Home KRYESORE Qeveria apo Karvani i Marihuanës?

Qeveria apo Karvani i Marihuanës?

Nga Dritan Shano

Tashmë e gjithë Shqipëria është e mbjellë me Marihuana, nën kujdesin dhe mbrojtjen e drejpërdrejtë të Qeverisë. Këtë e konfirmojnë në mënyrë të përsëritur raportime nga shërbimet policore të vendeve të Bashkimit Europian, tregjet e të cilave po përmbyten nga ky produkt i Qeverisë Shqiptare.

Djegjet që na serviren nëpër edicione lajmesh, janë kurbani televiziv propagandistik, ose eliminimi i konkurrencës të ndonje individi që guxon të ketë një prodhim të strukturuar, jo sporadik apo personal, të marihuanës, jashtë skemës kombëtare të Qeverise për prodhimin, përpunimin dhe trafikimin e marihuanës drejt Europës.

Transporti i marihuanës drejt tregut të Bashkimit Europian, me avionë të vegjël kryhet me bekimin e policisë dhe ushtrisë së një vendi anëtar të NATOs – këto forca që paguhen me paratë e pastra të shqiptarëve nga taksat e rritura, janë sot qorrazi në shërbim të oligarkisë që zaptuar Shqipërinë në formën “demokratike” të Qeverisë së Rilindjes Socialiste.

Fitimet nga ky aktivitet i paligjshëm që kryhet nga Qeveria futen në xhepat e pak njerëzve; xhepa “off shore”, nga ku pritet të dalin për të financuar vjedhjen dhe manipulimin e zgjedhjeve të përgjithshme në vitin 2017. Testi i parë do të bëhet, së afërmi me zgjedhjet lokale në Dibër.

Paratë nga aktivitetet e paligjshme dhe fondet publike të vjedhura, të identifikuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, që arrijnë miliarda euro, do të përdoren nga Qeveria e sotme për të garantuar vazhdimin e pushtetit mbi shqiptarët, përmes vjedhjes dhe manipulimit të votës së shqiptarëve.

Kjo është arsyeja pse nevojitet një Qeveri Teknike për të kryer proçesin e zgjedhjeve. Nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri me këtë Qeveri. Pa garantuar me çdo formë dhe mënyrë këtë proçes, reformat e Dekriminalizmit dhe ajo në Drejtësi do të shndërrohen në një farsë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Demokracia jonë e manaxhuar është thellësisht e rrezikuar. E rrezikuar nga Qeveria. Kjo Qeveri narkotrafikante, duhet shkulur nga rrënjët, njësoj siç bëhet me një bimë ilegale canabis, dhe i duhet “vënë flaka” njëherë e mirë. Në vetëm tre vjet Qeveria e Rilindjes, në mes të Europës, u shndërrua në Karvanin e Marihuanës.

Share: