Home KRYESORE Në kërkim të shteteve vasale. Maqedonia dhe Serbia i peshojnë aleancat

Në kërkim të shteteve vasale. Maqedonia dhe Serbia i peshojnë aleancat

Nga SELIM IBRAIMI

Rusia dhe Turqia ndodhen para një prerje historike dhe të dyja forcat pretendojnë të sjellin një rend të ri në Ballkan, Kaukaz dhe Lindjen e Mesme. Nga aspekti historik që nga shekulli i XV rivaliteti ruso-turk është rritur në Detin e Zi, Krimenë e Tartarëve dhe është dinamizuar në Ballkan.

Të dy karakteristikat gjeopolitike, qoftë të konfliktit apo pajtimit ruso-turk në territorin Euroaziatik, kanë influencuar Ballkanin historikisht dhe do të vazhdojnë të luajnë rol dominant në politikat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sigurisht që qeveritë aktuale synojnë ti forcojnë pozitat gjeopolitike në Evropë dhe me tendencë që ti ndikojnë politikat e zgjerimit të Bashkimit Evropian drejt Ballkanit. Afrimi taktik i presidentit Rexhep Taip Erdogan me atë rus Vlladimir Putin gjatë takimit në Moskë në muajin gusht ka pasur tre qëllime:

E para,të dy forcat i ripërtrinë marrëdhëniet e ftohta pas rrëzimit të avionit ushtarak rus në vitin 2015.

E dyta, emocionet e gjeopolitikës së vrullit të ri ruso-turk kundër BE-së në tokën Euroaziatike kanë të njëjtën peshë.

E treta, presidenti Erdogan nga puçi ushtarak e vendos Turqinë në epiqendër të politikës rajonale duke synuar që Turqisë ti japë një rol kryesor në zhvillimet aktuale.

Në fakt qeveria turke e ka në dorë krizën e migrantëve e cila i shërben si “monedhë” kundër BE-së dhe ka një ndikim të jashtëzakonshëm në Ballkanin Perëndimor gjegjësisht në ish territoret e Perandorisë Osmane.

Pas vizitës së tij në Moskë dhe Brexit-it, në Ballkanin Perëndimor në periudhën e ardhshme pesë vjeçare do të vrejmë dy skenarë për ti influencuar proceset e brendshme politike, ekonomike dhe kulturore.

1. Qeveritë demokratike pro perëndimore do të synojnë me përkrahjen e BE-së kryesisht të Amerikës të aderojnë në unionin e brishtë dhe në NATO.

2. Qeveritë e drejtuara nga politikanë autokratë dhe me nivel të korrupsionit të lartë do të largohen nga ndikimi i politikave perëndimore, me gjasë për tu afruar në sferën ruso-turke.

Aktualisht Rusia synon që vendet e Ballkanit Perëndimor që ende nuk janë pjesë e sferës së Brukselit të vazhdojnë të mbajnë këtë neutralitet. Maqedonia dhe Serbia janë shembuj klasik të neutralitetit përballë SHBA-së dhe BE-së.

Duke i marrë në konsideratë rrethanat historike dhe emocionale të popullatës locale,Turqia ka terren më të përshtatshëm manovrues. Depërtimi turk mund të bëhet më lehtë në krahasim me atë rus dhe në të ardhmen duhet parë se si Erdogani do të veprojë në ish tokat e pushtuara nga Osmanët.

A do të dallojë ai apo jo nga ish paraardhësit e tij? Roli i tij do të varret se si do të përceptohet Amerika nga ana e Ankarasë dhe Moskës pas vizitave të fundit të zv/ presidentit Joe Biden në Serbi ,Kosovë dhe Turqi.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor përkundër investimeve dhe përkrahjes që kanë pasur nga BE dhe Amerika nuk janë pjesë e ndonjë integrimi të fuqishëm ekonomik dhe kjo lë vend për penetrim ruso-turk të fuqishëm në pesë vjeçarin që kemi hyrë.

Është fakt se partneri kryesor tregtar i Ballkanit Perëndimor është BE dhe Turqia. Ndërkaq për Turqinë, Gjermania, Kina, Rusia, SHBA dhe Italia janë shtetet kryesore ku mbështetet shkëmbimi tregtar i Ankarasë moderne. Largimi i Britanisë së Madhe nga unioni është mirëpritur nga drejtuesit autokratë, figurat korruptive të ekonomisë dhe Rusia.

Kjo mund të jetë një nxitje për procese diametralisht të kundërta në Ballkan. Pasi procesi i integrimit në union nuk është edhe aq i lehtë dhe largimi i Britanisë ka lënë një njollë të zezë tek europianët, skepticizmi në rritje dhe zërat kundër BE-së, kanë hapur debate publike se pse këto shtete duhet të anëtarësohen në Unionin Evropian.

Procesi i zgjerimit është ngadalësuar përshkak të pafuqisë së Brukselit për unitet brenda dhe jashtë territorit të saj. Amerika ngel e vetmja forcë që mund ti shpejtojë proceset e hyrjes së shteteve të Ballkanit në NATO si kundërpërgjigje të politikave të presidentit Vlladimir Putin.

Problem për Uashingtonin paraqet politika e Serbisë, Maqedonisë dhe në disa aspekte ajo e serbëve të Bosnjës. Uashingtoni mban një prezencë diplomatike dhe komerciale të lehtë në Ballkan. Zgjedhjet presidenciale në nëntor do ta definojnë edhe politikën afatgjate drejt Evropës dhe këtu duhet parë se si Rusia dhe Turqia do të reflektojnë në rajon.

Një gjë është e qartë, se aleanca ruso-turke do të zgjerohet me shtete vasale që do ti përkrahin politikat aktuale të Rusisë dhe Turqisë. Historikisht lidhja në mes këtyre dy shteteve nuk ka zgjatur aq shumë dhe momente të caktuara i kanë “thyer’ përsëri të dyja palët qoftë në Kaukaz, Detin e Zi apo në Ballkan. Tani Ballkani ndodhet para sfidave të reja të migrimit, ekstremizmit, varfërisë dhe trendeve globale.

Duke e vëzhguar situatën aktuale në Maqedoni, Serbi, Kosovë, Bosnjë dhe së fundi me daljen e Britanisë nga unioni, në një të ardhme të afërt nuk do të shohim një proces të shpejtë të hyrjes së shteteve të Ballkanit në BE apo në NATO si antitezë e fuqisë në rritje të presidentit Rexhep Taip Erdogan dhe atij rus Vlladimir Putin.

Nëse do të kemi largim të shpejtë të liderëve që i kanë devijuar proceset integruese, atëherë gjasat për një Ballkan të ri shtohen, por me rrezik që gadishulli të kthehet në një “zonë neutrale” apo e quajtur “zonë speciale”. SHBA duhet të riformulojë një qasje tjetër se si ta zvoglojë influencën e fuqive në rritje në rajon.

Rusia ballafaqohet me sanksione ndërkombëtare,rënie ekonomike,rënie demografike por gjithnjë me buxhet për të modernizuar ushtrinë dhe duke u bërë asertive dhe agresive. Turqia dhe presidenti Erdogan kanë tre opsione:

1.Të qëndrojnë bashkë me Rusinë.

2.Të zgjerohet dhe të influencojë jashtë territorit me vetë fuqinë ekonomike që posedon.

3.Të bëhet përsëri aleate me Amerikën. Në fund si Turqia dhe Rusia janë duke notuar në ujërat e ngrohta të Mesdheut dhe në periferinë e sferës së ndikimit të dikurshëm perandorak.

Zgjedhjet në Maqedoni janë tepër provokative si për Uashingtonin, Ankaranë dhe Kremlinin.BE përmes diplomacisë së butë arriti të sigurojë një marrëveshje të brishtë politike në Maqedoni e cila po sfidohet nga faktorë të brendshëm dhe propaganda informative.

Megjithatë zgjedhjet kanë mundësi ti dhurojnë një “top të kristaltë” Uashingtonit, Ankarasë, Kremlinit dhe Brukselit për ofensivat e ardhshme në rajon.Ndërsa për qeverinë e re të Maqedonisë një rifreskim për shikim drejt boshtit në ngritje.

Share: