Home KRYESORE Nervozizmi brekëshpuar!

Nervozizmi brekëshpuar!

Nga Artan Hoxha

Rilindja ju hakërrye sot me nervozizëm Presidentit të Republikës i cili shpalli datën 11 shtator si datë e zhvillimit të zgjedhjeve për Kryetarin zëvendësues të Bashkisë Dibër, pas shkarkimit të Kryetarit të kësaj bashkie (video me brekët e shpuara të të cilit bëri xhiro në rrjetet sociale në majin e sivjetshëm), me vendim të Këshillit të Ministrave të datës 13 maj  2016, shkarkim i lënë në fuqi me vendim të Gjykatës Kushtetuese të datës 1 gusht 2016, vendim ky i njoftuar zyrtarisht Presidentit të Republikës nga kjo gjykate në po këtë datë.

Kodi Zgjedhor, neni 10, pika 3 (shih tekstin e plotë në fund të shkrimit) përcakton me qartësi dhe ngurtësi veprimet e Presidentit. Është e sigurtë që, kurdo që të botohet në Fletoren Zyrtare, vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të ketë datën 1 Gusht 2016 dhe jo datën e botimit. Është e sigurt se, afati 30 ditor dhe 45 ditor për kryerjen e zgjedhjeve, fillon me datë 2 gusht dhe mbaron respektivisht me datë 31 gusht dhe 15 shtator. Është e sigurt se, mes këtyre dy datave, ditë të djela janë vetëm datat 4 dhe 11 shtator.

Rilindësit thonë se Presidenti duhet ta nxjerrë dekretin jo më parë se data kur vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të botohet ne Fletoren Zyrtare, datë që përkon edhe me hyrjen formale në fuqi të tij pra dhe të mbarimit formal të mandatit të Kryetarit në fjalë të Bashkisë Dibër sipas Rilindjes.

Në fakt, vendimi i Gjykatës Kushtetuese lë në fuqi vendimin e Këshillit të Ministrave të 13 majit. Ky i dyti përcaktoi mbarimin e menjëhershëm të mandatit të Kryetarit të Bashkisë Dibër, pra që më 13 maj. Ankimi i Kryetarit të Bashkisë Dibër në Gjykatën Kushtetuese brenda afatit 15 ditor, sipas nenit 115 pika 2 të Kushtetutës, vetëm sa pezulloi (ekzekutimin) e vendimit të Këshillit të Ministrave deri në shqyrtimin e ankimit nga kjo gjykatë. Tashmë që vendimi gjyqësor është marrë në favor të vendimit të Këshillit të Ministrave, kurdo që të botohet, është e sigurt që mbarimi i mandatit të Kryetarit të Bashkisë Dibër ka ndodhur që me datë 13 maj.

Gjithashtu, Kodi Zgjedhor përcakton se Presidenti duhet të nxjerre dekretin jo më vonë se 48 orë nga marrja e njoftimit për mbarimin e mandatit dhe nuk përcakton asnjë pengesë lidhur me sa më herët mund të dalë ky dekret.

Presidenti e nxori me shpejtësi dekretin, me të marrë njoftimin zyrtar nga Gjykata Kushtetuese për vendimin e saj, pra njoftimin për një mandat bashkiak të përfunduar me kohë e me vakt. Presidenti, me dekretimin më të shpejtë dhe caktimin e datës më të largët, 11 shtator, ju dha kohen maksimale të mundshme partive/koalicioneve të organizohen, të caktojnë kandidatët, të fillojnë fushatën si dhe e veçanërisht zgjedhësve dibranë që të votojnë sa më të informuar, të qartë e me bindje, për të evituar, sa më shumë të jetë e mundur, të zgjedhin përsëri, larg qoftë, një tjetër qejfli brekëshpuar.

Bazuar në kërkesën rilindëse, mendoni për një moment sikur botimi të bëhet me 28 gusht. Në këtë rast, procedura formale zgjedhore do të kishte në dispozicion më pak se dy javë ndërkohë që disa procedura formale zgjedhore kanë afatet e tyre që nisin me dekretin presidencial e zgjasin më shumë se dy javë. Mendoni për një moment sikur botimi të bëhet me 12 shtator se ç’absurd juridik do të shkaktonte teza rilindëse.

Rilindësit s’kanë pse t’i hakërrehen Presidentit. Sado absurde por, nëse i qëndrojnë tezës së tyre, problemin ta kërkojnë tek Kodi Zgjedhor e jo tek Presidenti. Për sa kohë ky nen është në fuqi dhe s’lë asnjë interpretim, Presidenti s’mund të bëjë ndryshe, aq më shumë të bëjë  ç’i kërkohet, të vetëshpallë dekretin e vet një akt absolutisht te pavlefshëm.

Rilindësit kanë plot mundësi të tjera. Mund të nisin procesin për kërkimin e papajtueshmërisë me Kushtetutën të nenit në fjalë të Kodit Zgjedhor në Gjykatën Kushtetuese, kështu vërtetojnë edhe saktesinë e burimit që mediet pranë tyre paskërkan brenda kësaj gjykate e që ju paskërka dhënë të drejtë. Rilindësit mund ta kërkojnë pavlefshmërinë absolute të dekretit presidencial në Gjykatën Administrative (apo Kolegjin Zgjedhor). Ata gjithashtu mund të nisin procesin legjislativ të ndryshimit të këtij neni të Kodit Zgjedhor. Votat i kanë.

Është e sigurt se, prej secilës mënyrë të mësipërme, rilindësit do marrin përgjigje të qarta mbi “pikëpyetjet juridike” që shtrojnë.

Ndërkaq, ndonëse nuk është e sigurt, është e mundshme që pyetja: “Pse rilindësit kërkojnë me kaq hakërrim e nerv pavlefshmërinë absolute të dekretit presidencial?” të ketë për përgjigje atë se Rilindja mendon edhe të mos hyjë fare në zgjedhje për Bashkinë Dibër, jo duke e pohuar këtë, por duke mos njohur datën e zgjedhjeve me absurditete juridike, pra edhe vetë procesin zgjedhor dhe rezultatin e tij. Kështu evitojnë sikletin e gjetjes së kandidatit, debatet me LSI-në, takimet me zgjedhësit, etj, etj.

Kot sekëlldisen. Nëse nuk duan zgjedhje në Dibër s’kanë pse t’i bien anës e anës. Në vend që, me arsyetim absurd, të kërkojnë pavlefshmërinë absolute të dekretit të Presidentit për datën e zgjedhjeve, Këshilli rilindës i Ministrave, me shumicë votash rilindëse dhe arsyetim po kaq absurd (si u shkarkuaka tjetri për brekëshpuarje?!), mund të vetëshpallin absolutisht të pavlefshëm vendimin e vet të datës 13 maj. Vijon i njëjti kryetar! Do ishte e paparë në rang planetar!

Siç shihet, të gjitha pikëpyetjet e mësipërme, në një mënyrë a tjetrën, e marrin një përgjigje, por një pyetjeje nuk jam në gjendje t’i përgjigjem: “Brekët e shpuara nervozojnë Rilindjen apo nervozizmi ju ka shpuar brekët?”

Nëse ndonjë nga lexuesit e ka përgjigjen, ju lutem na e thoni.

NENI 10, PIKA 3, KODIT ZGJEDHOR

(me germa te zeza pjesa vlen për rastin ne fjale, cituar gjithashtu sot nga Rilindja)

  1. Në rast të ndërprerjes së mandatit, për shkaqet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës, zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit. Në rast ankimi të organit të shpërndarë ose të shkarkuar, zgjedhjet zhvillohen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga mbarimi i afatit që ka organi i shpërndarë për të ankimuar vendimin e Këshillit të Ministrave në Gjykatën Kushtetuese, kur kjo e drejtë nuk është ushtruar, ose data e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në rast se është ankuar në këtë gjykatë brenda afatit të nenit 115 pika 2 të Kushtetutës. Në çdo rast, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin jo më vonë se 48 orë nga njoftimi për ndërprerjen e mandatit.
Share: