Shtatori pritet të jetë një muaj i nxehtë për politikën shqiptare. Debati për reformën në drejtësi dhe më konkretisht votimi shtatë ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar. Gjithashtu zgjedhjet në Dibër, si dhe një sërë pikash të tjera, që lidhen me të ardhmen e koalicionit. Por jo vetëm kaq. Mesa duket, Kryeministri Edi Rama për të forcuar pozitat pritet ti japë post ministror Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, të drejtuar nga Shpëtim Idrizi.
Siç shkruan Syri.net, gushti është muaji i pushimeve, por jo i bisedimeve të fshehta. Ndërkaq muaji shtator pritet që të sjellë ndryshime në qeverinë e drejtuar nga Edi Rama. Kështu shkruan gazeta Sot, në kryeartikullin e saj.
Sipas kësaj gazete në muajin shtator Rama do të bëjë lëvizjen që mund ti sigurojë më shumë vota në Kuvend. Do të afrojë Shpëtim Idrizin dhe partinë e tij duke i dhënë një post ministror si dhe disa drejtori të rëndësishme.
Kjo në një farë mënyrë po bëhet si kundërpeshë e LSI-së, pas deklaratave të Ilir Metës se duhet një qeveri teknike. Këtë veprim Rama po e kryen me qëllim që të ketë sa më shumë vota të sigurta.
Ende nuk dihet se cila ministri do të sakrifikohet nga Rama që ti jepet PDIU-së, por të paktën dy drejtori të rëndësishme që tani përfliten se do ti kalojnë Idrizit. Ato janë drejtoria e Doganave dhe ajo e Tatimeve. /SYRI.net