Votimi i ligjit të “vettingut” vetëm me votat e mazhorancës në seancën e sotme të Parlamentit Shqiptar, është braktisur nga opozita, e cila ka akuzuar Partinë Socialiste se ka kapur drejtësinë duke e konsideruar antikushtetues projektligjin që u soll sot në seancë.
Votimi i braktisur nga demokratët nuk ka kaluar pa kritika dhe kundërshti nga deputetët e opozitës.
Për deputeten demokrate Mimoza Hajdarmataj, Kryeministri Edi Rama po përpiqet të marrë me ligj atë që nuk arriti ta marrë me ndryshimet kushtetuese.
Sipas saj, kalimi i këtij ligji, është shenja se Edi Rama po “fut thonjtë” mbi drejtësinë.
“Opozita po bëhet gjithmonë e më e vështirë në këtë terren balte e hashashi që në Parliament ka agallarët e vet. Flitet për Vetting kur krimi dhe trafiku kanë kapur prej fyti qeverinë e parlamentin dhe shteti që duhet ti shërbente shqiptarëve është peng i pushtetit.
Për të mbrojtur të gjitha këto, Edi Rama po përpiqet të marrë me ligj atë që nuk arriti ta marrë me ndryshimet kushtetuese, për të futur kështu thonjtë mbi drejtësinë duke e mbajtur atë peng të të fortëve.
Zgjidhja e vetme vjen me zgjedhjet.”-deklaron deputetja.