FATOS BAXHAKU (publikuar per here te pare me31 Korrik 2014)
Ne, sot themi shpesh “sa e vogël është bërë bota!” Këtë ua dedikojmë vendeve pa kufij, internetit, celularëve, Facebook-ut e kështu me radhë. Çuditërisht të njëjtën gjë, në formë të ndryshme sigurisht, duhet ta kenë thënë para dyqind e sa vjetësh edhe paraardhësit tanë teksa ishin të detyruar të jetonin në një perandori multietnike pa anë e pa fund, sikurse ishte Perandoria Osmane.
Lajmet sot janë të stërmbushura me dhunën që vjen nga Palestina. Me zemër në dorë e me qirinj të ndezur jo vetëm në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Plavë, por edhe kudo gjetkë njerëzit luten që dhuna e përgjakshme në ato anë të marrë fund. Lotët në sytë e Papa Françeskut në meshën e së dielës së shkuar vështirë se do të harrohen ndonjëherë. Dje pasdite erdhi lajmi që është bombarduar një shkollë në Gaza. Sipas kolegëve atje 15 fëmijë kanë humbur jetën në një luftë që nuk është e tyre, por e të rriturve, e atyre që zakonisht i bëjnë zullumet gjakatare.
Në rastin e Palestinës dhe të Gazës ne, shqiptarët, nuk duhet ta ndiejmë veten thjesht solidarë në betejën kundër luftës. Kemi arsye edhe më të forta pse duhet të jemi në krahun e viktimave. Njëra prej tyre, mbase më e thella, është historia. Palestina, me statuse të ndryshueshme, ka qenë deri në 1917 pjesë e Perandorisë Osmane, pra e asaj perandorie ku bënim edhe ne pjesë deri më 1912.
Arkitekt Sinani, njëri prej shqiptarëve më të shquar të shekullit XVI, qëndroi për do kohë në Jerusalem. Një xhami, një medrese dhe një imaret janë “dhurata” që shqiptari i ka lënë kryeqytetit të Zotit. Një shekull më vonë thuhet se në Jerusalem ka sunduar për disa kohë njëri prej Qyprylinjve të famshëm nga Roshniku i Beratit, Mehmet Pasha. “Ishte qeveritar i mirë”, shkruajnë kronikat. Kishin të drejtë. Në kohë paqeje janë të gjithë të mirë.
Ethet e luftës u shfaqën shumë shpejt. Në periudhën 1775-1804 në Palestinë sundoi, thuajse në mënyrë të shkëputur nga Sulltani, një Ahmet Pasha. Disa thonë se ishte boshnjak. Të tjerë se ishte “arnaut”, pra shqiptar. Sido që të jetë puna, ky Ahmeti e bazonte pushtetin e tij në një ushtri që përbëhej prej 1000 këmbësorësh shqiptarë dhe 800 kalorësish boshnjakë. “Arnautët”, donin apo nuk donin, në të mirë apo në të keq, kishin nisur të bëheshin pjesë e historisë së Palestinës. Ky Ahmet Pasha, që shpërfillte edhe vetë Sulltanin, në sajë të arnautëve dhe boshnjakëve të tij arriti të bëhej tri herë vali i Damaskut në Siri, që asokohe ishte kryeqendra e artë e Lindjes së Afërme.
“Arnautët” e Palestinës u bënë më të famshëm kur Napoleon Bonaparti ndërmori fushatën e tij lindore pasi kishte shtënë në dorë Egjiptin. Më 1799 armatat franceze vazhduan rrugën drejt Sirisë. Në Palestinë në vendin e quajtur al’-Arish ata u ndeshën me disa luftëtarë të çuditshëm që nuk dukeshin fare si arabë. Të egër, me leshra të gjata biondë, me sy të çelët, por të çakërritur ata i lëshoheshin kundërshtarit pa e përfillur vdekjen, duke bërtitur në një gjuhë të pakuptueshme. Napoleoni, për respekt, në fillim i fal dhe u thotë të kthehen në shtëpitë e tyre. Por ata e presin sërish në Gaza, pikërisht atje ku sot bëhet luftë, duke u shkaktuar edhe një herë humbje të mëdha francezëve, ndonëse e dinin se betejën e kishin të humbur. Napoleoni, i çuditur nga këmbëngulja e këtyre luftëtarëve të rrallë, i fal dhe një herë dhe u përsërit të njëjtën kërkesë: Shkoni në shtëpi, nuk kemi pse të luftojmë me njëri-tjetrin. Porse “arnautët” mendonin ndryshe. Ata nuk u kthyen në Shqipëri, përkundrazi u fortifikuan në Xhafa, një kështjellë ku ndodheshin edhe shqiptarë të tjerë. Në mëngjesin e 4 marsit 1799 katër mijë shqiptarë e panë veten të sulmuar nga 13 mijë francezë të Bonapartit.
Një ditë më pas shumica e shqiptarëve ishin zënë robër. Për disa ditë, robërit shqiptarë u mbajtën të lidhur kokë e këmbë. U jepnin vetëm bukë e ujë. Më 10 mars Napoeloni, pas disa hezitimesh, vendosi: Robërit duheshin pushkatuar të gjithë. Kështu ndodhi masakra më e madhe mbi shqiptarët. Kufomat e tyre u lanë në periferi të Xhafës me ditë të tëra. Mbi 4000 shqiptarë kishin rënë theror në truallin e Palestinës.
Lajmi mori dhenë sakaq, aq sa në Aka, një tjetër qytet i vjetër palestinez, shqiptarët e atyshëm e bllokuan Napoleonin për 70 ditë. Pikërisht këtu mori fund edhe fushata e perandorit të ardhshëm. I zhgënjyer, ai u kthye në Francë.
Sikurse ndodh gjithnjë historia është e mbushur edhe me mosmarrëveshje mes shqiptarëve. Në Aka u dallua mbi trimat e tjerë një Ismail Pasha, shqiptar. Ky nuk shkonte mirë me komandantin Ahmet Pasha, kështu që përfundoi në qelitë e burgut. Në 1804, si vdiq Ahmet Pasha, Ismaili doli nga burgu dhe mori në dorë krejt territorin e Palestinës pa lejen e Sulltanit. Rebeli u mbrojt për tre muaj derisa u vra nga njerëzit e ardhur nga Stambolli.
Në nëntor të 1831-it shqiptari Ibrahim Pasha, djali i të famshmit Mehmet Ali Pasha, mbërriti në krye të ushtrive të tij të pavarura nga Egjipti në Xhafa. Në zotërimin e tij ra shpejt edhe Jerusalemi. Për një dekadë me radhë vendi gëzoi një qetësi që i kishte munguar. U garantua barazia e besimeve. Myslimanë, hebrenj dhe të krishterë ishin njësoj të barabartë. Është ruajtur deri në ditët tona një letër që ai i drejton kryeimamit të Jerusalemit: “Sikurse e dini, Jerusalemi i Shenjtë ka faltore e manastire për të cilat vijnë për vizitë të krishterët dhe hebrenjtë prej kombeve e vendeve të ndryshme.
Meqë këta kanë përjetuar deri më tani shumë probleme nga shkaku i gjobave dhe taksave të ndryshme gjatë rrugës, ne kemi urdhëruar për hir të bashkëjetesës mes njerëzve, që të anulohen taksat përgjatë të gjitha rrugëve që shpien këtu”. Ibrahimi, që nuk shkoi edhe aq mirë me vendasit arabë, u detyrua të tërhiqej nga presioni i Fuqive të Mëdha në shkurt të 1841. Bashkë me të u tërhoqën nga Gaza edhe mijëra ushtarë shqiptarë. Por shumë prej tyre mbetën në Palestinë. Të pajisur me tokë, të martuar me gra vendase, ata nisën të bëhen elementë aktivë të Atdheut të tyre të dytë. Që nga kjo kohë shumë prej tyre njihen me mbiemrin e arabizuar al’-Arnauti dhe këta janë shumë edhe sot e kësaj dite.
Shqiptarët përmenden edhe në historinë moderne të Palestinës. Mehdi Frashëri (1874-1963) ishte për do kohë guvernator i përgjithshëm i Palestinës. Përgjatë Luftës së Parë Botërore, në vjeshtën e 1917 një komandant shqiptar, Esat beu, i bëri rezistencën më heroike gjeneralit anglez, Alenby. Pastaj, pas 1920-s, historia flet për fitimtarët dhe arnautët mbeten vetëm mbiemër në tokën e lakmuar prej të gjithëve.
Bombat vazhdojnë të bien mbi Gaza, mbi shtëpitë e arabëve, hebrenjve, shqiptarëve, grekëve, latinëve, të kujtdo. Sikurse ndodh rëndom historia kujtohet të mbajë shënime vetëm kur gjaku thahet, eshtrat treten dhe njerëzit bëhen kujtime./gazeta shqip