Home KRYESORE Ne vdesim për para, ndaj nuk i plotësojmë as amanetet, Nënë Terezë!

Ne vdesim për para, ndaj nuk i plotësojmë as amanetet, Nënë Terezë!

Nga LUELA MYFTARI

Dje, më 26 Gusht, 106 vite më parë, lindi Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza e Kalkutës. Nënë Tereza lindi më 26 gusht 1910, por biografët thonë se ajo vetë parapëlqente të nesërmen, 27 gushtin, kur u pagëzua në kishën katolike shqiptare të Shkupit. Ajo është laureuar me çmimin Nobel për Paqen në vitin 1979 dhe është shenjtëruar pas vdekjes në 19 tetor të vitit 2003 nga Papa Gjon Pali II. Nderime për këtë njeri të mrekullueshëm dhe të paharrueshëm bëhen në të gjithë botën po kombi i saj ç’bën për të? Përveç shtatoreve?

Disa vite më parë kam takuar Robert Koten, një arkitekt dhe njëkohësisht një njohës të mirë i jetës së saj. Ai më zbuloi një të vërtetë shumë interesante, një “amanet” të Nënës Terezës që as sot nuk e kemi zbatuar.

E vetmja gjë që kërkoi Nëna e thuajse gjithë botës, ishte ndërtimi i një spitali ku do të kuroheshin të gjithë të varfrit dhe fëmijët shqiptarë falas. Ne nuk e kemi bërë ende, Nënë se ne na pëlqen paraja. Ajo ndërtesë u ngrit, o shpirtndritur, por për të vjelë para.

Cili është amaneti i saj?

Në një nga librat që i kushtohet figurës së Nënës Terezë, në faqen 103 të librit të autorit Pio Laghi, aty e gjeni amanetin e saj.

“Para se Nënë Tereza të largohej nga Shqipëria, u takua aso kohe me Presidentin Sali Berisha, i cili iu lut që vinte në përdorim një spital në Tiranë dhe për ta inkurajuar atë dhe murgeshat e saj, që kishin filluar të shërbenin në Shqipëri, i dhuroi asaj një terren ku mund të ndërtonte spitalin. Historia e dhurimit mund të jetë një histori më vete të cilën nuk ka vlera ta rrëfejmë këtu. Nënë Tereza ka qenë gjithnjë kundër angazhimit të institutit të saj në vepra të tjera përveç bamirësisë. Pas një heshtjeje të gjatë, ajo e pranoi truallin dhe mandej, pas takimit që pati me mua dhe me këshillën time (bëhet fjalë për takimin me At Pio Laghin), e binda Nënë Terezën dhe disa mjekë që të fillonte ndërtimi i spitalit në periferi të Tiranës. (bëhet fjalë për zonën pranë fushës së aviacionit në Tiranë, aty ku sot gjendet një universitet). Nënë Tereza, e bindur nga nevojat urgjente të atdheut të saj, e pranoi fillimin e ndërtimit të këtij spitali që do të ishte i mirëpajisur, me mjekë të përgatitur dhe me 200 shtretër. U vendos kështu në vitin 1995, guri i parë i themelit në vendin ku pretendohej të ishte një spital i cili do të ishte falas për të gjithë të varfrit dhe fëmijët. Nënë Tereza, madje u kthye edhe në vendin ku po ndërtohej spitali dhe atë kohë vendosi që ai të quhej “Zonja jonë e Këshillit të Mirë”. Kur ajo shkoi sërish në Shqipëri në maj të 1997-ës, tre muaj para se të vdiste, ajo na këshilloi që kur spitali të fillonte të funksionte t’i jepej përparësi më të varfërve dhe fëmijëve, duke u siguruar kështu trajtime spitalore falas”. Ja, kështu shkruan At Pio Laghi në librin e tij. Ky është, në një farë mënyre, amaneti i Nënë Terezës.

Do të pyesni ju: A kemi ndonjë dokument tjetër që e vërteton amanetin e lënë nga Nënë Tereza, përveç fjalëve të At Pio Lughit? Këtë pyetje bëra edhe unë kur historinë ma rrëfente Robert Kote.

Dhe më pas zbulova që në këtë libër është bashkangjitur edhe letra e saj, letra e cila në rrëfen interesin e kësaj Nëne të njohur ndërkombëtarisht, për spitalin që sot nuk është gjë tjetër veçse një universitet që nuk i shërben as të varfërve dhe as fëmijëve falas. Është një universitet që vetëm merr para. Ja çfarë shkruan Nënë Tereza në letrën e vitit 1993: “Të dashur miq të Shqipërisë! I kërkoj Zotit t’i bekojë ata që ndihmuan në të gjitha mënyrat ndërtimin e spitalit të Zonjës sonë të Këshillit të Mirë në Tiranë. Krishti thotë: Çfarëdo që të bëni për vëllezërit e mi më të vegjël, ma keni bërë mua”. Kështu e mbyll letrën e saj Nënë Tereza. A është sot i mbajtur ky amanet? Jo!

Shqiptarët e varfër, ose së paku fëmijët e familjeve të varfëra nuk kanë ku ta gjejnë një shpresë për jetën, sepse ne vdesim vetëm të kemi ca para më shumë. Në djall të vejë edhe amaneti.

Po a do të kemi ne mallkimin e një Nëne që e meriton vëmendjen tonë sot më shumë?

Ne kemi një shesh që quhet “Nënë Tereza”, kemi një shtatore të saj që rrugëtoi e u shtri sa andej këndej nëpër kryeqytet, ndërsa një tjetër i pret shqiptarët dhe të huajt që në aeroport. Në shtatoret e saj dixhitura nuk thotë asgjë, asgjë që ta shpjegojë kontributin e saj. Aty edhe në fotografi nuk del bukur…

Po, jemi ata që themi se besojmë, se jetën tonë të bukur e bën besimi dhe bashkëjetesa fetare, si atëherë kur përfaqësuesit e komuniteteve fetare shqiptare marshuan në Paris përkrahu të gjithë, si atëherë kur Papën e pritën me gëzim shumë myslimanë dhe ashtu siç qëndron Nënë Tereza në Shkodër pranë xhamisë.

received_10210753835268725Ne në mëngjes mendojmë si të dukemi bukur në sytë e të tjerëve, pasdite si të fitojmë para duke harruar amanetet dhe në mbrëmje para se të flemë të lutemi për gabimet që kemi bërë, pa u munduar që t’i rregullojmë.

Fundja nesër do zbardhë prapë… Duhet të mendojmë si do dukemi në mëngjes, sepse nuk ngeli kjo botë ta ndreq unë sa kohë se bëri Nënë Tereza.

Share: