punon në një projekt të titulluar “Sound Money” është marrë në ekip të Trump dhe Wall Street Journal apo Bloomberg kanë shkruar për këtë. Për këtë arsye intelektualët në Amerikë mbajnë qëndrime të qarta në publik dhe ky është mesazhi kryesor i Letër nga Amerika.

*Smith Fellow në Atlas Network, Washington DC

Share: